Aksesori më i mirë që mund të keni gjatë kësaj vere është një lëkurë e shndritshme dhe plot vitalitet. Fatkeqësisht për shumë prej nesh, gjatë kësaj stine, ndodh përjetimi i pakëndshëm i njollave nga dielli apo hiperpigmentimeve të lëkurës. Pigmentimi i lëkurës ndodh atëhere kur kemi shtim të prodhimit të melaninës, e cila është një situatë që mund të nxitet nga faktorë të ndryshëm, duke përmendur predispozitën genetike, çrregullimet hormonale, stresin dhe dëmtimin në lëkurë, por një nga faktorët madhorë mbetet gjithnjë ekspozimi në diell. Hiperpigmentimet në lëkurë, veç dukjes jo të pëlqyeshme që japin, humbjes së shkëlqimit dhe vitalitetit, janë dhe nga situatat më të vështira për t`u trajtuar, ndaj është shumë më i rëndësishëm parandalimi i shfaqjes së tyre.
Dermatologia Migena Gega jep disa këshilla për të kuptuar më shumë mbi hiperpigmentimet e lëkurës, dhe disa masa për trajtimin dhe parandalimin e tyre:
1. Gjeni shkakun e hiperpigmentimeve. Ka tri lloj hiperpigmentimesh:
- Melasma. Ky tip hiperpigmentimi shkaktohet nga çrregullimet hormonale, dhe është një gjetje e zakonshme gjatë shtatëzënisë. Mund të vijë gjithashtu si shkak i disfunksionit të gjendrës tiroide, dhe efekt anesor i terapisë me kontraceptivë orale.
- Lentigot solare. Njihen gjithashtu si njolla të plakjes, të cilat gjenden gati 90% tek personat me moshë mbi 60 vjeç, të shkaktuara nga ekspozimi ndaj rrezeve UV.
- Hiperpigmentimi post-inflamator, i cili ndodh pas patologjive të lëkurës si psoriasis, djegie, akne,si dhe pas disa trajtimeve specifike të lëkurës.
- Diskutoni situaten tuaj me mjekun dermatolog dhe merrni mjekimin përkatës. Të nevojshëm për trajtimin e hiperpigmentimeve,janë preparatet me “alfa hidroksi acide” dhe ato me përmbajtje retinoidesh, të cilat bëjnë eksfoliacion të lëkurës dhe rinim të saj. Disa nga preparatet kanë këto përbërës:
- Hydrokuinone
- Acid kojic
- Acid Azelaic
- Acidi mandelik
- Provoni një preprat që mund të përdoret dhe në kushtet e shtëpisë. Të tillë përbërës të njohur për efektet e tyre depigmentuese mund të jenë:
- Vaji i trëndafilit
- Kastraveci ose lëngu i tij
- Lëngu i limonit
- Aloe vera
- Patatja
- Uthulla e mollës
- Avokado
- Banane
Disa maska me përbërës natyralë që mund të përdoren në kushte shtëpie:
- Maskat me permbajtje limoni janë të vlefshme në sajë të vitaminës C që ai përmban, e cila njihet si antioksidant dhe depigmentues i fuqishëm.
- Shtrydhni lëng limoni të freskët dhe aplikojeni në lëkurë me një pambuk. Lëreni 10-15 min, pastaj shpëlajeni me ujë të bollshëm. Ndiqeni këtë procedurë 2 herë në ditë për disa muaj, derisa të shihni përmirësim të dukshëm.
- Një mënyrë alternative për të përdorur limonin, është kombinimi i lëngut të tij me mjaltin për të krijuar një lloj maske, e cila aplikohet në lëkurë dhe lihet të veprojë për 15 min, pastaj shpëlahet fytyra me ujë të vakët e të bollshëm. Kjo procedurë mund të përsëritet një herë në javë për disa muaj.
- Kujdes!! Personat me lëkurë të ndjeshme duhet të hollojnë lëngun e limonit me pak ujë përpara përdorimit.
- Merrni në konsideratë një procedurë jo-ablative të kryer nga profesionisti, në përputhje me lëkurën tuaj dhe stinen që kryhet:
- Peeling kimik
- IPL (Intense pulsed light) terapia,e cila kryhet nga profesionisti i kualifikuar
- Terapia me lazer
- Parandalimi i hiperpigmentimit të mëtejshëm:
- Limitoni kohën tuaj të ekspozimit në diell dhe nxirrjen artificiale. Përdorni masa të tjera mbrojtëse si kapelet e diellit dhe syzet.
- Është shumë i rëndësishëm aplikimi i kremit të diellit, pavarësisht nëse nuk i pëlqeni erën apo teksturën.
- Merrni në konsideratë medikamentet që po përdorni, pasi disa prej tyre, përfshirë medikamentet me përmbajtje hormonesh, mund të shkaktojnë hiperpigmentime në kohën që ju ekspozoheni në diell.
- Bëni kujdes me trajtimet profesionale që ju beni, pasi një shkak i hiperpigmentimeve është dhe hiperpigmentimi post-traumatik i lëkurës. Pergatiti: Dr. SHk. Migena Gega