Intervista nga Manjola Markola/ Photoshooting: Leo Arapaj/ Make up and hair: Elona Balaj
Një vit më parë, jeta e Annës mori kuptim tjetër. Një emër i vogël, Marvel, solli me vete një mrekulli të madhe që ndryshoi gjithçka: prioritetet, ritmin e ditës, mënyrën si sheh veten dhe botën. Mes netëve pa gjumë, lodhjes së ëmbël dhe momenteve që i mbushin sytë me lot gëzimi, Anna po jeton rolin më të bukur të jetës së saj, atë të nënës. Në këtë intervistë për “WHO”, ajo rrëfen me sinqeritet 365 ditët e para me Marvel: emocionet e para, sfidat, dashurinë pa kushte dhe mrekullinë që erdhi në jetën e saj në momentin kur kishte më shumë nevojë.
Anna, një intervistë në rolin më të bukur, në 365 ditët e para, atë të nënës. Si ka qenë ky vit?
-Ky vit ka qenë i mbushur plot dashuri, me gjëra të papritura. Duke qenë një mama e re, shumë gjëra nuk t’i mëson njeri, por i mëson gjatë rrugës. Po, edhe shumë lodhje (qesh).
Çfarë ka ndryshuar Marvel te ti?
-Marvel më ka ndryshuar plotësisht. Vetëm sensin e humorit ma ka lënë po të njëjtin.
Cili ka qenë momenti më emocionues që ke përjetuar si nënë deri tani?
-Janë disa: që nga minuti i parë që e kam marrë në krahë dhe nuk e besoja që e kisha bërë unë; buzëqeshja e parë e saj, luga e parë e ushqimit, dhëmbi i parë dhe së fundmi momenti që e pashë të rrinte në këmbë (qava dhe ia dërgova videon çdo njeriu).
A e kishe imagjinuar ndryshe përvojën e mëmësisë para se të bëheshe nënë?
-Po, e kisha menduar fushë me lule(qesh). Mendoja që Marvel do rritej vetë. Do flinte vetë, do hante vetë dhe unë vetëm do e ndihmoja herë pas here. Bëj shaka. Por po, e kisha menduar më të lehtë. E lehtë nuk qenka, por e bukur pafund.
Si e ke përjetuar balancën mes mëmësisë dhe angazhimeve të tjera në jetë?
-Nuk e kam gjetur akoma balancën. Mendoj që është shumë herët të kem angazhime të tjera përveç Marvel.

Çfarë ke mësuar për veten që nga momenti që u bëre nënë, të kanë ndryshuar idetë dhe prioritetet?
-Kam mësuar që paskam durim më shumë seç mendoja apo tregoja. Dhe prioriteti im tani është Marvel.
Si duket një ditë e zakonshme për ty si nënë?
-Dita ime nis herët, e shpërndarë mes gjërave për t’u bërë në shtëpi dhe atyre që duhen për gocën. Mundohem të gjej kohë për veten; me raste e gjej, me raste jo(qesh).
Ti ke pasur një humbje të madhe, atë të nënës tënde. Çfarë ke menduar kur je bërë nënë vetë për gjithë jetën me të?
-Që paskam pasur një jetë shumë të bukur dhe të mbushur plot. Kam qenë me shumë fat që e kam pasur atë për mama! Mendoj dhe vazhdoj të mendoj që mamaja ime ka qenë një heroinë që ia ka dalë më së miri të rrisë tre fëmijë dhe të krijojë një ambient plot dashuri për ne, pa asnjë mungesë. Shpresoj që edhe unë ta bëj këtë për vajzën time.
Pse Marvel, çfarë kuptimi ka emri?
-Në fillimet e bashkëjetesës me Bjordin, rastësisht ramë në një diskutim për emra fëmijësh. Ata që pëlqeja unë, Bjordi i urrente; ata që pëlqente ai, i urreja unë, dhe e lamë si muhabet. Një ditë, duke parë një serial të Marvel Studios, personazhi kryesor kishte emrin Marvel (që do të thotë “mrekulli”). U pamë me njëri-tjetrin dhe në një zë thamë: super emër! Po bëmë ndonjëherë fëmijë, do ia vëmë kështu, sepse është edhe unisex. Kur mora vesh që isha shtatzënë, vija nga një periudhë jo shumë e mirë e jetës sime; sapo kisha humbur mamin, dhe shtatzënia erdhi si një mrekulli për ne. Prandaj emri shkoi fiks: Zoti solli një mrekulli dhe ajo e ka emrin Marvel. PS: Bjordi është fans i çmendur i filmave të Marvel Studios.

Cili ka qenë sfida më e madhe gjatë këtij viti të parë me Marvel?
-Të bëhesha një mama e aftë… dhe akoma po luftoj, sepse kam shumë gjëra që s’di t’i bëj mirë.
Kush ka qenë mbështetja jote më e madhe në këtë rrugëtim?
-Bjordi dhe pastaj, pa diskutim, familja ime që janë gjithmonë aty për ne.
Si ka qenë mbështetja e babi Bjordit? Ka pasur netë pa gjumë për të dy, ndërrim pelenash e të tilla si këto?
-Bjordi është babai më i mirë në botë. Dhe këto nuk janë lajka, por është më se e vërtetë. Bjordi është ai që bën pjesën më të vështirë me vajzën, ai që mban balancën dhe që këtë rrugëtim e bën më të lehtë e më të bukur.
Kujt i ngjan Marvel, ty apo babi Bjordit?
–Marvel është fotokopje e babit Bjord. Mua nuk më ngjan hiç dhe mbase më mirë, se burrin e kam të bukurin e dheut.
Si e përjeton lodhjen fizike dhe emocionale që sjell mëmësia?
-Bëj një sy qorr. Në fillim e përjetoja shumë keq, tani jam mësuar dhe mendoj që me kalimin e kohës nuk i ndjen më as njërën, as tjetrën.
A je bërë më emocionale apo më e fortë pas ardhjes në jetë të fëmijës?
-Muajt e parë isha shumë e brishtë. Pastaj, me kalimin e muajve, ajo brishtësi u kthye në një forcë të madhe.

Si ka ndryshuar marrëdhënia jote me Bjordin pas ardhjes së bebit?
-Nuk di të them çfarë ka ndryshuar, por di të them që ndryshimet kanë qenë minimale në anën e dashurisë që kemi për njëri-tjetrin dhe maksimale në mënyrën si e kuptojmë tani njëri-tjetrin pa folur, vetëm duke u parë në sy.
A ke ndonjë ritual të veçantë që e adhuron kur e bën me Marvel?
-Kur luajmë bashkë. Kemi disa lojëra që askush nuk na i kupton dhe qeshim shumë me njëra-tjetrën. Kur e shoh që qesh me budallallëqet e mia, më mbushet zemra plot, sepse kuptoj që kemi një lidhje shumë të veçantë që askush nuk e prish dot.
Çfarë këshille do t’u jepje nënave të reja që po kalojnë të njëjtën përvojë?
-Shijojeni sa më shumë, dhe kur të lodheni, lërjani burrit pa u ndjerë në faj, e keni bërë të dy bashkë.
Si e menaxhon kohën për veten në këtë periudhë të re të jetës?
-Nuk kam arritur akoma te ky kapitull i librit.
Çfarë do të doje që Marvel të mësojë nga ty kur të rritet, si një këshillë dhe urim për 1-vjetorin e saj të lindjes?
-Dua që Marvel të mësojë të rrijë në këmbë vetë, pa u mbështetur te askush. Një këshillë që do i jepja do ishte të mos ndjekë vetëm zemrën, por edhe trurin. Urimi që i jap është të bëhet një gocë e zgjuar si babi, e bukur si nënat, punëtore si gjyshi dhe e talentuar si mami. Mami dhe babi të duan shumë, sepse ti je gjëja më e bukur që kemi në jetë, Marvelushi ynë.
*Kjo intervistë nuk mund të ribotohet pa lejen e redaksisë*







