Barbana Dini, motra artistit Ergi Dini, i cili u nda nga jeta disa muaj më parë nga një aksident me motorr, ka dalë për herë të parë përpara kamerave. Në një intervistë për ‘Thumb’ në Abc News, Barbana ka treguar për momentin kur mori lajmin e tragjedisë. Ajo rrëfeu se një gazetare e mori në telefon në mënyrë aspak profesionale dhe tërësisht anti-njerëzore. “Jam njoftuar nga një gazetare, e cila më mori për të konfirmuar lajmin që vëllai im nuk jeton më. Nuk mund ta kuptoj si mungon njerzillëku deri në këtë pikë. Kjo ishte spuntoja e acarimit tim. Nuk do ta harroj kurrë atë telefonate!”-rrëfeu e tronditur ajo. Barbana foli gjithashtu dhe për nismën që ka marrë familja e saj ‘Ergi Dini kundër aksidenteve’ për të ndërgjegjësuar të gjithë të rinjtë.