Që prej të premtes së kaluar, kur u dha premierë e deri mbrëmë në darkë, në shfaqjen e rradhës, salla e teatrit ekskperimentar “Kujtim Spahibogli” është shkundur nga të qeshurat e publikut. Ka nga ata që po vazhdojnë të shkojnë ta shikojnë më shumë se një herë sepse loja brilante e Romir Zallës, Ervin Bejlerit, Alert Çeloaliajt e Jorida Metës, batutat dhe gjithë situata absurde që krijohen mes tyre të kënaqin pafund. “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” do të vazhdojë të shfaqet edhe sonte, nesër e pasnesër. S’është thjesht vetëm një komedi që të bën të kënaqesh së qeshur me humorin fin, por sepse përtej kësaj mbartet edhe drama e brendshme e çdonjërit prej personave me aftësi të kufizuar, edhe përpjekja e tyre për të jetuar, dashuruar, punuar normalisht si të tjerët, edhe mesazhet e forta sensibilizuese ndaj shoqërisë që duhet ta mbështesë e ta konsiderojë këtë kategori, në bashkëjetëse normale me ta. Eshtë një miks ndjesish e mendimesh që të ndjell kjo vepër, e shkruar nga autori grek Yorgos Theodosiadis dhe e sjellë në skenën shqiptare sipas konceptit regjisorial të Donard Hasanit e Valdrin Hasanit. Eshtë absurditeti që nxit dialogje e lojë skenike shumë interesante, që shkakton batuta e të qeshura pafund. Spitha, djali që nuk flet është poet dhe punon në bibliotekë. Jovani që nuk dëgjon është një kuzhinier i jashtëzakonshëm dhe ka një restorant të tijin, ndërsa Theofani që nuk sheh, punon në një callcenter. Ata janë të sukseshëm në punët e tyre, bashkëjetojnë në një apartament duke u kuptuar shumë mirë me njëri- tjetrin. Jeta u shkon normalisht derisa në rutinën e tyre hyn një grua e bukur. Ata dashurohen pas saj, pa e ditur se po po marrosen pas së njëjtës grua (Jorida Metës). Normaliteti në atë shtëpi tronditet pikërisht në momentin kur ajo hyn aty e ata përballen me këtë të vërtetë. Nëpërmjet peripecive komike, ata përmbledhin dhe plotësojnë aftësitë e njëri- tjetrit, duke u përpjekur secili që ta bëjë atë grua për vete. Pra duke plotësuar njëri- tjetrin ata mund të përjetojnë emocione të mëdha, të jetojnë si të mos kishin asnjë aftësi të kufizuar. Ata pra mund të jetojnë si gjithë të tjerët. Duke e bërë dhe publikun të jetojë qoftë edhe për pak momente me ankthin, gëzimin, dëshirat e pasionet e tyre. E mbi të gjitha duke e bërë publikun të kënaqet, edhe sot e deri këtë të dielë./revistawho.com