Një ndër historitë që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishte historia e një nëne të cilën jeta e kishte sprovuar me dhimbjen më të madhe. Majlinda ishte personazhi kryesor e cila për pasojë të një aksidenti tragjik kishte humbur djalin e saj.
Historia kishte nisur në vitin 1991 kur ajo ishte bërë nënë e një djali. Vite më vonë kishte sjellë në jetë edhe një vajzë. Por djali i saj me kalimin e kohës kishte filluar të kishte probleme shëndetësore, derisa një ditë ai kishte humbur jetën në një aksident fatal. Kjo gjë e kishte lënduar shumë Majlindën e cila nuk e kishte marrë dot veten nga kjo tragjedi.
Humbja e djalit në një moshë të vogël kishte bërë që Majlinda të kalonte në depresion, duke lënë gjithçka pas dore, si veten ashtu edhe familjen. Ishte Klea, vajza e saj, e cila ishte kujdesur për të dhe për babanë e saj.
Për këtë arsye Majlinda i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur” për t’i kërkuar falje dhe për ta falenderuar Klean për mbështetjen dhe ndihmën që ajo i kishte dhënë.
Ajo iu drejtua Kleas me këto fjalë: “Mami ka shumë për të të thënë, por kur të kam përballë nuk di se nga t’ia nis. Je oskigjeni i mamit dhe i babit. Mos ki merak asnjëherë për ne, por unë të jam borxhlie për çdo hall që të ra mbi shpinë. Ti nuk je vetëm, e gjithë familja është aty për ty”.
Ndërkohë përgjigjja që erdhi nga Klea ishte: “Nuk keni arsye se pse më kërkoni falje, ajo që ndodhi nuk ishte në dorën tonë. Mos kërkoni falje, sepse unë kam kaluar një fëmijëri të bukur. Ju falenderoj për dashurinë dhe mirënjohjen që më keni dhënë”.