Ndërsa turistët vërshojnë çdo verë drejt destinacioneve të zakonshme si Parisi, Roma apo Barcelona, nëpër Evropë fshehen vende po aq të bukura, por shumë më pak të mbipopulluara. Një studim i fundit nga agjencia londineze CV Villas ka zbuluar vendet më të nënvlerësuara, por me luks dhe bukuri autentike, ideale për pushime verore pa turma.
Në krye të kësaj liste qëndron Umbria, një rajon i fshehur në qendër të Italisë, mes Toskanës dhe Lazios. I quajtur shpesh “zemra e gjelbër e Italisë”, Umbria është konsideruar prej kohësh si “Toskana e re”, por pa zhurmën e turistëve.
“Umbria ka ruajtur sharmin e saj rustik dhe është perfekte për ata që kërkojnë një copë të ‘la dolce vita’ pa turma,” tha CV Villas në një deklaratë për Travel + Leisure.
Me qytete mesjetare si Assisi, Spello dhe Montefalco, ku rrugicat prej guri dhe arkitektura romake të çojnë pas në kohë, Umbria ofron një përvojë autentike italiane – përfshirë edhe kuzhinën e saj të pasur dhe të shijshme.
Por lista nuk ndalet këtu. Këtu janë 10 destinacionet më të nënvlerësuara në Evropë sipas studimit, që mund të jenë surpriza e radhës në udhëtimet e tua:
Lista e plotë e vendeve më të nënvlerësuara:
- Umbria, Itali – një parajsë mesjetare në hijen e Toskanës
- Biarritz, Francë – qytet i surf-it dhe plazheve në bregun Bask
- Paphos, Qipro – vendlindja mitike e Afërditës me histori dhe det të kristaltë
- Bretanja, Francë – bregdet i egër, kështjella dhe kuzhinë detare
- Emilia-Romagna, Itali – djepi i kuzhinës italiane (Parma, Bolonja, Modena)
- Paros, Greqi – ishull cikladik me plazhe të qeta dhe fshatra të bardhë
- San Sebastian, Spanjë – qytet gourmet me plazhe elegante
- Antibes, Francë – qytet bregdetar midis Nisit dhe Kanës
- St. Ives, Mbretëria e Bashkuar – një qytet bregdetar i artit në Cornwall
- Taormina, Itali – perlë mesdhetare në majë të shkëmbit në Siçili
Po planifikon një udhëtim këtë verë? Mos ndiq vetëm itineraret klasike. Shpesh, bukuritë më të mëdha fshihen atje ku nuk i pret!