Një koleksion sa i guximshëm dhe interesant, që në zgjedhjen e emrit sapo nis të kexosh e shohësh punën e servirur nga një talent shqiptar, si Ambra Dodaj, kureshtja shtohet edhe më shumë.
“Burrnesh” është titulli provokues që 24-vjeçarja, e cila ka mbaruar studimet në degën pikturë tekstil dhe modës në Universitetin e Arteve të Bukura të Tiranës dhe ka pasur fatin të marrë pjesë në ‘workshop-e’ nga “Dior” apo Channel” ka zgjedhur për projektin e saj të radhës, i cili në momentin e parë të vë në pikëpyetje me fotografitë e plota të koleksionit.
Frymëzuar nga shoqëria, ana sociale dhe aktualiteti, dhe nga fakti se si i gjithë komuniteti ka ushqyer idenë se gratë “e forta” duhet t’i ngjasojnë një burri, Ambra ka sjellë doza feminiliteti, si një formë mesazhi për t’u krenuar me gjithçka deri më tani është konsideruar tabu.
Frymëzuar nga të gjithë etapat që një vajzë apo grua kalon në jetë, Dodaj ka vendosur të demonstrojë forcën e një gruaje femërore, të pakompleksuar dhe të sigurt në natyrën e saj. Ndryshe nga burrneshat tradicionale, burrnesha bashkëkohore është ajo që nuk ka frikë apo turp nga trupi apo natyra e saj. Ajo është e fortë, pa patur nevojën të hiqet si dikush tjetër, por sepse e ka pranuar dhe e ka dashur veten e saj në tërësi.
Koleksioni i Ambrës është konsideruar gjithashtu një këngë dashurie, dedikuar, grave, vajzave, energjisë hyjnore të femrës dhe për më tepër, forcës për të pranuar dhe për të dashur veten!
Megjithatë kjo nuk është puna e parë e mirëfilltë e Ambrës.
Më parë ajo ka bashkëpunuar mr personazhe të njohur si Kleoniki Delijorgji, Luar Arani, Gigliola Haveriku apo Sheila Haxhiraj.
Në vitin 2020 ajo publikoi koleksionin e saj të parë të veshjeve të titulluar “Muzat”, frymëzuar thellësisht nga mitologjia Greke. Dhe duket se krijimet, koleksionet dhe fryma e veçantë që Ambra ka sjellë nuk do mbeten deri këtu, pasi puna për të sapo ka filluar!
Andi Allko – photographer
Xheni Hajdari – modelja
Pamela Shakaj – makeup /revistawho.com