“Andrra Couture” është emri i një salloni të ri nusërie që i është shtuar kryeqytetit. Ky investim mijëra eurosh është sipërmarrja më e re e çiftit të njohur të showbiz-it, Andrra Destani dhe Sinan Hoxha. Në një intervistë për programin “Lart e Poshtë” ata kanë treguar shumëçka rreth kësaj sipërmarrjeje, por nga ana tjetër nuk i kanë shpëtuar edhe pyetjeve sa i takon jetës së tyre private.
Në “Lart në Poshtë” na keni rrëfyer kohë më parë që do të hapnit një biznes. Ja ku jemi para një fakti të kryer, si ndiheni?
Sinan Hoxha- Ndihem mirë pasi është mundi i një karriere 25 vjeçare. Gjithçka kam punuar në këto 25 vjet është hedhur në “Andrra Couture” dhe s’ke se si të ndihesh ndryshe përveçse mirë.
Kishe kohë që e mendoje një biznes të këtij lloji?
Andrra Destani- Qëkur kam qenë e vogël më kanë pëlqyer shumë fustanet e nusërisë dhe të mbrëmjeve. Kur u fejova me Sinanin dhe erdha në Tiranë, e biseduam dhe doja shumë të hapja një biznes të tillë. Dhe Sinani ma plotësoi dëshirën.
Sinan Hoxha- Në fakt Andrra erdhi nga Gjermania dhe duhej të merrej me diçka. Kjo ishte komplet dëshira e saj.
Në këtë treg që ti po futesh ka shumë konkurrencë, ke frikë?
Sinan Hoxha- Jo, sepse kështu i bie që duhet të këndoj vetëm unë dhe mos të këndojnë të tjerët. Në këtë lloj biznesi që e ka hapur zonja dhe jo unë, ka çdokush vendin e tij. Unë i kam miq të gjithë ata që kanë biznese të tilla, kam bashkëpunuar ndër vite me ta kjo falë edhe profesionit. Ata kanë një stil tjetër, Andrra një tjetër. Përvoja e tyre është e madhe, do mundohemi edhe ne të jemi në nivelin e konkurrencës.
Me cilët stilistë keni bashkëpunuar për këtë sallon?
Kemi bashkëpunuar me një stilist gjerman, gjithçka që shihni në sallonin tonë është prodhuar për “Andrra Couture”.
Pse vetëm “Andrra” dhe jo “Andrra & Sinani”?
Sinan Hoxha: Unë nuk kam punë këtu, ky është biznesi i saj. Sinani s’ka punë me fustanet e nuseve por vetëm me muzikën.
Mos më thuaj që tani do të të mbajë gruaja dhe do të ta bëjë 8 me 2?!
Sinan Hoxha: Deri tani e kam mbajtur unë, tani është radha e Andrrës të më mbajë mua.
Si është i vogli i familjes?
Andrra Destani: Ansi është shumë mirë, rritet shumë shpejt dhe po e shijojmë çdo ditë e më shumë.
Keni festuar tre vjetorin e lidhjes suaj. Thonë që tre vjetori është përvjetor krizash. Ka pasur probleme të tilla çifti juaj?
Andrra Destani: Të them të drejtën mua nuk më duket sikur jemi martuar, më duket ende sikur jemi në fillimet tona atëherë kur kemi nisur marrëdhënien tonë.
Sinan Hoxha: Zemër këto janë fjalë intervistash, thuaj sa herë jemi zënë apo rrahur gjatë këtij viti…(qesh)
Andrra Destani: Ato janë probleme që i ka çdo çift mendoj.
Sinan Hoxha: Unë të kam rrahur ty?! Çfarë po thua ?!… (qeshin)