Ermonela Jaho prej vitesh ka bërë krenarë me miliona shqiptarë, si sopranoja që ka arritur të depërtojë në skenat më të mëdha botërore. Ashtu siç i ka hije një artisti të vërtetë, Ermonela është përfshirë shpesh edhe në kauza të rëndësishme në ndihmë të komuniteteve të ndryshme. Dy vite më parë Jaho mori një letër nga “Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare” (YWCA) për t’ju bashkuar kauzës në betejën kundër kancerit të gjirit. Me shpirtin e saj human, Ermonela nuk mund të refuzonte të bëhej pjesë e një misioni të tillë për t’u ardhur në ndihmë të gjitha grave shqiptare të prekura nga kjo sëmundje. Sot sopranoja shqiptare është ambasadore e shoqatës dhe nën rolin e saj shumë shpejt pritet të organizojë një koncert bamirësie për kauzën e Fjongos Rozë. Për këto dhe shumë të tjera mund të lexoni intervistën e plotë të Ermonela Jahos për RevistaWho.Com dhe të mësoni më shumë për misionin e veçantë të sopranos në mbështetjen e një prej kauzave më të rëndësishme të vendit.
Zonja Jaho, lexuesit e revistës sonë ju njohin si soprano që debuton në skenat më të mëdha botërore në Londër, Paris, Mynih, Madrid, etj. Cila është kauza për të cilën jeni ambasadore dhe në ç’rrethana u përfshitë në një mision të tillë?
Në tetor të këtij viti mbushen 11 vjet që nga fushata e parë e YWCA-së kundër kancerit të gjirit, e quajtur gjithashtu edhe kauza e fjongos rozë. 11 vjet më parë, fjongo e thjeshtë rozë, simboli ndërkombëtar i betejës kundër kancerit të gjirit, simboli që bashkon në këtë betejë një grup të madh organizatash dhe kompanish në mbarë botën, u prezantua edhe në Shqipëri përmes një marshimi të heshtur në Tiranë si dhe disa veprimtarive informuese të organizuara nga YWCA e Shqipërisë.
Të gjitha këto i mësova kur mora një letër nga YWCA dy vjet më pare dhe dëgjova rreth kësaj kauze dhe të them të vërtetën, e përqafova atë menjëherë.
Jeni e prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në familje nga kjo kauzë?
Unë do t’ju përgjigjem së pari duke radhitur disa fakte të thjeshta rreth kancerit të gjirit në Shqipëri.
- Është kanceri më i përhapur tek gratë dhe shkak kryesor për vdekjen e tyre.
- 75% e grave shqiptare paraqiten te mjeku kur kjo sëmundje është në një fazë të përparuar.
- Numri i grave të diagnostikuara ka ardhur duke u rritur nga viti në vit
- Është një sëmundje shumë e kushtueshme.
Edhe pse jo e prekur unë personalisht apo në familjen time, unë ndjej fort sfidat që kalojnë gratë e diagnostikuara, vështirësitë e shumta që kalojnë veçanërisht gratë shqiptare të prekura nga kanceri i gjirit, unë e ndjej që mbështetja që kërkohet dhe ndërgjegjësimi i grave dhe të gjithë shoqërisë është faktor kaq vital në këtë betejë që na përfshin të gjithëve. Është pikërisht historia e grave shqiptare dhe beteja e tyre që më bënë të mos mendoj dy herë për t’i thënë po rolit të ambasadores për këtë kauzë.
Cilat janë veprimtaritë kryesore të YWCA-së në fushatat për kauzën e fjongos rozë?
YWCA në 11 vitet e kauzës së fjongos rozë ka realizuar fushata vjetore çdo tetor që është edhe muaji ndërkombëtar i betejës kundër kancerit të gjirit si dhe veprimtari të tjera ndërgjegjësuese dhe advokuese. E nisi sikundër e përmenda më lart me një marshim të thjeshtë vjeshtën e vitit 2008 në Tiranë dhe që prej asaj kohe çdo vit në vazhdim kjo fushatë është rritur si në shumëllojshmërinë e veprimtarive ashtu edhe në pjesëmarrje, jo vetëm në Tiranë por edhe në shumë qytete të tjera, me mesazhe që përcjellin edhe angazhimin e shumë enteve politikëbërës si pjesë integrale e kësaj kauze.
Cili është angazhimi juaj personal në këtë kauzë?
Jam ndjerë e privilegjuar kur më ftuan të jem ambasadore e kësaj kauze të YWCAsë dhe me shumë gëzim e kam pranuar, sepse shoh shpresë në këtë betejë, shpresë për gratë shqiptare që të jenë të ndërgjegjësuara se diagnostikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë, shpresë se me shumë mbështetje mund ta fitojmë betejën kundër kancerit të gjirit, shpresë se duke ngritur zërin të gjithë, politikëbërësit do të jenë partnerë bashkë me ne për të marrë veprime kuptimplote dhe të domosdoshme për të përmirësuar shërbimet mjekësore dhe ato sociale. Dhe ky është vizioni i YWCAsë, kjo është shpresa jonë, që të gjithë bashkë të shpëtojmë më shumë jetë të grave shqiptare. YWCA është krenare për qindra vullnetaret dhe vullnetarët në mbarë vendin që janë pjesë e kësaj fushate dhe e kanë bërë këtë edhe kauzën e tyre. Kjo do të jetë edhe kauza ime.
Por ajo që rrëfen përkushtimin tim të posaçëm si Ambasadore e YWCAs-ë këtë vit është edhe ngjarja që do të përmbyllë fushatën. Do të jetë një Koncert bamirësie për Kauzën e Fjongos Rozë. Të gjitha të ardhurat e këtij koncerti do t’i kalojnë YWCA për punën e saj në ndërgjegjësim dhe mbështetje psiko-sociale për gratë e prekura nga kanceri i gjirit dhe familjet e tyre.
A keni një mesazh edhe për lexuesit e revistës sonë?
Si Ambasadore e YWCAsë në kauzën e fjongos rozë unë i ftoj të gjithë, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, zonja dhe zotërinj në moshë t’i bashkohen qindra vullnetarëve që kanë zgjedhur të jenë pjesë e kësaj kauze, që është edhe kauza ime, kauza e shpresës. Faqja zyrtare e YWCA-së www.ywca-albania.al dhe faqet në mediat sociale të YWCA-së janë një pikënisje e mirë për të eksploruar se si mund të përfshihen në veprimtaritë e YWCAsë për të këtë kauzë.
Ju falemnderit Zonja Jaho!
Faleminderit ju për përfshirjen aktive në këtë kauzë. Unë besoj se dita me një botë pa kancer nuk është e largët. /revistawho.com