Data 16 maj do të bashkojë në sallën e Pallatit të Kongreseve dashamirës të muzikës së mirë si dhe 4 nga artistet shqiptare që do të interpretojnë hitet më të mira të tyre ndër vite.
“Diva” do të jetë koncerti në të cilin Irma Libohova, Rovena Dilo, Besa Kokëdhima dhe Eneda Tarifa do të risjellin të rikompozuara këngët më të bukura të repertorit të tyre, të shoqëruara nga orkestra simfonike, nën drejtimin e Elton Dedës.
Në një konferencë për shtyp që artistet mbajtën ditën e sotme, u theksua se ky koncert përcjell një mesazh të rëndësishëm lidhur me forcën e gruas dhe rolin e saj në shoqëri, duke pasur parasysh se në qendër të projektit janë 4 femra që kanë lënë gjurmë në fushën e artit.
Këngëtaret njëzëri kanë pranuar dhe konfirmuar se ky koncert do të jetë një zë i fortë për muzikën e mirë dhe të vërtetë.
Ato kanë zbuluar se pas natës së parë, në të cilën do të interpretohen rreth 20 këngë, të kombinuara edhe me elemente show, publiku mund të ketë mundësi të shijojë edhe një natë të dytë.
Të pyetura nga gazetarët në qoftë se “Diva” do të ketë vazhdimësi, Irma ka treguar se dëshira është që projekti të kalojë kufijtë e Shqipërisë, por ky është ende një plan në letër./revistawho.com
https://www.instagram.com/p/BiCFBrVlhD4/