Nga RevistaWho.Com / Fotot: Pirro Beati / Video: Blerti Talelli / Make Up: Pranvera Metolli
Sivjet në ekranet shqiptare Elvis Pupa solli një frymë të re të të bërit humor, duke drejtuar një nga programet më të suksesshme të sezonit – “M’fal për shprehjen”. Sigurisht që shqiptarët i kishte marrë malli për Pupën e të gjithë karakteret simpatike që ai ka sjellë ndër vite. Por “larg syve, larg zemrës”, dilema nëse do të arrinte Pupa sërish të rifitonte zemrat e shqiptarëve ishte e madhe. Ai jo vetëm ia doli, por i tejkaloi pritshmëritë. E kush nuk ka qeshur me rubrikën e famshme “Burri-gruaja”?! Pikërisht për të gjitha këto e për të kuptuar më shumë për vazhdimësinë e këtij programi, ne vendosëm ta pyesnim vetë Visin. Nuk mund të mos i kërkonin edhe komente për “gratë”. Ai i thotë të gjitha në “revistawho.com“, duke na zbuluar edhe ku do te jetë këtë verë.
Sapo përfundove një nga programet më të suksesshme të sezonit. Kur bëre gati valixhet për të ardhur këtej e prisje këtë rezultat? Sa i trembeshe?
Më kishte marrë malli për publikun dhe shpresoja për anasjelltas. Nuk më ka trembur sepse e kam menduar gjithmonë si kënaqësi dhe mezi kam pritur të rikthehem.
A mendon dhe “Digitalb”-i njësoj si ne? Ta rinovuan kontratën?
Besoj që do rikthehemi në ekranin e platformës ‘Digitalb’ në tetor.
Ishte një kontratë me shumë zero ajo e jotja? Për sa para u ktheve nga SHBA?
‘Digitalb’ gjithmonë ka ditur të të vlerësojë dhe të të prezantojë shumë mirë profesionalisht. Nga ana tjetër, unë dal në skenë kur kam diçka për të dhënë dhe jo domosdoshmërisht kur më duhet diçka për të marrë.
Pse mendon që i bëre kaq shumë për vete shqiptarët, çfarë ke ti që të tjerët nuk e kanë?
Unë nuk kam asgjë që të tjerët nuk e kanë. Thjesht unë i përdor të gjitha aftësitë që kam në funksion të profesionit dhe gjërat që dua i bëj, nuk i lë thjesht në ide.
Sa je lodhur këto muaj?
Shuuuuuumë! Po ç’rëndësi ka kur pëlqehet puna dhe kur ke përpara stinën e verës për pushime.
Rubrika që shënoi rekord në audiencë ishte “Burri- Gruaja”, pse shqiptarët e deshën aq shumë?
Sepse ajo i flet çdo çifti. Janë situata të jetës në çift ku secili gjen veten. Në fund të fundit të gjitha gratë janë njëlloj. E njëjta gjë vlen dhe për burrat.
Sa ka tek Visi i Eglës nga vetë Elvis Pupa? Sa ka nga jeta jote bashkëshortore në ato skenare?
Si pjesë e të njëjtit realitet, ka goxha. Por, çdo përafërsi me persona dhe ngjarje reale është thjeshtë rastësi (qesh).
Martesën me Eglën do e përshkruanim me shprehjen tonë të urtë “Kush të rreh, të do”? A vlen kjo edhe për martesën tënde, atë të vërtetën?
Kush të do, të mirëkupton. Ai që të rreh, e bën këtë se është frikacak dhe trembet se do rrihet në qoftë se nuk e bën i pari.
Nëse do t’i përshkruaje gratë vetëm me 3 fjalë, cilat do të ishin ato?
Nuk dinë ç’duan!
A është gruaja jote fanse e çiftit Visi-Egla?
Ështe fanse dhe kritike e çdo vepre artistike timen.
Të jep ajo sugjerime? Të kritikon?
Gjithmonë. Me shumë sugjerime se kritika në fakt.
Ti dhe Egla jeni kombinimi perfekt për ato role, kaq e thjeshtë sa duket ishte që në fillim?
Unë dhe Egla njihemi që në Akademi dhe kemi performuar në shumë produksione teatrore bashkë. Ajo ështe shumë profesioniste dhe çdo gjë shkon perfekt në sheshin e xhirimit.
Tani që i interviston vetë VIP-at, na kupton ne? E shikon sa e vështirë është…
Shuuuuumë! Prandaj nuk kam ftuar VIP-a, por profesionistë. Ka shumë ndryshim.
Cilën prej atyre intervistave do të veçoje? Kush të ka impresionuar?
Nuk veçoj dot se të gjithë kanë qenë të veçantë, por më simpatikët kanë qenë Florjan Binaj dhe Sinan Hoxha.
Ke zgjedhur të bashkëpunosh me kolegët e vjetër, nuk të pëlqen të eksplorosh talente të rinj?
Në art nuk jemi aq me fat sa në politikë. Aty vërshojnë talentet.
Ermal Mamaqi ka një program pak a shumë të ngjashëm e një tjetër ka nisur edhe Romir Zalla. Nuk po shtoheni ca si shumë?
Edhe restorante ka shumë, por kur shefat gatuajnë menu të ndryshme dhe klientela seleksionohet.
Tani që presim sezonin e dytë, me çfarë merret Elvis Pupa? Do të riktheheni në Amerikë?
Tani merrem vetëm me familjen time të cilës i kam munguar gjatë sezonit. Patjetër që verën do e kaloj në Amerikë. E kam më të lehtë të krijoj në qetësi.
A e ka të vështirë gruaja jote të të ndjekë pas në punët e tua, pa pasur mundësi te ndjekë diçka të veten?
Ajo më ndjek mua dhe pasionin e saj. Duke qenë se është pedagoge edhe ajo e ka verën të lirë dhe koordinohemi në punë dhe pushime.
Tani për mbyllje do të të bëjmë një pyetje tipike shiptare, që kushedi sa shpesh e dëgjoni: Kur do të bëheni me fëmijë?
Pa merak. Kemi plotësuar formularët dhe po presim përgjigjen e aplikimit. / revistawho.com