Në një botë ku imazhi shpesh flet më shumë se çdo gjë tjetër, Sara zgjedh të ndalet dhe të flasë me qetësi për atë që nuk shihet. Përtej rrjeteve sociale dhe vëmendjes publike, ajo rrëfen një histori rritjeje, përgjegjësie dhe vetëdijeje, të ndërtuar me kohë, përvojë dhe guxim për të qenë gjithmonë e vërtetë me veten. 10/10 vjen si një portret intim i një gruaje që ka mësuar ta masë suksesin jo me shifra apo duartrokitje, por me kuptimin që i jep çdo vendimi e zgjedhjeje. Një bisedë për Sarën grua, Sarën profesioniste, për mëmësinë, autenticitetin, presionin e figurës publike dhe forcën që lind kur prioritetet riorganizohen dhe jeta merr një dimension unik.
1. Si do ta përshkruaje veten sot, përtej asaj që shohim në rrjete sociale?
Sot do ta përshkruaja veten si një njeri më të qetë, më të vetëdijshëm dhe më të lidhur me arsyen pse bëj çdo gjë. Jam më pak e fokusuar tek “duhet” dhe më shumë te “pse”-ja ime. Koha, përvoja dhe gabimet më kanë mësuar të dalloj çfarë ka vërtet vlerë dhe çfarë është thjesht zhurmë.
Të ndërtosh gjithçka nga zero në moshë të vogël, sidomos nën vëmendjen publike, është një shkollë më vete. Ka pasur anë shumë të bukura: rritje të shpejtë, forcë, pavarësi dhe besim te vetja. Por edhe anë të vështira: pritshmëri të larta, gjykime, presion për të qenë gjithmonë “mirë” dhe për të mos gabuar. Sot i pranoj të dyja anët si pjesë të së njëjtës rrugë. Nuk i shoh më si barrë, por si themel që më ka formuar dhe më ka bërë më të fortë, më të duruar dhe më të vërtetë me veten.
2. Cili ka qenë momenti që të ka ndryshuar më shumë si njeri dhe si profesioniste?
Momenti që më ka ndryshuar më shumë, si njeri dhe si profesioniste, ka qenë pa asnjë dyshim kur u bëra nënë. Aty ndryshoi gjithçka. Ndryshuan prioritetet, qëllimet dhe mënyra si e shoh veten si grua, por edhe si profesioniste.
U bëra më e ndjeshme emocionalisht, por në të njëjtën kohë shumë më protektive ndaj gjithçkaje që ndërtoj. Jo vetëm sepse ka vlerë për mua, por sepse nuk mbaj më përgjegjësi vetëm për veten. Çdo vendim, çdo hap, filloi të peshohej ndryshe. Ka pasur shumë momente dyshimi, pasigurie dhe pyetjesh ndaj vetes nëse po bëja zgjedhjet e duhura, nëse po ecja në drejtimin e duhur.
Të jesh mama dhe njëkohësisht të përpiqesh të ndërtosh një karrierë që të përmbush, por edhe t’i ofrojë familjes tënde një jetë të mirë, sidomos në të 20-tat, është shumë sfiduese dhe shpesh të bën konfuze. Por pikërisht kjo periudhë më ka bërë më të vetëdijshme, më të fortë dhe më të fokusuar. Më ka mësuar të mos dorëzohem, të jem më e butë me veten dhe të kuptoj se rritja personale dhe profesionale nuk ndodhin në vijë të drejtë, por në faza që formojnë atë që jam sot.
3. Çfarë të ka mësuar rruga jote deri këtu për suksesin, durimin dhe punën?
Rruga ime deri këtu më ka mësuar që suksesi nuk është një moment, por një proces i gjatë, shpesh i padukshëm për të tjerët. Ai nuk vjen gjithmonë shpejt dhe as siç e imagjinon në fillim. Ka shumë punë pas skenës, shumë sakrifica dhe shumë vendime që nuk duken bukur, por që janë thelbësore.
Durimi ka qenë një nga mësimet më të vështira. Kam mësuar që jo çdo gjë ndodh kur e do ti dhe jo çdo përpjekje shpërblehet menjëherë. Ka faza ku punon shumë dhe duket sikur nuk lëviz asgjë, por pikërisht aty po ndërtohet baza. Të qëndrosh konstante, edhe kur dyshon, edhe kur lodhesh, është një formë force që vjen vetëm me kohën.
Sa i përket punës, kam kuptuar që talenti apo ideja nuk mjaftojnë kurrë vetëm. Disiplina, përgjegjësia dhe aftësia për t’u përshtatur janë po aq të rëndësishme. Rruga më ka mësuar të punoj me këmbë në tokë, të mos kem frikë nga gabimet dhe të kuptoj që çdo hap, edhe ai që duket i gabuar, të çon më afër asaj që je e destinuar të ndërtosh.
4. Sa i rëndësishëm është autenticiteti për ty në një botë gjithnjë e më digjitale?
Autenticiteti për mua është thelbësor, sidomos në një botë gjithnjë e më digjitale, ku gjithçka filtrohet, editohet dhe shpesh idealizohet. Në këtë realitet, është shumë e lehtë të humbasësh veten duke u përpjekur të përshtatesh me pritshmëritë e të tjerëve apo me atë që “funksionon” online.
Unë besoj se njerëzit e ndiejnë kur diçka është reale dhe kur jo. Autenticiteti krijon besim, lidhje të vërtetë dhe qëndrueshmëri në kohë gjëra që nuk ndërtohen me imazh të përkohshëm apo trende kalimtare. Për mua, të jesh autentik nuk do të thotë të tregosh gjithçka, por të jesh e sinqertë me atë që përfaqëson, me vlerat e tua dhe me mënyrën si komunikon.
Në fund, në një botë digjitale ku gjithçka ndryshon shpejt, autenticiteti është ajo që të mban të qëndrueshme. Është mënyra ime për të mos humbur identitetin, për të mbrojtur atë që jam dhe për të ndërtuar diçka që ka kuptim, jo vetëm shikime.
5. Si i menaxhon pritshmëritë e publikut dhe presionin e të qenit figurë publike, qoftë si Sara-grua, qoftë si Sara-profesioniste?
Pritshmëritë dhe presioni i të qenit figurë publike janë diçka që kam mësuar ta menaxhoj me kalimin e kohës, jo pa vështirësi. Në fillim i merrja shumë personale çdo koment, çdo mendim, çdo pritshmëri. Sot kam kuptuar që nuk mund dhe nuk duhet t’i plotësoj të gjitha.
Si Sara-grua, kam mësuar të vendos kufij. Të ndaj çfarë dua të ndaj dhe të mbaj private ato pjesë të jetës që kanë nevojë për qetësi dhe mbrojtje. Jo gjithçka që është reale duhet të jetë publike. Kjo më ka ndihmuar të ruaj balancën emocionale dhe të mos e humbas veten në rolin e figurës publike.
Si Sara-profesioniste, përpiqem të jem e qartë dhe konsistente me vlerat dhe punën time. Presioni ekziston, por fokusohem te cilësia, jo tek aprovimi i menjëhershëm. Kam pranuar që do të ketë gjithmonë njerëz që nuk do të jenë dakord, dhe kjo është në rregull.
Në fund, balanca vjen duke e njohur mirë veten dhe duke mos lejuar që opinioni i jashtëm të diktojë se kush jam ose çfarë duhet të bëj. Të qenit figurë publike është vetëm një rol unë mbetem njeri, grua dhe profesioniste përpara se të jem imazh.
6. Cilat janë vlerat që nuk i komprometon kurrë, as në jetë dhe as në punë?
Nuk komprometoj kurrë familjen dhe vlerat njerëzore. Puna është e rëndësishme, ambicia po ashtu, por jo në kurriz të atyre që dua dhe as në dëm të vetes.
Autenticiteti dhe puna me qëllim janë vlera që nuk i negocioj. Nuk më intereson suksesi që nuk përfaqëson atë që jam ose që nuk ndërtohet mbi diçka reale dhe të qëndrueshme.
7. Çfarë të motivon të ecësh përpara edhe në ditët më të vështira?
Ajo që më motivon të ec përpara edhe në ditët më të vështira është arsyeja pse kam nisur gjithçka. Familja ime, fëmijët e mi dhe përgjegjësia që kam ndaj tyre, por edhe ndaj vetes, janë shtysa më e madhe. E di që nuk po ndërtoj vetëm për sot, por për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të mirë.
Më motivon edhe dëshira për të mos u dorëzuar përballë vështirësive, sepse e di sa rrugë kam bërë deri këtu. Ka ditë lodhjeje, pasigurie dhe dyshimi, por më kujtoj veten pse nisa, sa shumë kam mësuar dhe sa jam rritur gjatë procesit.
Më motivon ideja që puna ime ka kuptim. Që ajo që ndërtoj ka ndikim, qoftë edhe te një person i vetëm. Dhe ndoshta mbi të gjitha, më motivon fakti që dua t’u tregoj fëmijëve të mi se forca nuk është mungesa e vështirësive, por vazhdimi përpara pavarësisht tyre.
8. Si ka ndikuar mëmësia në mënyrën si e sheh jetën dhe prioritetet?
Prioritetet janë riorganizuar natyrshëm. Koha ka marrë një kuptim tjetër, energjia po ashtu. Jam bërë më selektive me angazhimet, më e vetëdijshme për kufijtë e mi dhe më e kujdesshme me vendimet që marr, sepse çdo zgjedhje ndikon jo vetëm tek unë.
Mëmësia më ka bërë më të butë emocionalisht, por njëkohësisht më të fortë nga brenda. Më ka mësuar durimin, empatinë dhe pranimin e papërsosmërisë. Më ka mësuar që nuk duhet të jem gjithmonë perfekte për të qenë e mjaftueshme. Në fund, më ka dhënë një ndjenjë qëllimi më të thellë gjithçka që bëj sot ka një kuptim më të madh sesa vetja ime.
9. Çfarë këshille do t’u jepje vajzave të reja që duan të ndërtojnë një emër për veten?
Do t’u thosha, para së gjithash, që gabimet janë pjesë e pashmangshme e rrugëtimit për t’u bërë vetja. Do të gaboni, do të dyshoni, do të përballeni me paragjykime dhe zëra që do përpiqen t’ju bëjnë të ndaloni dhe kjo është normale.
Mos lejoni kurrë që gabimet apo opinionet e të tjerëve t’ju shuajnë dëshirën për të bërë atë që doni vërtet. Askush nuk ndërton diçka reale pa u përplasur, pa rënë dhe pa u ngritur sërish. Mësoni nga çdo gabim, por mos e ktheni në etiketë për veten.
Jini të duruara me procesin, punoni fort, por mbi të gjitha ruani autenticitetin tuaj. Emri ndërtohet me kohë, me qëndrueshmëri dhe me besim te vetja jo duke u përpjekur të jeni dikush tjetër, por duke u bërë versioni më i fortë i asaj që jeni.
10. Si e imagjinon veten pas disa vitesh, në aspektin personal dhe profesional?
Pas disa vitesh, e shoh veten më mirë, jo më shumë.








