Nga RevistaWho.Com / Fotot e Ardi Asllanit: Fadil Berisha / Fotot e Adrola Dushit: Bashkim Hasani
Një hartë e Tiranës në vitet 1930, perëndimi i Durrësit, Pllazha e vjetër në Ulqin, Shtëpia e Lidhjes në Prizren, a muzgu i Butrintit, janë bërë pjesë e koleksionit më të fundit të stilistit Ardi Asllani. “My Albania” e tij përfshin ngjyra, vende, kohë, dritare, kanata, histori e trashëgimi që ndërthurur mes tekstilit e linjave të modeles Adrola Dushi, vijnë në këtë set fotosh si i pari hap i një udhëtimi të gjatë. Stilisti synon që nismën e tij, ta shtrijë më gjerë, jo vetëm në fustane, por edhe në rroba casual, që të bartim me vete kalatë, ujëvarat, kullat, a urat që karakterizojnë qytetet tona.
NISMA
Ardi ndihet i kënaqur që me krijimin e këtij koleskioni, iu dha mundësia të ikë nga realizimi i veshjeve me porosi; porosi për kostumografi shfaqjesh, kostumografi për spektakle a veshje për klientë. “I dhashë vetes sime një hapësirë, për të krijuar në një dimension që duhej të ishte dimensioni i punës së përditshme. Krijimi nga zero, krijimi nga fleta e bardhë me laps karboni, për të mbërritur deri te realizimi final”, – thotë ai për revistawho.com.
Mes nostalgjisë së prekjes së copave, e kënaqësisë për një koleksion të ri, Ardi e nisi projektimin që nga skica, tek përpunimi grafik, mandej te përpunimi i tesktilit, prodhimi i tekstilit sipas përpunimit grafik, printimi e deri në çastin e fundëm, kur gjithë ç’kishte menduar tanimë përvijohej sipas linjave të modeles.
“E kisha në mendje çdo gjë mbi veshjen”, – thotë ai, – “e dija se ku do të vendosej kulla e Sahatit, ku do ishte Mësonjëtorja e parë Shqipe, apo Pllazha e vjetër në Ulqin”.
FOLEJA E “MY ALBANIA”
Ardi thotë se “My Albania” është një titull që është përdorur shumë herë. “Nuk jam unë i pari që e bëj, por ky titull është më gjithëpërfshirësi, ndaj nuk e quaj një zbulim të jashtëzakonshëm. Është përdorur dikur nga Ministria e Kulturës për promovimin e vlerave turistike e ky koleksion është në një farë mënyre, promovim i vlerave shqiptare, por në një formë tjetër”.
Duke i ikur krijimit të një koleksioni “folklorik” me tipare e nota folklorike, çka e kish stërpërdorur që prej ’97-ës, në fillim ai pati një ide më origjinale. Dëshironte ta ndërtonte koleksionin duke përdorur piktura të artistëve shqiptarë mbi këto qytete. Pati menduar t’i ploteronte mbi tekstil ato peisazhe për të krijuar veshjet e koleksionit. Po, u bë e pamundur.
“Në kontaktin e parë që pata me njërin prej artistëve që t’i merrja të drejtën e autorit, t’u them të drejtën, nuk u tregua aq bujar dhe mbërrita në një pikë sa isha gati të hiqja dorë. Duke pasur probleme me të gjallët, mora parasysh se çfarë do të ndodhte me fëmijët e atyre artistëve që nuk jetojnë më për t’u marrë të drejtën e autorit”.
Për shkak të këtij problemi, për një farë kohe ai hoqi dorë fare nga realizimi i koleksionit.
“Qe një shuplakë shumë e fortë edhe pse e kisha marrë me shumë entuziasëm”.
Vetëm tri javë para se do të bëhej sfilata në New York, në muajin mars, pati një Eureka! Vendosi të përdorë fotografi të qyteteve shqiptare, të cilat më pas i punoi grafikisht. Që në provën e parë, me grafikdizajnin, u duk se qenë në rrugë të mbarë.
“Atë natë, erdha në shtëpi shumë i frymëzuar dhe nisa të skicoj, duke krijuar të nesërmen, fustanin e Beratit”, – kujton Ardi.
Tanimë, ai ka krijuar diçka të tijën, që e ka regjistruar. “’My Albania’ tani është regjistruar; imazhet e arkitekturës shqiptare mbi kostumografi mund të përdoren vetëm nga unë, sepse e kam regjistruar në zyrën e patentave. Ky do të jetë fillimi, i një gjëje që mendoj ta zhvilloj më gjatë”.
Duket se e ka që tani në mendje si imazh, kur thotë se ku ka më bukur se sa në një çantë e jotja mbi të cilën shihet një rikonceptim i kalasë së Gjirokastrës, por jo siç është tani kalaja – i ka ruajtur linjat, dritëhijen, por nuk është imazhi i kartolinave të viteve 1980, apo ai i jastëkëve të zbukurimit në odat gjirokastrite. Është e rikonceptuar dhe është ndryshe.
KU TA GJEJMË “MY ALBANIAN”?
Pas sfilatës në New York, Ardi do e ndjente suksesin gjatë setit fotografik.
“Ishim nëpër rrugët e New Yorkut kur po bënim foto me modelen shqiptare Adrola Dushi, me fotografin Bashkim Hasani. Njerëzit ndalonin nëpër rrugë dhe pyesnin, ‘ku mund t’i gjejmë këto veshje dhe çfarë përfaqësojnë ato veshje’. Kur i shpjegoje se në këtë veshje është një qytet, ata reagonin shumë mirë, futeshin dhe kërkonin imazhe të qytetit”.
Në mesin e kalimtarëve, Asllani veçon një çift që interesohej për veshjen me imazhin e Durrësit. “Donin të dinin ku mund ta gjenin ‘online’ këtë veshje”.
Qyteti me port, sipas stilistit është një prej atyre vendeve që dhuron perëndimin më të bukur të botës, madje e krahason me Santorini-n.
“Nga të gjitha qytetet kam marrë veçantitë e tyre. Për Durrësin, mora perëndimin. Më besoni, kam bredhur gjithë botën për pushime, e gjithandej thonë ‘se perëndim më të bukur se ky që shihni këtu nuk ka’, por ju garantoj se perëndim më të bukur se sa ai që ka Durrësi, nuk e ka as jugu ynë. Në jug, dielli fshihet pas maleve, ndërsa në Durrës, ai bie thikë mbi det. Është ndër të rrallat vende që si në Santorini, në Durrës, dielli bie thikë mbi det. Shumë i bukur”. Pas të kuqerremtes së qytetit bregdetar, ai veçon natën e Butrintit, të cilën e ka përzgjedhur mes shumë netëve magjike, prej kujtimeve që ruan nga festivalet që ka ndjekur atje, e nga koncertet në teatrin e tij. “Yjësia e atij vendi, gati-gati është e shenjtë. Krijon një lloj magjie dhe veshja me Butrintitn ashtu është krijuar, me një muzg, në Butrint”.
BARDHEZIA E TIRANËS
Fustani i Tiranës, është mbase ndër më të bukurit. Një linjat e Adrolës, vëren rrugica, rrugina, lagje, Kullën e Sahatit. Në bardhezinë e një harte të 1930-ës, shtrihet e përgjumur historia.
“Jo pa qëllim. Sepse me Tiranën abuzohet si një qytet pa histori, por që në fakt Tirana e ka një hisotri të veten e një fizionomi të veten. Përdora një hartë të vitit 1930, në të cilën shkruhet frëngjisht. Ishte koha kur sapo kishte nisur të krijohej qendra e Tiranës, kompleksi i ministrive, e prapë, ndarjet ishin të qarta, ishte lagjja e Tabakëve, Tirana e Re”. Ndërsa qyteti përvijonte fizionimë që do ruante deri në ‘90-ën pa kullat e kohëve të fundit, Ardi, si tiranas i vjetër, e ndërtoi fustanin me këtë logjikë, “kemi një histori e padyshim, Tirana jonë është shumë e ngjashme me gjithë qytetet e tjera që prej formimit e deri sot”.
Kështu erdhi edhe fustani i Beratit, ku u përdorën fluturat një mbi një, për të dhënë idenë e një mbi një dritareve. Nga dhjetë qytetet e përfshira, dy janë qytetet jashtë Shqipërisë: Prizreni dhe Ulqini. Nga Ulqini ku qielli ka marrë vanilje, është Pllazha e një pjesë e kalasë; nga Prizreni është Shtëpia e Lidhjes, ura kryesore e hamami.
VESHJET PËR ERMONELËN
Ideja e këtij koleksioni do rigjejë skena jashtë vendit. “Kemi biseduar me Ermonela Jahon dhe kemi vendosur që në koncertet vetjake nëpër botë, në çdo dalje, ajo do të ketë të veshur ‘nga një qytet shqiptar’. Është një formë promovimi – Ermonela gjithmonë e ka dashur, ndërsa unë jam gjithmonë partizan i kësaj”, – thotë Ardi Asllani, stilisti që është gjithnjë në kërkim të së bukurës… / revistawho.com