Nga Rudina Laka\ Ushqimi, sidomos kur merresh me aktivitet fizik është më shumë se gjysma e rezultatit që duam të arrijmë. Por si ushqehet një sportiste? Cili është regjimi i saj ushqimor? A tundohet ajo nga ushimet me shumë kalori dhe si ja bën për të mos u ndjerë fajtore?
Klodiana Shala ka treguar për ‘revistawho.com’ se çfarë përfshijnë vaktet e saj ushqimore si dhe këshillat që duhet të ketë çdokush parasysh, për të pasur një trup dhe një mendje të shëndetshme.
Çfarë konsumon përpara dhe pas palestrës?
Përpara palestrës është e thjeshtë se unë stërvitem pasdite, rreth orës 16:30, kështu që është pas drekës. Gjatë stërvitjes veçanërisht në periudhën e verës përdor lëngje pasi temperaturat janë të larta dhe ndodh dehidratim i trupit. Pas palestrës përdor 1-2 kuadrata çokollatë të zezë.
Çfarë nuk konsumon asnjëherë përpara apo pas stërvitjes?
Për faktin që kam një regjim të rregullt, kjo edhe për arsye se gjatë gjithë periudhës që garoja çdo gjë e kisha me orar gjumin, zgjimin, ushqimin, stërvitjen, nuk është diçka specifike po është e sigurtë që asnjëherë afër orarit të stërvitjes dhe menjëherë pas saj.
Në çfarë rasti e prish regjimin? Domethënë ushqimi që të tundon dhe nuk i reziston dot?
Kjo është një pyetje që nuk e prisja dhe përgjigjia ndoshta do ju habisë. Edhe për mua si profesioniste është e vështirë t’ju shmangem disa tundimeve, në rastin konkret dhe jo pak herë ka ndodhur që unë të prish edhe regjimin tim ditor, nuk mund t’i rezistoj pilafit me pulë, është pjata ime e preferuar.
Çfarë bën Klodi pasi ka ngrënë një vakt jo të shëndetshëm që mund ta bëjmë të gjithë për të mos u ndjerë fajtor?
Kjo është e thjeshtë, 45-60 minuta vrap dhe jam në rregull, hahaha.
Çfarë zgjedh të konsumojë Klodi kur e merr uria edhe pse mund të kesh ngrënë vaktin e planifikuar?
Siç e përmenda pak më sipër është e rëndësishme që në vaktet tona kryesore të mos shkojmë të uritur dhe të mos ngrihemi të ngopur. Prandaj unë kam disa alternativa se çfarë përdor gjatë ditës ndërmjet vakteve ku mund të permendim: Jogurt me mjaltë, fruta të thata, lëng frutash, çokollatë, etj.
Përdor suplemente apo proteina? Çfarë u këshillon të gjithë atyre që duan të formojnë trupin lidhur me përdorimin e tyre?
Në kohën kur stërvitesha në mënyrë profesionale kam përdorur proteina dhe vitamina pasi organizmi është gjatë gjithë kohës në stres dhe ka nevojë për shumë energji të cilat jo gjithmonë i marrim nëpërmjet ushqimit normal, mjafton t’ju përmend faktin se konsumi në 24-orë ishte afërsisht 7000 kalori. Ndërsa tani që stërvitja ime ka komplet objektiva dhe qëllime të tjera, sigurisht që nuk i kam të nevojshme pasi nëpërmjet ushqimit i marr kaloritë e nevojshme.
Dikush dëshiron të ketë një trup të tonifikuar për maksimumi tre muaj? Çfarë i këshillon lidhur me ushqimin dhe formën e stërvitjes?
Kjo është një pyetje që i përshtatet shumë realitetit shqiptar fatkeqësisht. Atëhere askush nuk mund dhe nuk duhet të pretendojë të bëjë trup për 3-muaj, kjo pasi nuk ka për të ndodhur kurrë. Nga ana tjetër stërvitja nuk duhet parë si një mënyrë ku ne për një periudhë të shkurtër duam të zhvillojmë disa forma. Baza e saj eshte shëndeti dhe për të qenë sa më efikase ajo duhet të jetë pjesë e jetës. Përsa i përket faktit në qoftë se duhet të përdorin apo jo suplemente për të arritur më shumë rezultate më duhet t’ju sqaroj se baza për të arritur ato janë: të qenurit sistematik, metoda e stërvitjes dhe saktësia e ekzekutimit. Pastaj marrim apo jo suplemente ka të bëjë me disa faktorë si: ngarkesa e stërvitjes, mënyra e të ushqyerit, lloji i punës, probleme të ndryshme shëndetësore, etj. Gjithsesi theksoj për një njeri që ka një stil jete të normalizuar, suplementet janë mendimi i fundit që duhet t’ju shkojë ndërmend./revistawho.com