Këngëtarja Aurela gaçe, përveç performancave të saj “live” çdo fundjavë në “Crazy Calvin”, ka dhe një mënyrë tjetër për të qenë shumë pranë fansave. Thuajse çdo ditë ylli i muzikës shqiptare ndan në rrjetet sociale (aty ku e ndjekin me mijëra njerëz) eksperiencën e jetës, ndodhi, gëzime, falenderime por shpesh edhe reagime karshi gjërave që e shqetësojnë. Aurela flet me një gjuhë të lirë, dhe përpiqet që përmes shembullit të saj t’u vijë në ndihmë të tjerëve. Këtë ka bërë edhe në rrëfimin e fundit, përmes një statusi të gjatë shoqëruar me këtë foto. Këngëtarja tregon për vështirësitë që ka kaluar, mënyrë e pazakontë që gjeti për të dhënë dashuri e çfarë e ndihmuan të bëhet ajo sot, nëna, bashkëshortja dhe artistja e sukesshme. “Kisha një kukull bebe (nuk di gjë pse e bleva) por di që e merrja me vete kudo, madje madje ja qepja vetë edhe rrobat që të kombinoheshim bashkë. Po mundohem të kuptoj veten, pasi isha rreth 26 vjeç ( Mos gaboj viti 2001). E kisha jetën të mbushur plot, nuk pushoja kurrë, recitale, albume, shkolla, festivalet, klipe, pune e përditshme për t’i arritur ato që doja… Por “Pufi” (kukulla) ç’donte me mua? Ndoshta sepse doja dashuri, sepse kisha nevojë të kujdesesha për të dhe të mos më kërkonte asgjë mbas, Ndoshta ngaqe nuk fliste, nuk qante, nuk me gjykonte… Nuk më bënte të ndihesha se ishte diçka gabim me mua (sepse përditë ndihesha çuditshëm karshi njerëzve që hasja në rrugë. Kishte nga ata që më donin kështu, por kishte shumë brutalë që më etiketonin si “të çmendur e debile” vetem e vetëm se vishesha e krihesha çuditshem për shijet e tyre, brutalë sepse degjoja shumë sharje ne rruge, të drejtëpërdrejta). E paçka se isha e qeshur e me energji, brenda diçka ndoshta kishte nevojë për përkëdhelje, për pranim të asaj të vërtetës, pa kërkuar modifikime. Paçka se mund të përkëdhelesh një lëkure, nuk do të thotë se arrin deri tek shpirti. Ka kaluar neper shume faza ky shpirt, të mira e të keqija. Deri sa ka arritur në piken kur pranoi veten. Derisa kuptoi se s’kishte asgjë të çuditshme me të përveç faktit se Zoti i dha nji shpirt ti liri. Ndoshta jane edhe këto arsyet, por ndoshta dëshira për të qenë nënë ishte përzier me ndjesitë e tjera. Nuk e di mirë arsyen pse, por di që isha shumë mirë nga trutë. Përndryshe nuk do të mundja të bëja asgjë nga ato që doja. Isha shumë e qartë dhe e vendosur. E di mirë pse po ju lë te lexoni të brendshmen time, me koshience të plotë. Çdo njeri, çdo femër lufton për më të mirën, për të qenë ‘ok’ me familjen, përballë shoqërisë, mundohet të jetë “in” me atë që e rrethon, humb përdite nga vetja për të arritur “dashurinë” duke ndryshuar në pamje, në sjellje. Ju lejoj të lexoni pak nga e brendshmja sepse jam më shume se “dikush që këndon”. E mbase me atë që tregoj, i jap pak forcë dikujt. Imagjinoni çfarë mund të ndodhte me jetën time nëse nuk do ta doja veten? Unë e di përfundimin. As ëndrrat për skenën nuk do t’i realizoja dot, e nëse do të ndryshoja sipas dëshirave të atyre “që më donin” patjetër sot do të kisha një familje të palumtur, një jetë bosh, sepse do ta kisha dorëzuar veten për të qenë diçka tjetër”, ka shkruar Aurela Gaçe.