Jeta pas martesës dhe largimi nga modelingu. Drejtimi i ri që i ka dhënë jetës dhe një surprizë e madhe që pritet të ndodhë…
Nga RevistaWho.Com / Make Up Artist: Lili Ismaili
Entuziaste dhe e lumtur sikur kjo të ishte dita e dytë pas martese. Me një optimizëm ngjitës dhe me ide të qarta për të ardhmen. Kjo është Angela Martini, një vit pas celebrimit të saj surprizë. Ndërkohë që fotot e ceremonisë së sajuar aty për aty janë ende të freskëta, pikërisht prej rrjedhës së pazakontë të ngjarjeve (por edhe veshjes e gjithçka tjetër), Angela tregon se asgjë nuk ka ndryshuar në jetën e saj. Njësoj e dashuruar, me të njëjtin ritëm jete, me një bashkëshort që e adhuron e i bën surpriza çdo ditë, ka kaluar ky vit i parë si bashkëshortja e Dragos. E vetmja gjë për të cilën zor se do të dëgjojmë të flitet sërish është modelingu. Me këtë Angela Martini i ka mbyllur hesapet. Por jo për të bërë pushim tani e tutje. Përkundrazi. Gjatë kësaj kohe Angela ka qenë më aktive se kurrë dhe në disa fusha që pakkush mund ta ketë menduar. Fjala vjen ka realizuar ndërkohë dy filma dokumentarë që do të transmetohen këtë vit dhe surpriza më e madhe: do të jetë autorja e një libri. Doni të dini më tepër për vajzën e famshme shqiptare? Epo rehatohuni në divan dhe lexoni me nge, sepse në këtë intervistë Angela tregon çdo të re të jetës së saj, pas martese…
Angela po ritakohemi plot një vit pas martesës tënde surprizë. Si po shkon jeta martesore?
Kur u martuam ishte një surprizë për të gjithë, madje dhe për ne… Martesa ka kuptimin e saj, por përfundimisht e jona është tërësisht ndryshe. Sigurisht që vlerat janë aty, por në të njëjtën kohë martesa jonë është komplet e paparashikuar, e mbushur me çmenduri, ëndrra, projekte dhe punë në grup në të njëjtin nivel, ashtu siç e duam ne! Për më tepër të dy ne jemi të dashuruar me të panjohurën.
Thonë që martesa është si një kala ku ata që janë brenda duan të dalin, ndërsa ata që janë jashtë duan të hyjnë brenda… Thënë ndryshe, më mirë beqare apo e martuar?
Varet. Nëse je me personin e gabuar, sigurisht që është më mirë të jesh “single”. Nëse je në një marrëdhënie të tillë, më mirë të jetosh momentin! Sa më shpejt të jetosh jetën, aq më shpejt gjen njeriun e duhur. Por nëse je gati dhe me fat të gjesh gjysmën tënde më të mirë, atëherë përfundimisht duhet të martohesh! Ndërtoni, luftoni, qani, qeshni bashkë! Dhe po, unë e konsideroj veten time me shumë fat!
Çfarë keni bërë më së shumti këtë vit: keni udhëtuar, keni bërë jetë me miqtë, keni qenë të tërhequr për të shijuar dashurinë… çfarë?
Po, ne bëmë çdo gjë që ti the! Për mua viti i fundit ishte një vit i mbushur me ndryshime. Nga të qenurit modele, ndryshova tërësisht karrierën dhe drejtimin tim. U përballa me jetën në një mënyrë që nuk e prisja, zbulova gjëra që nuk i dija, kuptova njerëzit dhe botën në një mënyrë komplet tjetër. Mbi të gjitha, jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse për sfidat.
A planifikoni në të ardhmen e afërt një fëmijë, apo është ende herët?
Po.
A është Dragos xheloz për ty?
Po, ai është xheloz në të njëjtën mënyrë që jam dhe unë për të, në mënyrë të shëndetshme! Ose ndoshta jo dhe aq e shëndetshme… (qesh)
Merresh ti me punë shtëpie, gatuan për të?
Jo, nuk e bëj asnjëherë këtë gjë. Bashkëshorti im kërkonte një tjetër lloj vajze…Ne kemi njerëz të tjerë që kujdesen për këtë. Dhe unë ende nuk kam kohë për gjërat që jam duke bërë!
Si i ke marrëdhëniet me vjehrrin dhe vjehrrën?
Marrëdhënia ime me prindërit e Dragos është e jashtëzakonshme. Ata janë engjëj! Jam e bekuar që i kam. Verën e kaluar ata vizituan Shkodrën dhe kaluan një javë me prindërit e mi, pa mua dhe Dragos-in. Ata e pëlqyen dhe e kuptuan shumë mirë njëri-tjetrin, njësoj si një familje e vërtetë.
Po Dragos me prindërit e tu?
E mrekullueshme! Përtej asaj që kisha imagjinuar! Më lërë të të jap një shembull. Vitin e kaluar, ndërkohë që ne ishim me muaj mjalti në Seychelles, nëna ime ishte me pushime në Shkodër dhe u sëmur dhe nuk më tha asgjë për disa ditë, sepse nuk donte të më shkatërronte muajin e mjaltit-veprim tipik mamash. Më pas zbulova se sa e sëmurë ishte dhe se jeta e saj ishte në rrezik. Dragos e kuptoi përpara meje se sa serioze ishte situata dhe më tha: “Fokusohu dhe më dëgjo mua. Së pari, në këtë sekondë dërgoje në spital tek doktori më i mirë në Shkodër, Dr.Besmir Grizhja. E dyta, më trego rezultatet e analizave të gjakut dhe të gjitha analizave të tjera që do marrësh nga doktori. E treta, thuaji nënës se duhet të largohet nga spitali për 3 orë, sepse një avion privat i pajisur me çdo mjet mjekësor dhe një doktor do ta marrë për ta çuar në Zyrih dhe një ambulancë do e presë në aeroportin e Zyrihut për të shkuar në Spitalin Universitar të Zyrihut, ku po e presin një grup mjekësh”. Pasi nëna ime arriti në Spitalin Universitar të Zyrihut nuk pati asnjë përmirësim dhe ne nuk ishim plotësisht të kënaqur me mjekët. Dragos nuk donte të ndërmerrte ndonjë rrezik dhe arriti ta transferonte me një ambulancë në spitalin më të mirë privat në Zvicër, “Hirslanden”. Atje ajo u trajtua nga profesorët më të mirë dhe pas 2 orësh u ndje më mirë dhe u shërua plotësisht. E gjitha kjo u bë nga ne, si skuadër, duke folur në telefon nga një ishull në Seychelles. Siç thashë ky është njëri prej shembujve nga shumë të tjerë, kështu mund ta gjykoni vetë! Pasi ndodhi e gjithë kjo, nëna ime thotë se Dragos është djali i saj i dytë dhe ka gjithmonë mbështetjen e tij në çdo situatë.
Po karriera, çfarë po ndodh me të?
Siç e dini tashmë, unë i kam dhënë fund karrierës si modele dhe kam ndryshuar plotësisht drejtim. Së pari, vitin e kaluar u çertifikova si trajnere jete (një person që ndihmon njerëzit për të arritur qëllimet e tyre dhe që i këshillon për ndryshimet që duhet të bëjnë në jetë). Kjo më dha mundësinë të kuptoja më mirë psikologjinë e njerëzve dhe të përgatitesha për projektet e ardhshme. Së dyti, u bëra producente filmi. Me krenari tregoj se vitin e kaluar përfundova xhirimin e dy filmave me metrazh të shkurtër, me dy mesazhe shumë të fuqishëm, që shpresoj se do prekin zemrat e njerëzve. Të dy do të publikohen këtë vit. Gjithashtu kam edhe disa projekte të tjera filmike, që do të xhirohen po këtë vit. Së treti, po punoj për një tjetër projekt shumë të rëndësishëm, për diçka që vjen direkt nga shpirti, si të jetë fëmija im. Kam punuar për këtë gjë prej dy vitesh dhe këtë vit do jetë gati. Bëhet fjalë për një libër që kam shkruar, një histori vërtet mahnitëse për jetën e nënës sime, dhe një pjesë të jetës sime gjithashtu. Flet për kuptimin e jetës nga perspektiva ime, duke pasur shembullin më të fortë, jetën e mrekullueshme dhe absolutisht jo të zakonshme të nënës sime. Duke folur tani për projektet e mia, pas më shumë se dy vitesh, mund të them se më janë dukur shumë qesharake disa komente dashakeqe të njerëzve që më flisnin për atë se çfarë bëja dhe si e shpenzoja kohën time. Ata dilnin në konkluzionin se isha duke shpenzuar të gjithë kohën vetëm duke pushuar dhe pa bërë asgjë, vetëm sepse nuk po shihnin diçka nga aktiviteti im në modeling. Tani ka ardhur momenti për të folur për këtë gjë dhe siç duket qartë mund të them se ata njerëz e kanë pasur shumë gabim!
A ka qenë zhvendosja në SHBA vendimi më i zgjuar që ke marrë në jetë?
Po, zhvendosja në Shtetet e Bashkuara ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë. Mes të shikuarit në distancë të ëndrrës amerikane dhe të jetuarit të saj ka një diferencë shumë të madhe. Për më tepër, në Amerikë unë gjeta dashurinë time.
A e mendon ndonjëherë si do të kishte qenë jeta jote nëse do të kishe qëndruar në Zvicër?
Nuk dua ta imagjinoj dhe nuk mundem…për mua do të ishte një jetë shumë e mërzitshme. Është thjesht një tjetër botë dhe një tjetër mënyrë jetese. Nuk është për mua, pavarësisht se prindërit e mi e adhurojnë.
Sa e rëndësishme është të jesh i pasur në këtë botë?
Gjatë kohës që po dëgjoja pyetjen tënde më erdhi në mendje një shprehje nga Oscar Wilde: “Kur isha i ri mendoja se paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam i rritur e di që është”. Jo, po bëj shaka. Unë nuk mendoj kështu. Bie dakord se paratë janë të rëndësishme, por ka gjëra të tjera shumë më të rëndësishme në jetë se paratë, si: shëndeti, dashuria dhe shpirtërorja. Kur kupton se gjithçka që kemi në jetë në të vërtetë është e dhënë me qira, je në rrugë të mbarë!
A është e vërtetë që jo gjithçka blihet me para?
Sipas asaj që thashë, definitivisht jo!
Kur ke qenë në Shqipëri për herë të fundit?
Në fund të 2015.
Kur do ta vizitoni Shqipërinë me bashkëshortin?
Patjetër, unë dua t’i tregoj atij vendin tim të bukur, kështu që shpresoj këtë vit.
Surprizat dhe dhuratat nga Dragos janë të shumta. Cilën surprizë do ta cilësosh si më të bukurën, që nuk ke për ta harruar kurrë dhe cila nga dhuratat është më e shtrenjta?
Dhurata më me vlerë që kam marrë nga partneri, është qeni im, King. Është dhurata më me vlerë, sepse asnjëherë nuk mund ta mas me para. Dhurata që marr çdo ditë prej tij, është besnikëria dhe dashuria e tij.
Kush është më i kujdesshëm ndaj njëri-tjetrit, ti ndaj Dragos apo e kundërta?
Dragos 100%! Jam dhe unë, por ai është një tjetër nivel.
Ti ke udhëtuar në shumë vende në mbarë botën… Cilin prej tyre do të zgjidhje si vendin e duhur për ty dhe Dragos për të jetuar gjithë jetën?
Unë dashuroj Kaliforninë dhe Los Angeles. Ëndrra jonë është të jetojmë këtu. Është shtëpia dhe vendi i ëndrrave tona.
Çfarë marrëdhënie ke me rrjetet sociale, duke qenë se në një nga fotografitë që ke publikuar së fundmi je shprehur se rrjetet sociale dëmtojnë shëndetin mendor?
Marrëdhënia ime me rrjetet sociale është e shëndetshme. Jam e lumtur që jeta ime është shumë herë më e mirë se postimet e mia që ju shikoni në rrjete sociale. Në momentin që kupton se është kështu, ji mirënjohës. / revistawho.com