Ka vetëm një javë që Rozana Radi ka nisur një sipërmarrje “Rose by Rozana Radi”, një boutique që tregton veshje për vajzat dhe zonjat. E ftuar këtë pasdite në “Rudina”, Roza tregoi më shumë për këtë sipërmarrje të re, e cila, ndryshe nga çdo projekt tjetër i saj, është krijuar me një dashuri të madhe. Por nuk është e vetme në këtë sipërmarrje. Bashkë me të, si çdo gjë tjetër, është edhe Andeta, motra e saj,
Prej kohësh, së bashku me motrën, Rozi kishte menduar të merrej me një biznes me emrin e të atit, por kjo ishte thuajse e pamundur, meqenëse të dyja motrat punojnë në televizion dhe kohën e kanë shumë të ngjeshur: “Ne kemi pasur dëshirë të kemi një bar me emrin e babit që do të ishte si një shtëpi për të gjithë artistët. Por përkushtimi duhet të ishte i madh. Unë duhet të rrija aty 24 orë. Meqenëse të dyja punojmë në televizion, menduam që të ishte një gjë tjetër…” – tregon Rozi.
E pyetur për marrëdhënien e ngushtë mes dy motrave, Rozana tregon se Andeta ka qenë gjatë gjithë jetës një nënë e dytë për të. Gjatë këtyre viteve, motrat kanë kaluar shumë gjëra të bukura e të trishta bashkë, por janë bërë edhe më të forta nga goditjet e jetës: “Andeta është si një nënë e dytë për mua. Ne çdo gjë e ndajmë bashkë, çdo gjë e kemi bashkë. Mund t’ju duket çudi, por edhe llogarinë bankare e kemi të përbashkët. Jam shumë e lumtur që prindërit më kanë dhuruar një motër dhe lum ato që kanë motra… “ – thotë Rozi për Andetën.
Por nuk e dinte që edhe Andeta kishte një surprizë për të. Në një videomesazh të përgatitur enkas, Andeta, si rrallëherë, foli për marrëdhënien me të motrën: “Si gjithmonë, unë lë punët e mia për të bërë punët e tua… Kemi kaluar shumë gjëra bashkë, kemi kaluar momente të dhimbshme, siç ka qenë humbja e prindërve. Ti je gjithçka për mua… Ne kemi një zemër që rreh njësoj. Ti kërkon gjithmonë vëmendje, madje ma ke kërkuar edhe kur më thua “jam unë e para, pastaj fëmijët e tu…” Ti je dhe do të jesh gjithmonë e para. Edhe atëherë kur më mërzit shumë, aq sa nuk di ç’të bëj nga nervat. Por kush ka motër, e di se sa e madhe është dashuria… Ti për mua je dashuria më e madhe.”
E përlotur nga mesazhi i së motrës, Rozi tha se ishte hera e parë për të që e dëgjonte Andetën të jepte një mesazh të tillë publikisht. Por ajo nuk i ka qejf surprizat: “Nuk do të doja t’i dëgjoja këto, sepse e di sa shumë probleme i kam sjellë. Ajo e di shumë mirë që unë nuk i kam qejf surprizat… Kështu që e di se çfarë e pret pas kësaj” – tha Rozi me të qeshur, pa harruar të thotë se ndihet keq për të gjitha herët kur e ka mërzitur të motrën: “Por nuk do t’i kërkoj falje, sepse unë kështu jam…”/ revistaclass