Përzgjedhja e një diete sa më të shëndetshme ushqimore për fëmijët është një ndër prioritetet më të mëdha që kanë prindërit. Sasia e ushqimeve në ditët e sotme nuk është një problem, pasi raftet e supermarketeve dhe dyqaneve janë plot, mirëpo problemi qëndron te vlerat ushqyese të ushqimeve që ne përzgjedhim për të konsumuar. Gjatë vitit të parë të jetës është shumë e këshillueshme që fëmija të ushqehet me qumësht gjiri, edhe pse mjekët këshillojnë të filloni me shtesa ushqimore sidomos pas muajit të 6-të. Gjëja e parë që duhet të keni parasysh është që që sistemi tretës i fëmijës është akoma i pazhvilluar nuk mund t’i përpunojë disa lloje të caktuara ushqyesish e substancash. Ja cilat janë ushqimet që nuk t’i jepni kurrsesi fëmijës pa mbushur 1 vjeç:
1.Disa lloje perimesh: Nuk ka rëndësi nëse janë të gatuara ose të bëra pure, disa perime si, panxhari dhe spinaqi kanë nivele shumë të larta nitrati që trupi i fëmijës nuk mund t’i përpunojë. Fëmijët nën moshën 1 vjeç nuk kanë acide aq të forta të stomakut sa të munden të shpërbëjnë nitratet, të cilat pengojnë aftësinë e gjakut për të transportuar oksigjen. Kjo mund të çojë në ulje të ndjeshme të nivelit të oksigjenit, e njohur si Sindroma Blue Baby.
2.Disa lloje peshqish: Peshqit si, skumbri,peshku shpatë dhe peshku ton, kanë nivele të larta të merkurit për t’u konsumuar nga fëmijët nën një vjeç. Nëse doni ta ushqeni fëmijën tuaj me peshk, filloni me peshkun e bardhë, si merluci, por kujdes, nuk këshillohet të konsumohet më shumë se njëherë në javë.
3.Frutat e pyllit dhe agrumet: Luleshtrydhet, boronicat, mjedra dhe manaferrat përmbajnë një proteinë të cilën fëmijët e vegjël e kanë të vështirë ta tresin. Agrumet si portokalli, kanë aciditet shumë të lartë dhe mund të shkaktojnë dhembje stomaku dhe puçrra në zonën e pelenës, në shpinë, madje edhe në fytyrën e fëmijës. Për këtë arsye është më mirë të prisni që fëmija të mbushë një vjeç para se ta ushqeni me të tilla ushqime.
4.Frutat e thata: Frutat e thata duhet të shmangen gjatë vitit të parë të fëmijës për disa arsye: jo vetëm që shkaktojnë alergji, por janë edhe shkaktare të shumë mbytjeve dhe vdekjeve. Rrugët e frymëmarrjes të një 1-vjeçari janë akoma të pazhvilluara sa edhe një farë e vogël luledielli mund të ngecë në fyt shumë lehtësisht. Sipas një studimi, farat e lules së diellit, janë shkaktare të shumë mbytjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeç.
5.Rrushi: I ëmbël dhe plot vlera ushqyese, rrushi është një ushqim shumë i shëndetshëm për fëmijët, por jo nëse janë shumë të vegjël. Kjo sepse lëkura e rrushit është e vështirë për t’u copëtuar dhe madhësia e tij përbën rrezik serioz për mbytje. Në vend të rrushit, ushqejeni fëmijën tuaj me banane, mollë të copëtuara dhe dardhë./Revistawho.com