Industria e fallsifikimit të veshjeve, këpucëve, çantave dhe aksesorëve të tjerë është kthyer në “art”. Aq shumë është sofistikuar sa edhe brenda vetë fallsifikatorëve çmimi ndryshon në varësi të cilësisë së produktit të fallsifikuar. Por si të mos mashtrohemi si nga shitësit “diskretë” vendas edhe kur jemi jashtë Shqiperisë?
Ka disa sekrete të vogla të cilat po i rendisim më poshtë:
TEGELAT në punimet fallso janë gjithmonë të keqpunuar. Nuk janë të pastër dhe gjithmonë ka fije të dala, të paprera. Tegelat nuk janë të drejtë dhe shpesh janë nyje nyje.
LOGOT apo STAMPAT në prodhimet fallso janë të pavendosura mirë dhe vende vende janë të prera. Vendosja e këtyre logove kërkon shumë kohë dhe mjeshtëri, gjë që nuk realizohet në prodhimet fallso. Shpesh detaje kaq të vogla kalojnë pa u vënë re dhe bëjnë diferencën në njohjen e produktit. Kostoja e vendosjes së tyre në mënyrë perfekte për një linjë të caktuar shkon në mijëra dollarë ndaj dhe fallsifikatorët nuk i vënë siç duhet. Po në logo mund të ndodhë që emri të mos shënohet korrekt si p.sh: “Pravda” në vend të “Prada”.
CILËSIA E MATERIALIT në produktet fallso është e dobët. Edhe ju mund ta identifikoni që në prekje një material fallso, i cili është ndryshe në Itali dhe ndryshe në Kinë.
ZINXHIRAT DHE KOPSAT janë jo cilësore. Kopsat janë më të lehta nëqoftëse nuk bëhen nga material i vërtetë, por janë plastikë e veshur me metal. Ndërsa zinxhirët mund t’i kenë dhëmbët të shtrembër apo prishen shpejt.
AMBALLAZHIMI është një tjetër detaj që bën diferencë të madhe. Në këpucë dhe në çanta amballazhimi ndër të tjera ka edhe kartën e identitetit të produktit. Ka disa fallsifikues që imitojnë edhe kartat e identitetit, por ju mund të tregoheni të zgjuar duke prekur produktin. Përmes prekjes me kujdes të materialit mund të kuptoni shumë.
Kujdes sidomos kur bëni blerje jashtë Shqipërisë. Është shumë e lehtë të mashtroheni nga fallsifikatorët.
Burimi: beautycare.al