Qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur sot në Tiranë te Qendra Kulturore e Katedrales Ortodokse, në Festivalin e Rinisë për Drejtësi Sociale, që organizohet për të dytin vit radhazi nga “World Vision”.
Të rinjtë treguan përmes dëshmive jo vetëm vështirësitë me të cilat ata përballen, në familje, shkollë apo në komunitete, por edhe sesi ata ia kanë dalë që t’i kalojnë vështirësitë.
Në festival marrin pjesë mbi 300 të rinj nga i gjithë vendi, që përfaqësojnë mijëra të rinj të tjerë, të cilët janë bërë bashkë për sisteme dhe struktura të drejta, për fëmijët më vulnerabël.
Këtë vit “Festivali i Rinisë për Drejtësi Sociale” ka si kauzë të tij, lançimin e fushatës kundër dhunës ndaj fëmijëve.
Në mënyrë periodike, World Vision bën publike të dhëna mbi situatën e mirëqenies së fëmijëve në Shqipëri. Raporti më i fundit i World Vision për ‘Mirëqenien e Fëmijëve’ për periudhën 2016-2017, tregon se 70% e fëmijëve kanë përjetuar një formë dhune gjatë vitit. Dhuna fizike dhe ajo psikologjike janë format më të përhapura të dhunës ndaj fëmijëve. Po ashtu, 80% e prindërve ose kujdestarëve raportojnë se kanë përdorur dhunë të paktën një herë gjatë vitit si mjet disiplinimi dhe 39.7% e prindërve raportojnë se i kanë neglizhuar në ndonjë mënyrë fëmijët e tyre. Gjithashtu, shqetësuese paraqiten edhe të dhënat për nivelin e dhunës në shkollë. 50% e fëmijëve raportojnë se nuk ndihen të sigurt në ambientet e shkollës.
Ky Festival synon që të krijojë një lëvizje rinore, e cila do të nxisë ndryshimin e sjelljeve dhe qëndrimeve, lidhur me dhunën ndaj fëmijëve dhe të rinjve, në mënyrë që ata të mund të rriten në komunitete të sigurta e gjithëpërfshirëse./revistawho.com