Histori kur përfundimi i marrëdhënies është kthyer në një shoqëri të mirë
[metaslider id=1122]
Nga Jonida Hitoveizi
Të qenit shokë apo thjesht një shoqëri e gjatë me seksin e kundërt, nga shumë studime konsiderohet si një stad i mirë për ta çuar një çift drejt martesës. Miqësitë që përfundojnë në dashuri janë më të shpeshta, por e kundërta, që një divorc ose ndarje të çojë në miqësi, është, në mos e pamundur, shumë e vështirë për ata që ndahen.
Dashuria dhe shoqëria zvogëlohen, aq sa bëhen krejt të padukshme përpara dokumentit të divorcit. Ditët kur flisje me partnerin si shokë, janë aq të largëta sa duket se asgjë nuk e kthen dot më atë kohë. Aq më tepër në shoqërinë shqiptare, ku divorci ende përjetohet me dramacitet dhe me ndjenja të shumta armiqësore. Madje shpesh partnerët pas divorcit përdorin si hakmarrje jo në pak raste edhe fëmijët. Rastet janë të shumta, por në këtë shkrim ne do të ndalemi tek “ana e mirë” e ndarjes. Atëherë kur dy ish-partnerët vendosin të mbeten miq. E rrallë, por jo e pamundur! Nëse e ke dashur dikur partnerin, pse të jetë kaq e vështirë për të qenë të paktën miq të mirë, edhe pse sigurisht, nuk do të takoheni më përditë si dikur. Ama është e mundur të shijohen sërish ato lloj bisedash e ndarje pikëpamjesh që dikur të çuan të jetoje me të nën të njëjtën çati.
Suela Konjari dhe Fatmir Koçi
Sot nuk janë më të martuar, por janë miq të mirë. Martesa mes dy artistëve ka përfunduar kohë më parë, vetëm pak vite pasi ishin martuar. “Fajin” për këtë miqësi mund t’ia veshësh edhe vajzës që ata kanë pasur nga martesa, por formula magjike për miqësinë dhe respektin pas ndarjes, në të vërtetë duket se është komunikimi i mirë. Kur e pyet për ish-bashkëshorten Koçi, të flet me admirim dhe nuk heziton të bëjë për të komplimente pa fund. Ndërsa Suela nuk heziton asnjëherë të jetë pjesë e momenteve kyçe profesionale në jetën e Koçit. Për Fatmirin, Suela është një mbretëreshë pa të, ndërsa për veten thotë se nuk është bërë për të qëndruar në një martesë. Ndaj me konsensus kanë preferuar të kenë një jetë larg njëri-tjetrit, por më afër se shumë të tjerë që flenë çdo natë nën të njëjtën çati.
Delina Fico dhe Edi Rama
Kanë jetuar bashkë për një kohë të gjatë; një periudhë gati 6-vjeçare, kur Edi Rama ishte pena e artë në publicistikën e kohës dhe Delina Fico, pedagogia simpatike e Fakultetit Histori-Filologji. Pas vitit 1997, Edi Rama u largua për në Paris, ndërsa Delina Fico udhëtoi drejt SHBA-së me një bursë studimi. Arsyet pse martesa e tyre nuk vazhdoi nuk dihen publikisht, por ajo që shihet edhe sot e kësaj dite është miqësia e tyre pas ndarjes. Ndoshta fakti më i qartë publik, për mëri të mosqena e për miqësi si “dita me diell”, është edhe prania e partnerit të Delinës në kabinetin “Rama”, Bledi Çuçi.
Mimoza Ahmeti dhe Aurel Plasari
Vetë Moza Ahmeti e ka konsideruar një martesë-rrufe atë me Aurel Plasarin, në një intervistë të dhënë para disa kohësh. “Ishte një martesë-rrufe, që edhe ashtu mbaroi. Ishte arti ai që na bashkoi dhe temperamenti ai që na ndante”, thotë Moza, e cila ka pranuar se edhe pas divorcit me Plasarin, takohen për të ndarë bashkë biseda të ndryshme. “Ai ka një informacion sa të gjerë, po aq edhe të admirueshëm, nga të gjitha fushat e kulturës abstrakte, një sqimë të një rangu dendi dhe një erotizëm margaritar ndaj leksikut shqip dhe të huaj”, pohon ajo për bisedat me të, duke dëshmuar kështu se ndarja si çift s’mund të jetë një ndarje për së gjalli me tjetrin.
Kur ka vullnet, çdo gjë është e mundur! Edhe miqësia pas ndarjes.
Discussion about this post