Këtë vit në Festivalin Europian të Këngës, do të ngjiten në skenë tre shqiptarë, që në fakt përfaqësojnë tre vende të ndryshme. Eugent Bushpepa që përfaqëson Shqipërinë me këngën ‘Mall’, Ermal Meta që do të përfaqësojë Italinë dhe Eleni Fouriera përfaqësuese e Qipros. Kjo e fundit mund të themi se këto kohë ka qenë ndër personazhet më të diskutuara në mediat shqiptare dhe greke, përsa i përket origjinës.
Në fillimet e karrierës në Greqi, Eleni u prezantua si meksikane, sepse nuk dëshironte të binte pre e racizmit grek. Më pas ajo e pranoi origjinën e vërtetë dhe tani del e flet hapur si shqiptare. Pak ditë më parë, Eleni së bashku me Eugentin u shfaqën bashkë në një fotografi, në të cilën shihej se me duar kishin formuar simbolin e shqiponjës dykrenare.
Por duket se ky gjest nuk është pritur fare mirë nga populli dhe një pjesë e mediave greke. Në një emision është diskutuar gjatë kjo fotografi dhe madje thuhej se është bërë për të dhënë idenë e “Shqipërisë së Madhe”. Pas gjithë këtyre reagimeve të ashpra, kuptohet dhe arsyeja pse Eleni e ka mbajtur të fshehtë origjinën e saj për një kohë aq të gjatë. /revistawho.com