Nga të dyja anët e gadishullit banorët po përgatiten për skenarin më të rrezikshëm. 5,6 milionë banorëve në zonat e evakuimit i është drejtuar thirrja e alarmit. Shumë largohen, autostradat janë bllokuar, benzina mungon.
‘Koha po ikën. Nëse ndodheni në një zonë evakuiimi, duhet të largoheni. Kjo është një stuhi katastrofale, si nuk është parë kurrë më parë”, paralajmëroi guvernatori i Floridas, Rick Scott. „’rma” është tani më e madhe se Flordia. Epiqendra e uraganit u kategorizua sërish në shkallën maksimale të rrezikut, 5. Sipas prognozave kjo stuhi pritet të godasë të dielën në mëngjes me një fuqi ere prej 257 kilometra në orë, raporton Deutsche Welle.
Dallgë tre metra të larta
Për të gjithë bregun jugor të Floridas, nga Atlantiku deri në Gjirin e Meksikës është dhënë alarmi i rrezikut për dallgë deri në tre metra të larta. Të premtën uragani kishte madhësinë e Teksasit, thanë meteorologët. Qindra mijëra vetë po përpiqen të largohen nga zona e rrezikut. Në autostrada bllokimi i trafikut kap disa kilometra. Në shumë vende ka mungesë karburanti. 5,6 milionë vetë jetojnë në zonat e evakuimit, sipas autoriteteve.
Vetëm në Miami, iu është kërkuar 650.000 banorëve të largohen. Kryebashkiaku i metropolit të njohur bëri fjalë për evakuimin më të madh në historinë e këtij rajoni. Ata që nuk largohen po gozhdojnë hyrjet me dërrasa dhe vendosin thasë rëre kundër përmbytjeve të mundshme.
Stuhi me potencial të lartë shkatërrimi
Presidenti amerikan, Donald Trump apeloi tek popullata e zonave të prekura të jenë të vigjilentë dhe të ndjekin rekomandimet e autoriteteve. „Kjo është një stuhi me një potencial historik absolutisht shkatërrues”, deklaroi ai. Si pasojë priten përmbytje deri në brigjet e Georgias dhe Karolinës së Veriut.
Ushtria amerikane ka mobilizuar mijëra ushtarë. 14.000 ushtarë të Gardës Kombëtare janë vendosur në gjendje alarmi. Me një shpejtësi ere 260 kilometra në orë, stuhia „Irma goditi të premten arkipelagun Camaguey në Kuba. Televizioni shtetëror tregoi pamje të shkatërrimit dhe përmbytjeve, por ende nuk dihen qartë përmasat e katastrofës. Miliona vetë, shumë turistë ishin evakuuar më parë.