Rruga përgjatë së cilës ecën jeta është e magjishme, e paparashikueshme, e përtej saj është një horozint që na e ndalon shikimin. Aty në një pikë ku mbetemi të heshtur, gjejmë të papriturën, gjejmë edhe rastësinë, madje-madje gjejmë lumturinë. Kësisoj, një telefonatë me fjalët “kemi një udhëtim në Poloni”, duket se e rrëmbeu të gjithë rrjedhën normale të ditës, muajit, madje edhe të vitit. Çfarë do të bëj në Poloni? Ku, pse, kur, si, çfarë? Pyetje që kanë kaluar në mendjen time me shpejtësinë e dritës. Do të nisemi për Krakov me “Wizz Air”. Teksa mund të hapja çdo listë reale apo imagjinare të udhëtimeve, Krakovin nuk mund ta shquaja askund. Dita për t’u nisur erdhi më shpejt sesa vjedhurazi mund të gjeja një vend për ta shtuar edhe Krakovin në listën e destinacioneve të mia. Atë natë, ndonëse nuk ishte ftohtë, një ndjesi e lehtë freskie ma përshkruante fytyrën e trupin herë pas here. E kam kontrolluar pasaportën më shumë se 4 herë, a thua se ishte udhëtimi im i parë. Dritat e mëdha nisën të bëheshin të vogla, derisa për një moment dukej sikur shikoja yjet atje poshtë. Sa e çuditshme apo jo?! Yjet atje poshtë. Fluturimi për Krakov nuk zgjati më shumë se 1 orë e 30 minuta dhe një zë i vajzave të Wizz-it më zgjoi nga një kotje e momentit në ato minutat e fundit të uljes së avionit në pistë. Më në fund në Krakov. Mbrëmja e vonë ishte e qetë dhe sa hap e mbyll sytë e gjetëm veten jashtë aeroportit duke pritur që të lëviznim drejt hotelit. Me siguri numri shumës iu bëri pak konfuzë, epo ishim një grup, sigurisht që udhëtimi nuk ishte solo-travelerer. Rrugës për në hotel shquaja vetëm disa drita dhe diku kalimthi më zuri syri një tabelë me shkrimin “Zakopane”, pra ishim në destinacionin tonë.
Ndalesa e parë ishte në hotel, aty ku do të akomodoheshim dhe në fakt po, ishim gati për gjumin e bukurisë, atë të humorit, të kockave, të dhimbjes së kokës, etj,etj. Mëngjesi duket sikur erdhi shpejt, kjo edhe për faktin se kishim mbërritur vonë. Ajo perdja që hapet dhe natyra që t’i “puth” sytë është gjithçka që mund të kërkoje në një mëngjes maji. Në atë vend mund të jetë mëngjesi i çdo stine. Pasi mora energjinë me mëngjesin, duhej patjetër ta sodisja atë vend. Ishim në Zakopane, në kryeqytetin dimëror të Polonisë, rrethuar prej maleve Tatra. Ajër i pastër, qetësi e njerëz që vraponin andej-këndej për të nisur ditën. Pas një shëtitjeje të shkurtër për të përqafuar paksa ajrin e Zakopanes, u nisëm në turin e ditës. Ecejaket nëpër Zakopane ishin të heshtura fillimisht, me një milion pyetje në kokë për guiderin tonë, por sigurisht që gjuha na u zgjidh shpejt. Çfarë është kjo, po kjo tjetra, po ajo, po ai mali atje? Rrugës për në qendrën e Zakopanes mund të ndieje shikime njerëzish, nga ato shikimet e paqta, aspak të bezdishme, dhe nëse ti mendon se duke ecur në këmbë do të lodhesh, më lejo të të them se e ke gabim.
Ajri i pastër e panorama që kishe gjithë kohës para, dukej sikur të karikonte. Grija e qiellit nuk na ndaloi të sodisnim çdo pëllëmbë të kalldrëmtë të qendrës së Zakopanes. Ajo ndjesia sikur nga momenti në moment do të niste shiu, ishte tejet sfiduese. Sigurisht për faktin se nuk kishim çadër, jo për gjë tjetër. Upss, se kam harruar, nuk dija, (më falni, mos më falni) se Polonia nuk ishte në eurozone dhe jo nuk ka euro, ju përshëndesim vetëm me zlota. Qe pak e vështirë përshtatja në fillim, por shpejt nisëm të llogarisnim në pak sekonda euron dhe zlotën. Një detaj tjetër për monedhën vendase do ta theksoj më poshtë. Më kujtoni po mundët. Ndërtesa të mirërreshtuara, e në mes një tufë gjelbërimi që të priste, paqtë atje në fund. A bënim foto? Lehtësisht kjo mund të quhet pyetje retorike. Rrugës mund të dalloje shtëpitë të stilit alpin, kjo edhe për faktin se dimri ishte goxha-goxha-goxha dimër i bardhë, këtu natyrisht e kam fjalën për borën. Shumë shpejt, kot tani, jo edhe aq shpejt le të themi, mbërritëm në stacionin e teleferikut hekurudhor që do të na dërgonte drejt e në malin Gubalowka. Nga aty panorama e Zakopanes ngjante kryekëput si një foto Pinteresti. Prej mëngjesit e deri kur ishim ngjitur në majë të malit, përveç të tjerash kishim një qëllim, të gjenim një kafe të mirë, që sigurisht nuk e gjetëm deri në fund të udhëtimit. Sa herë kërkoja të nuhasja kafe të mirë ndokund, më kujtoheshin kafenetë në Shqipëri. Po, i kam nënvlerësuar. Nëse po pyesni, për temperaturat, klimën, ishte krejtësisht normale, freskët, jo ftohtë, ngrohtë, jo vapë. Zbritja ishte po aq e veçantë sa ngjitja, e ndalesa e radhës ishte në një takim kokë më kokë me gatimet tradicionale të Zakapones. Duke ecur mund kuptoje lehtësisht se delja ishte simbol special për vendasit dhe një aromë djathi të shkrirë seç ma çante hundën herë pas here. Restoranti tipik i zonës na shërbeu plot e përplot gjëra. Mish gici, rose, lakër, patate, djathra, sallatë, kanat e ujit me limon, birra, oh birra, më lini të flas 2 orë për birrën. Një mrekulli. Të them të drejtën sapo e provova, krijova një lloj amnistie për faktin se kafeja nuk më pëlqente, mund të pija vetëm birrë. Ushqim shijshëm, pakëz i rëndë dhe një ëmbëlsirë vendase në fund, shoqëruar me akullore dhe fruta. Birrë-birrë dhe prapë birrë, pasojat e së cilës më mirë nuk po i shkruaj. Koha e lirë pas dreke sigurisht që iu dedikua “shopping” dhe duhet të them se mund të befasoheshe me dyqanet që mund të gjeje në Zakopane. Çmimet ishin të leverdisshme, ndaj ca blerje aty nuk na ranë keq. Pas asaj lodhjeje, një relaks në jacuzzi është një “must” dhe sigurisht ca thashetheme se Tiranën e marrim me vete kudo. Është koha për gjumë, shihemi nesër.
Mëngjesi më gjeti paska të trullosur, sepse gjithë ajo dashuri për birrën më kishte rënë në kokë. Një mëngjes i shpejtë, sepse na pret një ditë e gjatë. Nisemi për Szczawnica, Zakopane mirë të gjetsha në herë të tjera, do të rikthehem patjetër.
Rruga për në Szczawinca nuk mund të ishte më piktoreske se aq me ngjyrën jeshile që shtrohej ngado si veladon. Pas zbarkimit në hotel, nisja për në aventurën e radhës ishte e menjëhershme. Ai udhëtimi përreth lumit Dunajec për të mbërritur në pikën ku do të nisnim rafting ishte krejtësisht mahnitës. Atje na pritën dy djem të sjellshëm, të gatshëm të na shoqëronin në një shëtitje më shumë se 2-orëshe në lum.
Veshur me jelekë tradicionalë vendas e kapele po ashtu tradicionale, nuk lanë asnjë detaj të atij udhëtimi pa shpjeguar. E nëse ke vendosur të udhëtosh në viset polake, një rafting në Dunajec nuk duhet ta humbasësh. Pjesë e Parkut Kombëtar të Pieniny-t, ai lum kishte aq shumë gjëra për të “rrëfyer”. Mes pyjesh, me rrezet e diellit që shtroheshin mbi kokat tona dhe ajo jeshilja e lehtë në ujë krijonin një ndjesi paqeje. Sigurisht që mua nuk më pushoi goja asnjë moment, por le ta kalojmë këtë pjesë. Më e bukura ishte se përgjatë aventurës tonë në Dunajec në të djathtën tonë kishim tokën sllovake e në të majtën tonë atë polake. Qetë nga të dyja anët. Mund të dalloje majat e maleve, pyjet, mund të dalloje dhe njerëzit që shëtisnin përgjatë parkut, a thua se na shoqëronin në shëtitjen tonë në ujë. Një fotogtafi nga një kullë atypari, ishte kujtim i bukur i atij rafting. Ato male përveç të qeshurave tona, duhet thënë që e imja është paksa torturuese, kanë dëgjuar këngë shqip, shpjegime, pyetje, përgjigje, kanë parë një pafundësi shkrepje fotografish. Ajo shëtitje u shndërrua shpejt në një “must”. Sigurisht që nuk mund ta mohonim se ishim të uritur, por rrugës drejt restorantit shkrepa sërish disa fotografi alla-Pinterest.
Ushqim tradicional që na hoqi urinë pa një pa dy dhe këtë herë e zgjodha të preferuarin tim, pierogi. Si ta mbyllim aventurën më së miri? Me një ngjitje me teleferik në malin Palenica. Për fat të keq ishim pak orë para perëndimit dhe nuk mund të qëndronim më gjatë, por gjithsesi pamja nga aty ishte mbresëlënëse. Një sy gjumë aty nuk ishte ide e keqe, por duhet të ktheheshim, e nëse do ta dish, në dimër aty ke një superpistë për ski. Kthimi për në hotel në këmbë na e lehtësoi trupin dhe na e mbushi shpirtin me ajër të pastër. Darka mes të qeshurash e gatimesh me “spec” u mbyll mrekullisht.
Tak-tak, erdhi mëngjesi, prej dritares mund të dalloje një kornizë fantastike, të cilën edhe nëse do ta kërkoje me lupë, vështirë se mund ta gjeje. Energji, ajër të pastër, ca shaka me kripë e sheqer bashkë dhe u nisëm për në Krakov, një tjetër aventurë na priste. Pas një rruge të mirë, prej thuajse 3 orësh më në fund në qytet. Shëtitja jonë nisi sapo lame valixhet në hotel. Pak gri, pak shi, pak diell dhe pak ne që u “sulëm” në qytet. Krakovi na priti krahëhapur së bashku me guideren tonë e cila na shoqëroi përgjatë drekës. Munda të dalloja lehtësisht qytetarinë dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit. Respekti për këmbësorët ishte 100/10. Askush nuk të afrohej papritur e as nuk vije re shikime të çuditshme përreth, blunë e syve të vendasve mund ta dalloje menjëherë. Përgjatë shëtitjes shihnim fëmijë-fëmijë-fëmijë, por shpejt morëm vesh se qyteti kishte ndezur dritën e kuqe ndaj nevojës së lartë për bebe. Lindjet në Krakov ishin ulur ndjeshëm. Dreka këtë herë ishte e lehtë, poshtë një hardhie rrushi, me gatime super të shijshme. Këtë herë pa birrë, veç një gotë lëng rrushi dhe gati për eksplorim qyteti. Sheshi kryesor i Krakovit ishte i rrethuar prej ndërtesave historike, kafeneve elegante dhe kuajve që shëtisnin atypari. I cilësuar edhe si sheshi më i madh mesjetar në Evropë, “Rynek Główny”i tërhiqte të gjithë rreth vetes. Nisja për në kështjellën Wawel ishte jo pak emocionuese.
Vendosja mbi një kodër nga ku mund të shihje gjithçka dhe të shkoje më pas kudo, të qetësonte shpirtin. Përgjatë jeshiles së natyrës e ngjyrave të historisë, ajo kështjellë kishte diçka tërheqëse, magnetike. Një testament i përjetshëm historie. Hyrja në kështjellën në të cilën për qindra vite kanë jetuar familje mbretërore krijoi një emocion të veçantë. Gjithçka e paprekur, e në një ngjitje në shkallët e ngushta gjetëm shteg të shkonim në majë, aty nga ku mund të sodisje të gjithë qytetin. Këmbana që nuk mund të lëvizej asnjë mm nga vendi kishte edhe një legjendë interesante. E prekëm me radhë duke menduar një dëshirë, që duhet të plotësohet deri në fund të vitit. Dhe unë e dhashë premtimin tim publik, nëse më plotësohet dëshira do të rikthehem aty, në kështjellën madhështore. Detaje, vepra arti, stil gotik, në çdo hapësirë diçka që të linte me gojëhapur.
Doni ta dini çfarë më la mua me gojëhapur? Në fakt ishin dy momente, disa skulptura-koka njerëzish në tavanin e njërës prej sallave dhe kutia e bizhuterive të princeshës, pak a shumë sa një dollap gjigand. Imagjinova kutinë time të bizhuterive që më kishte humbur mes gjërave në valixhe, heshta dhe eca për të soditur një tjetër mjedis. Një kalim nga kështjella në katedrale dhe një tjetër dimension imagjinate të përpinte. Një vepër e plotë arti e stilit gotik. Hije e artë, e derdhur në besim, në detaje, në arkitekturë që kalon çdo dimension të mendjes njerëzore. Lulet e freskëta kudo të jepnin një ndjesi paqeje, e teksa eksploroje përreth mund të ndizje një qiri aty diku. Duke gërrmuar në kujtesën time fotografike dhe në kujtesën e telefonit tim, po u kujtova, aty sigurisht që nuk lejoheshin fotot, ndaj nëse e viziton, mos e nxirr fare telefonin nga çanta apo xhepi. Kujtimet nga ai vend mund të krijojnë qoshe të përjetshme. Më pas shëtitjet në qytet të bënin të njihje hapësira të ndryshme, rrugë, rrugica, vende ku mund të pije birrë të mirë, ku mund të haje ushqim të mirë, e përreth këtyre shkuam drejt e në Kazimierz, një lagje historike e qytetit të Krakovit. Një copëz vendi që pasqyron historinë e çifutëve, lagje e cila u përkiste. Histori drithëruese, rrënqethëse në maksimum, prekëse, unike, të dhimbshme, një shëtitje përgjatë së cilës mund të krijosh pyetje, përgjigjet e së cilave mund edhe mos t’i marrësh kurrë. Turi u mbyll në një pjesë të murit të getove, aty nga ku mund të njohësh fillimin e fundit…
Dita mbaroi, por nata është para. Shpejt e shpejt të bëhemi gati për një night-out. Pak të kuq buzësh, atlete se sigurisht që takat nuk i veshim dot dhe shpejt për një gotë birrë. Gjetëm një cep të këndshëm me “street food” dhe birrë të mirë. Hëngrëm, pimë, kënduam, kërcyem, qeshëm. Netët në Krakov mbylleshin vonë e nëse dëgjoje ndonjë zë përreth, thjesht dikush e kishte tepruar me pijen dhe vetëm kaq. Natën, shihemi nesër.
Mëngjesi trokiti dhe dita e fundit në Krakov është pikërisht ajo. Shpejtësia me të cilën u bëmë gati ishte e kuptueshme, ose jo, nuk e di. Ende vende për t’u parë dhe këtë herë shkuam drejt e në universitetin Collegium Mais, tanimë vetëm muze. Stili i paprekur gotik tejet tërheqës, dukej sikur të përqafonte e fakti se gjithçka kishte mbetur ashtu, kishte dhe ka një mesazh të qartë “Koha kalon, brezat ndërrohen, edukimi mbetet aty, po njësoj”.
Përtej saj, një vizitë në bazilikën e Shën Francis më besoni është domosdoshmëri. Teksa sheh vepra të tilla, nis të dyshosh për gjithçka në këtë botë, duke imagjinuar sesi dora e njeriut mund të ketë krijuar objekte të tilla, ashtu si këtë bazilikë, apo atë të Shën Marisë që i kalon të gjitha dimensionet e imagjinatës. Aty mundëm të bënim foto, por edhe teksa i shoh ulur në kolltuk, ende më duken iluzione optike, në dëshirën për ta përjetuar sërish atë përvojë, por edhe për të ruajtur të paprekura kujtimet.
Në fakt një kënaqësi më vete ishte eksplorimi i galerive të artit, relaks i mendjes dhe shpirtit, ndaj aty thjesht e lashë veten të lirë. Piktura, skuptura, vepra, objekte që për nga datat nga të cilat ishin krijon ide krejtësisht sureale. Sigurisht që do ta shijoja një çaj nga një filxhan i shekullit të 16-të, por gjithçka mund të bëja aty ishte të shijoja pamjen. Prit pak, aty në muzeun “Czartoryski” ishte ajo, vepra e artit e të madhit Leonardo da Vinçi, “Zonja me një hermelin”. Mund të qëndroja gjatë duke e kundruar atë vepër arti, por sigurisht që koha nuk më premtonte shumë, as grupi, duhet të largoheshim. Largimi nga aty la gjurmë, la shije, la kujtime, la pyetje dhe përgjigje, la gjithçka që mund të të ushqejë shpirtin.
Një drekë e mirë për t’u përshëndetur me Krakovin siç duhet dhe në fund e di çfarë? Do të harxhonim dhe ca para, ndaj destinacioni i fundit ishte qendra tregtare “Galeria Krakowska”. Çmime më të lira duhet thënë, por fakti që aty mund të paguaje me euro dhe në këmbim merrje zlotën, ishte paksa irrituesi. Nëse pyesje për ndonjë sqarim jo gjithmonë merrje përgjigje, duke mos patur qasje të gjerë të anglishtes, por përgjithësisht kishte mirësjellje nga vendasit. Përveç faktit që çdo kati i kam ardhur rrotull nga 8 herë për të gjetur një dhuratë, gjithçka tjetër ishte mëse normale. Ah, e shtuna nuk ishte dita më e mirë për të trokitur aty, lehtësisht përplaseshe çdo sekond me njerëz. Në minutat e fundit aty, e gjeta dhuratën. Dita kishte mbaruar dhe udhëtimi ishte drejt përfundimit. Perëndimi i diellit na gjeti në aeroport dhe ai avioni ynë simpatik i shkrirë në ngjyrën vjollcë “Wizz Air” na priti për të na kthyer në Tiranë.
Krakovi është padyshim qyteti që duhet të vizitosh të paktën njëherë në jetë, për veten, për kujtimet, për shijen, për artin, për kulturën, për malin, për qytetin, për historinë e tij që shkruhet me shkronja të mëdha.
Krakov, më prit sërish…
PS: Nëse plotësohet dëshira e këmbanës, do shihemi këtë vit!/M.M