Nga Eraldo Rexho
Përzgjedhja e personazhit të kopertinës së këtij edicioni special, kaloi në një proces të gjatë mendimi dhe votimi në redaksi. Shumë emra u ngritën dhe ranë aty për aty, për motive nga më të ndryshmet. Por pati mes tyre edhe një alternativë që rezultoi menjëherë fituese.
Eno Popi, personazhi televiziv që numëron më pak intervista se shumë nga kolegët e tij ka zgjedhur gjithnjë të mbajë një profil të ulët publik, ndonëse puna e tij në ekran lidhet pashmangshmërisht me publiken.
Ia bëra vetes dhe më pas të gjithëve atyre që më rrethojnë pyetjen: “sa gjëra di ti për Eno Popin?” dhe në të gjitha rastet përgjigjja kufizohej në disa pohime tek-tuk në media dhe ndonjë foto ‘instagram’-i.
Kështu nisi rruga drejt kësaj kopertine, me disa kafe të gjata me Enon, për t’i motivuar arsyet se pse duhej të ishte ai historia e këtij muaji.
Hasa në disa refuzime për shkak të modestisë që e karakterizon personazhin Eno, që siç kuptohet edhe në intervistën që bëmë bashkë më vonë, duket se i pëlqen po aq puna larg prozhektorëve, mjafton të mos i ikë dashurisë së madhe që ka për median (LEXO KËTU).
‘Lufta’ për ta bindur që në kopertinë të shfaqej me të bijën, Liv, sot 1-vjeçe, ishte edhe më e vështirë. Megjithatë pak me ndihmën e miqve dhe familjarëve të tij dhe pak me këmbënguljen e krijimit të një kujtimi të bukur, ia dolëm.
Dhe ja tek vijmë sot me këtë kopertinë të realizuar në kohë rekord nga fotografi Geljant Kaleci, me përgjigjet e gjata dhe të sinqerta të Eno Popit.
Një intervistë që vlen të lexohet, sepse Eno është një njeri i ekranit që rrallë del përtej tij për të treguar Enon baba, Enon bashkëshort dhe Enon jashtë kutisë magjike, njësoj si sot. Sepse ai vjen për herë të parë në një rrëfim ndryshe, për të cilin ne në “RevistaWho.Com” jemi vërtetë krenarë… Shijojeni!