Nga Olti Curri
E dini pak a shumë sa kushton një këngë, pra produksion i plotë: kompozim, tekst, orkestrim, studio regjistrimi? Jam dakord me disa nga ju që nuk doni ta shihni showbiz-in në aspektin financiar, por duke qenë se numri i kësaj reviste po ju gjen në pushime dhe keni të gjithë kohën e duhur për të shpenzuar, le të bëjmë dy llogari. Pa harxhuar të paktën dy apo tre mijë euro, këngë nuk ka! Tani hidhemi te kostoja për një prezantim në skenën e një festivali. Janë prapë një lumë me euro të shpenzuara, në balerinë, kostume dhe koreografë, pa folur për rastet kur këngëtari fut në skenë motorë e makina që mund të mos jenë pronë e të dashurve aktualë dhe kërkojnë qira më vete. Lista përfshin gjithashtu parukierë e stilistë që duhet të vijnë nga larg, bashkë me tarifa shtesë në bileta avioni ose karburant, e tashmë edhe taksa autostrade në Rrugë Kombi. Besoj se publiku emocionalisht distancohet instiktivisht nga hallet e artistit dhe kërkon thjesht të emocionohet, pa e vrarë kurrë mendjen sa kushton rrëqethja e një balade apo energjia që ndjen nga një këngë me ritëm. Mos shumica e këngëtarëve këndojnë për qejf? Pasi deri tani, nuk ka pasur ndonjë rrëfim zyrtar për të analizuar nëse kostot e këngëve dhe performancave mbulohen krejtësisht nga suksesi, apo mbeten vrima të pambyllura në buxhetin personal. Në fakt, luksin e kësaj moskokëçarjeje duhet ta kenë vetëm këngëtarët dhe stafi që punon për këngën që shkon në Eurovizion, se, tek e fundit, çdo gjë mbulohet nga xhepi i taksapaguesve. Megjithatë, më shumë se këngëtarët, hallin e shpenzimeve e paskam unë, ose, duke e njohur mirë këtë biznes dhe duke qenë pjesë e tij, po bëj reporterin dhe analizën. Në titull përmenda zhveshjen dhe, nëse je lexues i përmbajtjes së kësaj reviste, mendja vetëtimthi të shkon tek hiret e Nora Istrefit. Po me Norën ç’pata?! Në një treg serioz dhe fitimprurës, në një vend ku kapitalizmi do të zotëronte vërtet bizneset artistike, Nora do të ishte biznesi që do të prishte tregun. A ka vlerë të analizoj në terma etikë zhveshjen e Norës? Aspak! Hiret e saj janë pasuri mediatike. Nëse nuk ju kujtohet se ku u zhvesh apo kur, do të thotë që po lexohem nga femra xheloze ose meshkuj të shoqëruar me të fejuarat. Norën këto kohë nuk e kujton askush kur ka dalë e veshur për herë të fundit, madje, të mendosh Norën të veshur (përfshi edhe femrat hetero dhe meshkujt gay), është njëlloj si të mendosh të heshtur Grida Dumën përballë Lorenc Vangjelit të ftuar tek “Opinion”. Që në prezantimin e saj në finalen e “Këngës Magjike”, si fillim Nora bëri të harroheshin kënga, kompozimi, teksti. Në skenë prezantuesit u morën me dilemën shekspiriane të mbathjeve: “I ka apo s’i ka”, pa folur për klikimet, që ua kalonin këngëve që u renditën në vendet e para, dhe komenteve hormonale në “Youtube”, që dukej se po i drejtoheshin Pamela Andersonit në premierën e “Baywatch”. Ndërkohë që koleget, jo vetëm u lodhën fizikisht dhe mendërisht për të goditur në shenjën e suksesit, por edhe shpenzuan ndjeshëm, kur Nora, me një fustan diku tek 500 eurot dhe një trup seksi (duke bërë shkrimin, më doli një foto e Norës në “Mikrofonin e Artë 2006”, ndaj them me bindje se palestra ku ajo shkon e ka çdo cent të merituar!), rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve. Nuk po u besoj klikimeve në “Youtube” meqë shumë këngëtarë janë kundër këtij lloj vlerësimi, po komenteve në “FB”, “Instagram”, apo faqeve të para të gazetave dhe revistave; a mund t’i anashkaloj? Në “Këngën Magjike”, Nora edhe e mori ndonjë fjalë të mirë nga koleget, por pas klipit, ku doli e zhveshur – me një trup drithërues – së bashku me të fejuarin e saj, Robertin, u duk se admirimi mbaroi dhe emocionet miqësore zbritën në llogoret e konkurrencës. Kjo gjë u përsërit edhe në çmimet e fundit “Video Fest”, ku askush nuk kujton se ku shkuan çmimet, apo nivelin e spektaklit. Nora goditi sërish pa mëshirë me trupin dhe fustanin, ku cipa e qepës përballë tij, do dukej si peliçe. Sa kohë do të zgjasë kjo? A duhet të presim që Nora të shëndoshet apo mishi t’i varet? Duhet që këngëtaret të bien dakord: ose të krijohet kategoria “Nora”, ku ajo të mos lihet e vetme në këto dalje me doza të forta sensualiteti, por të rrethohet nga biznese të ngjashme (këngëtare me forma seksi dhe të veshura hollë), ose ta detyrojnë atë që të vishet, pa dëmtuar më shumë ekonomikisht koleget. Tashmë, për një lojë të ndershme duhet që në festivale të nxirret një komunikatë: “Nora në garë dhe nuk është shëndoshur, kujdes shpenzimet për paraqitjet skenike! Ne kujdesemi për xhepin tuaj.” Ndërkohë, këngëtarët meshkuj të bëhen gati mos ky fenomen i prek edhe ata, duke i detyruar të shkojnë më shpesh në palestër sesa në studio regjistrimi.
Discussion about this post