Disa histori suksesi shkruhen me trofe dhe statistika, dhe disa të tjera fillojnë shumë më herët, në heshtje, larg vëmendjes, aty ku formohet karakteri. Rrëfimi i Granit Xhakës vjen pikërisht nga ajo zonë intime e jetës, duke zbuluar një fëmijëri ku përgjegjësia erdhi shumë përpara kohës.
“Ne kurrë nuk harrojmë nga vijmë. Lidershipin e kam pasur që në moshën 4-vjeçare. Prindërit e mi punonin gjatë gjithë ditës. Punonin ekstra për të na dhënë atë që donim. Vëllai im është një vit më i madh se unë, ai ishte 5 vjeç, unë 4. Por çelësin e shtëpisë e mbaja unë, kisha përgjegjësi për çelësat. Kishte periudha kur qëndronim deri në 18 orë vetëm në shtëpi..Dhe gjithmonë them se nuk mund ta imagjinoj t’i lë vetëm fëmijët e mi për 18 orë. Nëna ime punonte nga ora 4 e mëngjesit deri në orën 3. Bënte ushqimin, vinte në shtëpi, përgatiste ushqimin tjetër dhe shkonte sërish në punë. Edhe babai im njësoj. Ne kurrë nuk harrojmë se nga vijmë. Nëse beson në diçka dhe punon fort, mund t’ia dalësh,” u shpreh ai i prekur.








