Lajmet për ngacmime seksuale janë bërë shkak për nisjen e shumë lëvizjeve që kanë bashkuar femrat në çdo cep të botës kundër këtij fenomeni. Goditja më e rëndë i erdhi kinematografisë vitin e kaluar kur një nga regjisorët më të njohur në Hollywood, Weinstein u akuzua nga shumë aktore për ngacmime seksuale. Tashmë pjesë e akuzave është bërë edhe Morgan Freeman, fituesi i Oscar dhe një nga njerëzit më me ndikim në botë.
8 femra kanë lëshuar deklaratat e tyre për CNN duke treguar për ngacmimet seksuale nga aktori gjatë xhirimeve të filmave ku ai ka qenë pjesëmarrës, nga viti 2013 deri në 2017. Një asistente e re ka thënë se për muaj me radhë ai e prekte pa leje dhe bënte komente të pahijshme mbi pamjen e saj apo veshjen. 80-vjeçari i kontaktuar nga ‘The Hollywood Reporter’ ka dhënë një deklaratë, ku ka kërkuar ndjesë publike. “Të gjithë ata që më njohin e dinë që diçka të tillë nuk do e bëja kurrë me qëllim. Asnjëherë nuk do prekja dikë pa dëshirë, por të gjithë ata që janë ndjerë të ofenduar nga një fjalë apo veprim i imi ju kërkoj ndjesë për mungesën e respektit. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im”, ka thënë ai./revistawho.com