Zgjidhja e mbipeshës dhe obeziteti është kthyer në një sfidë madhore të shëndetit global. Faktikisht nuk është i vetmi problem, një problem tjetër dhe më i madh është mbajtja e peshës së rënë pas një diete dobësimi. Pse njerëzit arrijnë të dobësohen, por e kanë të vështirë të mbajnë peshën nga kilogramët e humbur?
Sipas studiuesve, rënie e suksesshme në peshë konsiderohet ajo prej 10% të peshës trupore, ndërsa mbajtje e suksesshme konsiderohet për të paktën një vit. Për disa studiues të tjerë është 3 vjet e sipër mbajtja e suksesshme.
Çfarë ndodh me njerëzit që mbajnë një dietë dobësimi? A arrinë ata ta mbajnë peshën aktuale pas kilogramëve që kanë hequr?
Sipas analizave dhe studimeve të shumta mbi këtë temë ndodh kështu:
Në 6 mujorin e parë kemi rënien më të madhe në peshë, në 6 muajt e parë rënia është nga 5-8 kg mesatarisht. Në një vit kjo peshë konsolidohet në 5-7 kg, dhe pas 2-3 viteve pesha e humbur është diku tek 3kg. Metodat më efikase deri më sot konsiderohen: dietat dhe aktiviteti fizik, të dyja të kombinuara.
Studiuesit thonë se dietat drastike janë shumë rezultative, ndoshta nga më rezultativet, por vetëm për 6 muaj. Dieta e ekuilibruar dhe aktiviteti fizik kanë të njëjtin efekt sikurse marrja e mjekimeve të aprovuara për dobësimin. Vetëm dieta, ka më pak rezultat se sa kur ajo shoqërohet me ushtrim fizik, por vetëm ushtrimi fizik ka akoma më pak rezultate se sa vetëm dieta. Dhe si përfundim të gjitha ndërhyrjet: dietë e shëndetshme apo drastike, me apo pa aktivitet, me apo pa mjekim pas 4 vitesh takohen në të njëjtën pikë, në atë të rimarrjes së kilogramëve mbrapsht.
Po përse njerëzit nuk arrijnë ta mbajnë peshën që kanë pas kilogramëve që heqin?
Ka shumë faktorë, prishen shumë ekuilibra që tentojnë të kthehen mbrapsht, por përgjigjen sot nuk do ta gjejmë tek ata që nuk ja dalin ta mbajnë peshën, por tek ata qe ja dalin mbanë dhe arrijnë që peshën aktuale pas kilogramëve të hequr ta mbajnë gjatë, dhe këta janë pakicë por janë.
Çfarë të përbashkët ka? Cili është çelësi i suksesit të këtyre njerëzve?
Ajo që duket të ketë rezultat është ndërhyrja në stilin e jetesës dhe ndryshimi i përhershëm, jo i përkohshëm i zakoneve tona dhe mënyrës se si ne jetojmë. Pas shumë vëzhgimesh dhe vlerësimesh studiuesit kanë arritur të rendisin disa zakone të ‘holla’ të përbashkëta të gjithë njerëzve që kanë arritur të mbajnë peshën aktuale me sukses. Ato janë këto:
- Konsumi i rritur i fruta perimeve
- Kufizimi i ëmbëlsirave dhe produkteve me shumë yndyrë
- Kushte të përshtatshme te konsumit të ushqimit: e ngrëna në tryezë, e ngrëna ngadalë dhe jo shpejt, jo në këmbë por ulur dhe jo duke parë televizor, por duke qenë i përqendruar tek ushqimi.
- Aktiviteti fizik, 90% e njerëzve që kanë mbajtur dietë kryejnë të paktën 1 orë në ditë ecje dhe 75% shohin më pak se 10 orë televizor në javë, ndërkohë që kanë ulur orët e të qëndruarit ulur dhe kanë rritur aktivitet spontane si: ecja, ngjitja e shkallëve, noti.
Nëse do i ndanim sipas gjinisë ajo që duket se do ndihmonte burrat është:
Regjimi i rregullt i vakteve, angazhimi në gatim, përqendrimi në ushqim dhe moskryerja e aktiviteteve paralele të tjera si dhe e ngrëna në shtëpi. Ndërsa gratë duket që i ndihmon shumë për të mbajtur peshën aktuale konsumi i rregullt i mëngjesit. Lloji i dietës nuk ka aspak rëndësi në mbajtjen e peshës aktuale pas kilogramëve të hequr, ajo që ka ndikim kryesor është ndërhyrja në stilin e jetesës./revistawho.com