Kthjellime dhe vranësira të shpeshta dominojnë kushtet e motit në të gjithë territorin shqiptar. Vranësira të dendura do të ketë gjatë mesditës në zonat Veriore ku priten edhe rrebeshe shiu.
Pjesa e dytë e ditës, do të zhvendosë vranësirat dhe shirat drejt qendrës dhe Jugut të vendit duke gjeneruar shira, kryesisht në zonat lindore. Në mbrëmje dhe gjatë natës, vranësirat largohen drejt juglindjes për pasojë, pjesa më e madhe e vendit kalon në kushtet e motit të kthjellët.
Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë gjatë mëngjesit ndërsa një rënie më të ndjeshme sjell mesdita kur pritet që termometri të zbresë në 32 – 33°C.
Era do të fryjë mesatare por herë pas here e fortë, më shpejtësi deri 45 km/h nga drejtimi perëndimor dhe për pasojë, dallgëzimi në brigjet detare mbetet problematik.
Europa
Brigjet Veriperëndimore të Europës dhe gadishulli Iberik mbeten me vranësira dhe shira të konsiderueshëm. Po ashtu, vranësira dhe rrebeshe të shpeshta shiu do të dominojnë kushtet e motit në gadishullin e Ballkanit.
Ndërsa Europa Qendrore dhe Lindore si dhe Veriu i kontinentit dominohen nga mot kryesisht i kthjellët./noa.al