Mëngjesin e kësaj të marte Ermal Mamaqi ishte i ftuar në emisionin “Wake Up” në “Top Channel”. Aktori i njohur ndër të tjera ka zbuluar disa nga prapaskenat e filmit “2 gisht mjaltë”, premiera e të cilit pritet të shfaqet në 28 mars. Ermali ka treguar se për të puna nuk ka qenë e lehtë, sidomos si producent i filmit, sepse i është dashur të mbajë mbi supe shumë përgjegjësi.
I gjithë filmi duket se ka kapur shifra marramendëse, sepse Ermali ka zbuluar se një ditë xhirimi ka kushtuar plot 15 mijë euro. Për sa i përket eksperiencës së Elvanës si aktore, ai tha se ajo ka aktruar në mënyrë të shkëlqyer dhe se ka pasur raste kur ka ndenjur dy ditë pa gjumë. Në një pjesë të filmit pritet të shfaqet Erion Veliaj dhe kur u pyet se si ishte ai si aktor, Ermali u përgjigj: “Politikanët janë aktor shumë të mirë”. “2 gisht mjaltë” do të shfaqet në të gjitha kinematë e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe është hera e parë që bën bashkë në një film Elvana Gjatën dhe Ermal Mamaqin si aktorë protagonistë. /revistawho.com