Nga: Eraldo Rexho / Fotot: Artan Korenica / Hair & Make Up: Lili Ismaili / Veshjet: Vjollca Llapashtica / Ambientet: Lili Beauty Salon
Intervista që do të vijojë është realizuar në mbrëmjen e ndërrimit të viteve… Nuk e kisha parashikuar ta kaloja ditën e fundit të vitit me Angela Martinin, njësoj siç ajo nuk e kishte imagjinuar që ky 31 dhjetor do ta gjente në Tiranë. Teksa ngjisja shkallët drejt suitës ku ajo po qëndronte prej një jave, thashë me vete se kushedi sa meshkuj do të donin të ishin në vendin tim. Gjithsesi, dua të sqaroj këtë punën e fatit duke ju thënë se nuk është e lehtë të qëndrosh pranë një femre si ajo. Sapo hyra në derë, edhe këtë herë nuk munguan “dramat” e saj. Kam kuptuar që femrat e bukura e dinë se u lejohet të bëjnë drama për gjithçka dhe e shfrytëzojnë këtë në maksimum, duke qarë me të madhe qoftë edhe pse nuk u rrinë mirë flokët (por Angela nuk është ky rast). Megjithëkëtë, takimi mëngjesin e asaj të enjteje me fëmijët e “Zyber Hallullit” kish bërë që buzëqeshja të mos i hiqej nga fytyra. Folëm gjatë dhe unë ndonëse e kam mikeshë, zbulova një anë tjetër të saj. Angela është shumë e ndjeshme. Këtë nuk e kupton dot kurrë nëse e sheh teksa shpërthen gjithë vetëbesim përpara aparatit fotografik. Ajo ka edhe një anë tjetër; është gjithaq ajo vajza shqiptare së cilës i dridhet zemra kur shikon një fëmijë të pambrojtur. Këtë po më thoshte teksa më tregonte një prej albumeve më të bukur që ka realizuar deri më sot, atë me të vegjlit. Aty e pyeta, si ia bën? Si mund të jetë një “femme fatale” dhe njëherazi kaq e ndjeshme? Më tregoi se kjo është meritë e një femre tjetër, nënës së saj. Kur ishte e vogël, dhurata e parë që mori prej saj ishte liria për të thënë gjithçka si e mendon e për t’i dashur njerëzit pa kushte.
Angela, çfarë të solli këtë herë në Tiranë?
Më pëlqen shumë vendlindja ime, Shqipëria, por e vërteta është që deri përpara 2-3 javëve nuk ma merrte mendja që do t’i kaloja Krishtlindjen dhe Vitin e Ri në Tiranë.
Si është t’i kalosh festat këtu?
Është gjithmonë ndryshe, plot të papritura. Unë nuk e kisha imagjinuar që do të kaloja festa të tilla. Nuk është as mirë, as keq, është thjesht ndryshe dhe unë e shijova shumë.
Si ndihesh kur vjen në vendin tënd?
Përjetoj një mori emocionesh; jam shumë entuziaste, më duket vetja si në një aventurë. Për mua Shqipëria është si një vend ekzotik. Jam e befasuar nga sjellja e njerëzve, nga mënyra se si flasin, nga ushqimi… Jam gjithmonë e kënaqur këtu.
Ti jeton përgjatë gjithë vitit në Amerikë… Cilat janë dallimet që vë re mes njerëzve këtu dhe atyre atje?
Kam idenë që ndryshojnë shumë botëkuptimet, stili i jetesës.
Sa përshtatesh ti në këtë realitet? A ka çaste kur i thua vetes “ç’dua unë këtu”?
Ka pasur raste kur ia kam bërë vetes këtë pyetje, sidomos kur dikush më ka mërzitur, por këtë e them në çdo cep të botës kur më rastisin situata të tilla. Për shembull, më ndodh ta them shpesh në Zvicër: “Prit pak, pse erdha prapë këtu unë?” Sa i takon ndryshimeve, sigurisht që ka ndryshime të mëdha. Ndryshime ka mes Zvicrës dhe Amerikës, madje ka ndryshime edhe mes Los Anxhelosit dhe Nju Jorkut. Por mendoj se unë jam një kameleon, di të përshtatem në çdo situatë, edhe në ato me të cilat nuk jam përballur kurrë më parë. Për një kohë të shkurtër, ndihem si në shtëpinë time. Kjo është aftësia ime. Ndaj për mua është shumë e thjeshtë të ndihem si në shtëpi, në një takim me dy veta, apo në një dhomë të mbushur me njerëz që nuk i njoh.
Si e ke fituar këtë aftësi për t’u përshtatur në çdo ambient, për të qenë e “paftuara” e “ftuar”, me të cilën brenda një kohe të shkurtër duan të rrinë të gjithë… Është e lindur kjo? Ke pasur ndonjëherë turp ti në fëmijëri?
Nuk kam qenë kurrë e turpshme. Nuk mund të them që kam qenë një ndër fëmijët që kanë turp. Unë kam qenë gjithmonë plot vetëbesim. Kjo ka të bëjë me mënyrën si jam rritur, si më ka mësuar nëna ime, e cila dhuratën e parë që më ka bërë ka qenë liria. Më ka lejuar gjithmonë ta them mendimin tim, që në moshë fare të vogël. Një faktor tjetër që mendoj se ka ndikuar është dashuria që kam për njerëzit. Unë e dashuroj psikologjinë dhe përmes librave kam mësuar se nëse në një marrëdhënie njerëzore vihen maska, është e pamundur që ta njohim njëri-tjetrin. Ndaj unë kam vendosur të jem vetja, dhe sa herë takoj njerëz të rinj u kthej përgjigje edhe për pyetje që njerëz të tjerë nuk do t’i mendonin. Ndoshta ka të bëjë edhe me shenjën time të horoskopit; unë jam binjakët, të gjithë e dinë që unë e fus shenjën time gjithandej, por unë dua vetëm t’i njoh njerëzit. Pyes dhe përgjigjem për gjithçka.
A ka pasur një çast kur je zhgënjyer nga gjithë kjo dashamirësi që u jep njerëzve, nga liria që u jep atyre për të të njohur ty ashtu siç je në të vërtetë?
Sigurisht, edhe mua më ka ndodhur shumë herë kjo. Ka pasur raste kur më kanë tradhtuar ose kanë keqpërdorur dashamirësinë time, por unë e kam studiuar këtë fenomen dhe kam arritur në përfundimin se u ndodh të gjithëve. Jam e sigurt për këtë, kjo është jeta. Sigurisht që në njerëz të ndryshëm ka efekt të ndryshëm, por nuk e shmang dot, sado të ruhesh. Unë e kam vendosur që nuk do të bëj pjesë në atë grupim njerëzish që kur lëndohen mbyllen në vetvete. Pavarësisht se çfarë më ndodh, unë do të vazhdoj të jem e njëjta. Sigurisht që do të fitoj instinkte për t’i njohur njerëzit më mirë dhe për të reaguar në situata të ndryshme, por nuk do të ndryshoj, sepse e di që sa më shumë të ruhesh nga kjo gjë, aq më shumë do të lëndohesh në fund. Nëse diçka është shkruar të ndodhë, do të ndodhë… Sado të lëndohesh nga shoqëria, nga i dashuri, rëndësi ka të duash çdo gjë që nuk të ka lënduar më parë. Ky është sekreti i jetës. Në momentin kur mbyllesh në vetvete, humbet veten, nuk e jeton më jetën, e kontrollon atë… Ndaj unë kam vendosur ta lë veten të lirë.
Angela, në një sallë të mbushur plot me meshkuj, e dallon dot ti atë që mund të jetë i dashuri yt, apo ke nevojë të krijosh shoqëri me të në fillim?
Unë e dalloj këtë gjë që në fillim. Nuk ka ndodhur kurrë që dikë ta kem pasur në fillim shok dhe më vonë të kemi përfunduar të dashur. Për të pasur një marrëdhënie është shumë e rëndësishme kimia. Sigurisht, edhe paraqitja për mua do të thotë shumë. Fakt është që të gjithë të dashurit e mi janë më të rinj ose moshatarë me mua, më i madhi me të cilin kam pasur një marrëdhënie ka qenë 36 vjeç. Ajo që më tërheq më shumë është kur një mashkull di si të trajtojë, dashurojë dhe respektojë një femër.
Nuk e di pse, por kam një përshtypje që ti kur e mbyll një marrëdhënie, vendos të mos vuash. Si ia del?
Po, është e vërtetë. Jam eksperte në këtë fushë dhe të gjithë ma bëjnë këtë pyetje: familjarët, miqtë. Disave madje u dukem si aliene. Por mendoj se ka të bëjë shumë me personalitetin tim. Kur unë dua dikë, jam sa e përfshirë emocionalisht aq edhe e logjikshme, pra, nuk përfshihem vetëm me zemër. Në momentin që e dua dikë, ai duhet të më besojë që e dua shumë. Ama, kur mbaron, mbaron dhe pikë. Nëse do ta doja diçka, do të luftoja për të, nuk do ta lija të mbaronte. Më pëlqen të eci përpara, sepse e dua dashurinë dhe jetën.
Pra, ti mendon që njerëzit dashurojnë disa herë në jetë?
Unë besoj te marrëdhëniet “No rules” (Pa rregulla) dhe mbi të gjitha besoj që nuk ka të vërtetë absolute. Mendoj që e vërteta ndryshon. Ajo që ishte e vërtetë dje, nuk është sot. E njëjta gjë ndodh edhe me dashurinë. Gjithsecili prej nesh duhet të shkruajë librin e tij të dashurisë dhe nuk ka pse të ketë rregulla në të. Unë besoj që ka njerëz të cilët gjejnë dashurinë e jetës, sikundër ka edhe të tjerë që nuk e gjejnë. Ka njerëz që më pyesin: “Cilin nga partnerët e tu ke dashur më shumë?” Nuk e di, është njësoj si të më pyesësh kë do më shumë, mamin, babin, apo vëllanë. Unë i dua të gjithë ata, por janë lloje të ndryshme dashurie. Unë mendoj që dashuria është gjithëpërfshirëse dhe gjëja e rëndësishme në dashuri është të mos dëgjoni asnjë, bëni siç ju dikton zemra. Këshilla ime për femrat është: në një lidhje dëgjojini këshillat e shoqeve tuaja, por kurrë mos i merrni parasysh sugjerimet e tyre. Thojeni vetë fjalën e fundit për gjithçka.
A je ndier ndonjëherë e përdorur seksualisht? Ose thënë ndryshe, ke ndier ndonjëherë se një mashkull të ka dashur vetëm për seks?
Jo, sepse unë i njoh shumë mirë meshkujt. Mendoj që unë kam lindur për të pasur në kontroll çdo situatë. Di shumë nga psikologjia e meshkujve dhe këtë duhet ta dijë çdo femër. Unë di gjithashtu që femrat dhe përgjithësisht ato të bukurat, janë të lakmuara nga meshkujt për t’i çuar në shtrat. Në rast se ka femra që nuk e kanë kuptuar këtë, më vjen shumë keq për to. Nëse i jap dikujt mundësi të më afrohet, e bëj sepse më intereson dhe sigurisht që ai bie në dashuri me mua.
Teksa të dëgjoja, më lindi një pyetje; të gjitha këto mendimet e tua, janë të lexuara, të jetuara, të dëgjuara? Njerëzit nuk e njohin Angelën që po njoh unë tani. Ke bërë ti një shkollë për të gjitha këto?
Do të doja shumë të përfundoja një fakultet psikologjie, apo filozofie sepse jam shumë e mirë në këtë fushë dhe i dashuroj të dyja, po aq sa edhe biznesin. Dëshiroj të shikoj në brendësi të njerëzve, por nuk e kam bërë ende një shkollë për këtë, edhe pse nuk jam aspak sipërfaqësore si vajzë.
Atëherë të gjitha këto njohuri i ke fituar nga miqtë e ngushtë, familjarët?
Miqtë e mi janë shumë ndryshe nga unë, por edhe nga njëri-tjetri. Për mua ajo shprehja “më thuaj me kë rri të të them se cili je” nuk është fare e përshtatshme. Megjithatë, tek ata kam gjetur çdo pjesë të personalitetit tim. Unë mund të bëhem si çdo grua e kësaj bote dhe nuk jam vetëm një tip femre. Sigurisht që kanë ndikuar edhe kurset private, librat, udhëtimet, filmat. Unë mund të shoh një film dhe të gjej diçka të çuditshme në të, që fillon të më vërë trurin në punë. Mund të lexoj të njëjtin libër me ty, por me siguri do të gjej një pikë ku nuk do të takohemi. Më pëlqen të bëj pyetje dhe nuk më pëlqen të më thonë se kjo është e vërtetë ose jo, pasi e vërteta jote nuk mund të jetë e vërteta ime. Askush s’di asgjë në këtë botë, të gjithë ne thjesht pretendojmë.
A lexon Angela?
Po, aktualisht po lexoj dy libra njëherësh. E lexova njërin deri te kapitulli i katërt dhe më pas u bëra kureshtare për librin tjetër dhe nisa edhe atë. S’ka rëndësi se çfarë lexon, sepse secili nga ne e krijon vetë të vërtetën e tij.
E ke menduar veten larg modelimit?
Unë jam një femër me nuhatje për biznes dhe deri tani nuk kam ndenjur kurrë në një pozicion, gjithmonë kam menduar e planifikuar për të ardhmen. Modelimi nuk është identiteti im, “Angela Martini është identiteti im”. Nuk kam frikë ta ndryshoj profesionin.
Çfarë të pëlqen të bësh?
Siç e thashë, më pëlqen biznesi, më pëlqen të punoj me njerëz. Gjithçka ka kohën e vet dhe unë i kam disa projekte të rëndësishme për 2016-ën. Ndonjëherë përmes modelimit ti e bën vendin tënd krenar, e promovon atë, sepse je nga Shqipëria dhe ata shohin një vajzë tjetër shqiptare që është atje përveç vajzave nga vendet e tjera dhe kjo mund të shërbejë si motivim për disa… Sa i përket kësaj unë e kam bërë pjesën time, ndaj dua ta përdor këtë për të bërë diçka tjetër.
Me çfarë jeton? Nga puna si modele?
Po, nga modelimi. Unë nuk bëj disa lloje punësh siç bëjnë njerëzit këtu, ose në Zvicër. Nuk punoj ashtu, punë, punë, punë, që të fitoj shumë. Unë bëj një punë, marr shumë para, ajo mbyllet me sukses dhe pastaj bëj një punë tjetër.
A je ndier ndonjëherë e paragjykuar nga njerëzit, sepse në Shqipëri nuk është e zakontë që vajzat e bukura si ty të jetojnë me paratë e veta? Ti bën pushime të shtrenjta, vesh rroba të shtrenjta, jeton në Los Anxhelos që nuk është një vend me çmime të lira…
Sigurisht, shpesh. Njerëzit paragjykojnë dhe të shohin sikur të ishe një vajzë eskorte, ose një gjë e ngjashme. Por kjo nuk është e vërtetë. Kur njerëzit shohin realitetin, pyesin se si ia doli, si shkoi në Majami… Para së gjithash, Los Anxhelosi është një vend më i lirë se Nju Jorku. Pastaj, unë kam pasur fat me miqtë dhe me rrethin e njerëzve që kam pranë. Për shembull, kur kam shkuar në Majami me një “jet” privat, dhe më pas kur shkova në Porto Riko, njerëzit kanë menduar se isha me ndonjë djalë apo kisha dikë që kujdeset për mua, kur e vërteta është se ai ishte i dashuri i një shoqes sime, që e kam fqinjë dhe ka një “jet” privat. Ajo del me të dhe unë shkoj si mike e tyre. Ka njerëz që bëjnë sikur nuk i kuptojnë disa situata. E kam dëgjuar disa herë këtë dhe e kuptoj.
Me anglishten tënde, unë e di që mund të flasim deri nesër. Tani po kuptoj pse kanë dështuar intervistat tona të deritanishme… Sepse kanë qenë shqip, por tani e tutje do të jenë anglisht. Përpara se ta mbyllim, dua të di se cila është marrëdhënia jote me familjen. Vajza që udhëton gjithë ditën, që është nëpër pasarela, në majë të takave, me rroba e bizhuteri të shtrenjta, a i telefonon mamanë e babin çdo ditë, a e merr avionin për të shkuar te gjyshja?
Me mamin flas tri herë në ditë, pavarësisht se ku jam apo çfarë po bëj. Ajo di gjithçka për mua, është shoqja ime e ngushtë…
Gjithçka, gjithçka? Edhe flirtet?
Më shumë se aq, madje.
A të bërtet ty mami?
Jo, në rast se do të më bërtiste do ta bënte vetëm për shëndetin, do të më thoshte se e kam tepruar me ushqimin. Ajo është shoqja ime më e mirë, nuk më ka dënuar kurrë në jetë as kur kam qenë e vogël, as edhe një shpullë. Përpara se të vendos një foto në Instagram ai që do ta shohë i pari është vëllai im, dhe flas gjithnjë me kushërinjtë e mi. Këtë vit kam udhëtuar shumë dhe kam pasur rastin t’i takoj shpesh dhe jam shumë e lumtur. Ata më kuptojnë, sepse unë s’kam marrë leje tek ata që në moshën 18-vjeçare, kur dola e pavarur. Kur vij në Shqipëri e kuptoj se sa të lidhur jemi ne shqiptarët me familjen. Unë s’jam e varur, nuk marr leje, por ama, i dua shumë.
A qan Angela?
Po.
Për çfarë?
Për shumë gjëra, për një film që më trishton, për një zënkë me të dashurin.
Po kur merr vesh një lajm të keq për dikë që e njeh?
Kam mësuar t’i kontrolloj emocionet dhe të jem gati t’i përballoj situatat. Edhe në rast se dikush ka një problem, nuk i them “më vjen keq për ty”, por i them: “Mirë, e ke këtë problem, por bëhu pak optimist dhe duaje shumë jetën dhe gjithçka”. Nuk shkoj të qaravitem bashkë me të. E ndihmoj të luftojë dhe të dalë nga situata ku ndodhet.
Këtë fundvit, bashkë me Bleonën ndërmore një nismë humanitare. Vendose të gëzosh vogëlushët e Shtëpisë së Fëmijës në Tiranë. A emocionohesh kur e vë veten në shërbim ndaj njerëzve në nevojë, të bën kjo të ndihesh mirë?
Mendoj se jam shumë e dhënë pas kësaj ndjesie, pas asaj që ndiej në atë çast. Të bësh njerëzit e tjerë të lumtur është gjë e mirë. Mbase e kam pasur këtë fuqi edhe më parë, por s’e kam kuptuar. Në momentin kur përpiqesh dhe e kupton që fëmijët janë shumë të lumtur, gëzohesh. U blemë lodra dhe hëngrëm drekë me ta, ata ndiheshin të lumtur. Jo vetëm për lodrat, ishin të lumtur që na shihnin ne. Kjo ishte edhe më e bukur. Ishin të këndshme edhe pyetjet që bënin. Disa më pyesnin: “Është e vërtetë që ti ke qenë e lidhur me atë…” Unë thosha: “Çfarë? Ju e dini këtë? Ç’ju duhen ju kësi gjërash?” Ja, këto ishin befasuese për mua. Dhe po, më bëjnë të lumtur këto çaste, sepse të sjellin me këmbë në tokë dhe të bëjnë të kuptosh se ne të gjithë jemi qenie njerëzore. Nuk jam më e mirë se ata, nuk jam më e mirë se askush tjetër dhe në fund të ditës të gjithë jemi njësoj. Është mirë ta kuptosh këtë dhe më vjen mirë që kjo ndodh në vendin tim, sepse unë kam lindur këtu, edhe pse kam ikur kur isha 9 vjeçe. Më kujtohet që edhe unë kam qenë një vajzë nga Shkodra që po ashtu kisha ëndrra. Jam me fat që kam lindur në familjen që kam, jam me fat për çdo gjë që kam pasur, por e imagjinoj se sa e vështirë do të ishte po të mos kisha i pasur këto, sepse edhe duke i pasur prapë ka qenë e vështirë. Mendoj se në këtë planet jemi të gjithë bashkë. Ndoshta vdesim të gjithë në një orë, dhe ja, ky ishte fati. Ndaj, nëse jemi këtu, jemi të gjithë njësoj dhe nuk na kushton asgjë të dhurojmë dashuri.