Nga Olti Curri
“Mos u ndal së qeshuri edhe kur të jesh i trishtuar, sepse nuk i dihet kurrё kush mund tё dashurohet pas qeshjes suaj!” thoshte Gabriel Garcia Marquez, ndoshta duke iu referuar vetëm popullit tё tij, me gjak tё ndezur nё trishtim dhe gёzim, pa ditur ndoshta se nё jug tё Ballkanit ёshtё njё popull qё trishtimin e respekton mё shumё se tё qeshurёn. Jo mё kot, nё rrjete sociale apo batuta përsëritet rëndom njё shprehje e dalё nga jeta e natës, – qё pёr shkaqe politike dihet qё lulёzoi pas viteve ‘90-tё, – ku thuhet: “Djemtё nuk kёrcejnё dhe nuk qeshin me tё madhe nё pub apo disco”. Por nёse televizioni ёshtё nё pjesёn mё tё madhe çlodhje dhe zbavitje, shqiptarët mund ta kalojnё lodhjen e ditёs duke u pёrballur me seriozitetin e dhjetëra paneleve talk show (kryesisht politike) qё, nga lodhja, tё transportojnё nё njё tjetёr gjendje, qё quhet sfilitje. Por nёse politika dhe njerёzit qё e bёjnё janё hijerёndё, seriozё dhe aspak buzagaz, pёrse nё hapësira televizive alternative mungon kjo buzёqeshje? Jemi rritur me moderatorё, prezantues, gazetarё, personazhe e balerinё nga televizionet e vendeve fqinje qё mbushin orёt e transmetimit duke ofruar imazhe plot dritё, buzёqeshje, autoironi dhe një ndjenjë lehtësie, krijuar enkas pёr t’i larguar publikut stresin e ditёs. Ndërkohë, tek ne, çdo ditё e mё shumё po harrohet qeshja, apo sekreti i televizionit: personazhe tё qeshur, publik i zbavitur! Keni bёrё llogari sa seriozё janё moderatorёt, gazetarёt, opinionistёt? Madje edhe balerinёt janё turivarur.
Pse kjo frikё nga qeshja, nga drita, nga marrja lehtë e jetёs, tё paktёn nё orёt e transmetimeve televizive apo emisioneve zbavitëse? Mos ndoshta kronika dhe politika kanë imponuar popullin qё tё kapёrdijё vetёm situata dramatike dhe pёr njerёzit e qeshur tё ketё paragjykime si: tralala? Kjo ёshtё dramatike dhe duhet tё ndryshojё sa mё shpejt! Duket sikur publiku toleron të qeshura vetёm nё dy-tri spektakle humori, ku shpesh aktorёt, tё sfilitur pёr tё zbavitur kёtё popull tё lodhur nga situata ekonomiko-politike, marrin etiketimin ‘karagjozë’. Sa seriozitet nё spektakle, nё gara VIP-ash, nё festivale, nё ambiente ku e qeshura, humori, hareja duhet tё jenё zot shtëpie!
Sa pak sportivitet në debate televizive, sa pak autoironi nga drejtuesit e emisioneve, sa pak batuta në gara vallëzimi tё njerëzve tё famshëm, sa tension se mos publiku i gjykon pёr tё lehtё. Stresi pёr tё marrё çmime nё festivale, pikёt maksimale nё gara, pёr t’u dukur tё lexuar, tё shkolluar, tё masterizuar dhe, mbi tё gjitha, seriozё dhe hijerёndё, i ka bёrё tё kalojnё shpeshherë kufirin e tё qenurit antipatik.
Nuk presim qё Aida Shtino tё tregojё barsoleta dhe tё qeshё vend e pa vend, por edhe nga njё prezantuese emisioni pasditeje nuk presim tё jetё e zymtё si Zonja e Parё e SHBA-ve pas lajmit se kanë sulmuar Shtёpinё e Bardhё. Pikёrisht ata qё duhet t’i mёsojnё kёtij populli tё buzёqeshё, nё mos pёr t’i harruar problemet, pёr t’u bёrё ballё atyre me shpirtin pozitiv! Seriozitetin le t’ua lëmë ushtarakëve, kirurgëve dhe kërkuesve shkencorë, tё cilёt shpesh janё plot humor dhe ke qejf t’i dёgjosh sa tё lirshёm janё pёrballё kamerave. Edhe vetё Papa Françesku ishte gjatё gjithё kohёs buzagaz, krahasuar me ata pushtetarё qё e pritёn dhe dukej sikur pёr pak do zbrazeshin nё vaj.
Televizori nuk ёshtё katedër universitare; njerëzit mёsojnё dhe edukohen nё familje, shoqёri dhe shkollё. Ata qё kapin telekomandën, duan tё largojnё andrallat nga koka, duan tё ikin nga realiteti dhe tё zbaviten, me personazhe tё kёndshёm e tё qeshur, nga ata qё po t’i takoje rrugës, do tё doje t’i kishe miq e t’i fusje brenda nё shtёpi.
Discussion about this post