Kjo javë është shumë e rëndësishme, pasi në 16 korrik zhvillohet eklipsi i pjesshëm i Hënës në shenjën e Bricjapit, i cili ndikon kryesisht përfaqësuesit e shenjës së Gaforres, Bricjapit, Dashit dhe të Peshores të lindur në dhjetëditëshin e tretë të shenjës dhe rezultatet e tij do t’i shohim në vijim madje do të thosha deri në dhjetor, pak më para se të ndodhë eklipsit tjetër. Është një eklips i vështirë, i cili do të shënoj mbylljen e një cikli apo të një kapitulli, prandaj mirë do të ishte të udhëheqim gjërat atje ku besojmë se mund të ndjehemi më mirë apo atje ku mendojmë se mund të ndihmohemi. Gjatë kësaj jave do të përballemi me probleme financiare, si dhe me probleme të jetës sonë personale dhe sentimentale. Ndikimi i eklipsit do të jetë mjaft i madh në psikologjinë tonë, ndërkohë që ngjarjet do të jenë mjaft të dukshme në fushat socio-politike. Nuk përjashtohet mundësia të kemi dhe fenomene natyrale të vështira në vende të ndryshme të botës dhe kryesisht në ato vende ku eklipsi është i dukshëm.
DASHI
Në qendër të vëmendjes do të jenë gjatë kësaj jave çështje të biznesit dhe të karrierës suaj. Marrëdhëniet profesionale, por ndoshta dhe ato personale do të kalojnë një krizë. Mos merrni vendime të nxituara dhe mos çoni situatën në limit. Për disa nga ju, të theksuara mund të jenë dhe problemet në fushën familjare. Përpiquni të ruani një ekuilibër mes punës apo karrierës dhe familjes apo të dashurit tuaj, pasi përqëndrimi i madh në problemet profesionale do të sjell vështirësi dhe përçarje në marrëdhëniet personale. Vështirësi parashikohen dhe në sferën financiare. Fundi i javës ju gjen në një lëvizje të vazhdueshme dhe nuk ju çliron nga pengesat apo vështirësitë që keni. Eklipsi ndikon kryesisht të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës dhe sidomos rreth datave 13-15 prill.
DEMI
E vërteta është se nuk venë gjërat ashtu siç dëshironi, por nuk ka arsye shqetësimi, sepse është një periudhë e vështirë për të gjithë. Rëndësi ka të mos nxitoheni të merrni vendime apo të hyni në kontrata, që më vonë do të shikoni se nuk do të dilni të fituar. Përqëndrohuni më shumë në të tashmen dhe lërini të tjerat për në fund të gushtit. Java premton një jetë sociale të pasur, e cila ju bën të ndiheni mirë. Pranë jush do të jenë miqtë tuaj, prej të cilëve mund të ndihmoheni. Anulime apo vonesa do të keni në fund të javës. Disa prej jush mund të takoheni apo të lidheni sërish me një të dashur nga e kaluara.
BINJAKËT
Kjo javë vendos theksin në financat tuaja dhe kërkon prej jush të jeni jo vetëm të programuar, por kryesisht të përmbajtur. Njëkohësisht shmangni çdo marrëveshje financiare gjatë kësaj jave dhe do të thosha çdo lloj kontrate të re deri në 2 gusht. Shanse për rritjen e të ardhurave mund të paraqiten në pjesën e dytë të javës, megjithatë kjo nuk mund të ndryshojë krejt situatën. Fundi i javës nxjerr në sipërfaqe biseda me karakter financiar, por mos u nxitoni të veproni. Kjo javë shton tek ju predispozicionin për rishikimin e gjërave apo të situatës.
GAFORRJA
Probleme në marrëdhëniet personale dhe në bashkëpunimet tuaja do të sjell kjo javë. Zhvillimi i ngjarjeve nuk është krejtësisht në dorën tuaj, pasi spastrimet, konfliktet si mbyllja e një kapitulli do të vijnë pavarësisht dëshirës suaj. Ajo që është në dorën tuaj është qëndrimi si dhe mënyra që do t’i trajtoni ato. Mos u tregoni absolut, tregohuni elastikë dhe pranoni ndryshimet që vijnë duke u përshtatur kushteve të reja që krijohen. Kujdesuni për shëndetin, shmangni nervozizmin, i cili do të jetë mjaft i theksuar në fund të javës dhe vendosni të bëni pushime të shkurtra ose një udhëtim. Relaksimi dhe të qenët larg problemeve mund të ndikojnë në përmirësimin e situatës. Eklipsi ndikon veçanërisht të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës sidomos rreth datave 15 – 16 korrik. Ju, që keni ditëlindje në këto data të jeni të kujdesshëm gjatë gjithë vitit.
LUANI
Ndoshta ndjeheni të rënë psikologjikisht apo të mbyllur në vetvete edhe pse nuk keni arsye kryesore. Përfitoni nga momenti dhe përpiquni të çlodheni duke i kushtuar më shumë vëmendje shëndetit tuaj. Eklipsi i javës mund të nxjerr probleme në ambientin tuaj të punës. Spastrime apo keqkuptime mund të ndodhin kryesisht në fillim të javës. Mos merrni vendime të nxituara, pasi nuk është momenti i përshtatshëm për të bërë lëvizje në punë dhe mbi të gjitha përpiquni të mbani gojën të mbyllur pa bërë asnjë lloj komenti në ambientin e punës.
VIRGJËRESHA
Probleme me të dashurit, bashkëshortët apo fëmijët tuaj mund të keni gjatë kësaj jave. Në fakt nuk ka arsye pse të mos ndjeheni mirë, megjithatë diçka ju shqetëson dhe ju ju jepni situatave përmasa më të mëdha se ato ekzistueset. Përpiquni të jeni të qetë gjatë javës duke shmangur krijimin e skenave jo të vërteta. Në jetën tuaj personale flirt dhe dashuri premton kjo javë, ndoshta me një person që jeni takuar dhe herë tjetër. Përmirësim dhe rritje mund të kenë financat tuaja në pjesën e dytë të javës. Ruani marrëdhëniet dhe bashkëpunimet që ju interesojnë, në fund të javës.
PESHORJA
Nën ndikimin e eklipsit do të jeni dhe ju, kryesisht të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës, sidomos rreth datave 17-19 tetor. Do të përballeni me vështirësi si në fushën profesionale ashtu dhe në familjen tuaj. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimet do të testohen dhe ndoshta disa prej tyre do të ndërpriten. Përgjegjësia që do të ndjeni në lidhje me punën dhe me familjen do të jetë e madhe dhe nuk duhet të humbisni ekuilibrin mes tyre. Pavarësisht nga vështirësitë apo pengesat, kjo javë premton një bonus apo të ardhura kryesisht në pjesën e dytë të saj si dhe shanse për ju që jeni në kërkim të një pune. Ndryshime rrënjësore do të bëni në shtëpi apo një transferim disa prej jush.
AKREPI
Java ju gjen mjaft energjikë me dëshirë dhe plot zell për të realizuar projektet lidhur me biznesin apo karrierën tuaj. Tregohuni të kujdesshëm në çdo vendim që do të merrni duke hetuar mirë situatën dhe kushtet përpara se të veproni. Për sa i përket jetës personale keni perspektiva shumë të mira. Dashuri për ju që jeni në kërkim të saj dhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese përmes bisedave dhe diskutimeve premton kjo javë. Një udhëtim në pjesën e dytë të saj do të bëj javën akoma më interesante.
SHIGJETARI
Problemi juaj për sivjet ekziston në fushën financiare, pasi aty dalin shpenzime të papritura, dëshira apo domosdoshmëri për investime, që ju nxjerrin gjithmonë jashtë planifikimit. Edhe ky eklips aty e vendos theksin dhe kërkon prej jush të jeni të përgatitur për të përballuar shpenzimet apo humbjet që mund të keni në sferën financiare. Java do të jetë më pozitive në pjesën e dytë të saj duke ju dhënë mundësinë për t’u çlodhur dhe për të zgjidhur çështje që ju preokupojnë në lidhje me shtëpinë dhe familjen. Shmangni problemet në ambientin e punës në fund të javës.
BRICJAPI
Eklipsi në shenjën e Bricjapit ju sjell probleme në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja. Nuk përjashtohet mundësia që disa prej tyre të ndërpriten duke mbyllur në këtë mënyrë një kapitull në jetën tuaj personale apo në atë profesionale. Mos u tregoni të nxituar në qoftë se gjërat kalojnë nga dora juaj dhe përpiquni për ruajtjen e marrëdhënieve që ju interesojnë. Për ju që jeni në kërkim të një lidhjeje serioze apo të dashurisë kjo javë ju jep gjithë mundësitë. Kujdesuni për shëndetin tuaj dhe mos udhëhiqni situatën në limit ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës, sidomos rreth datave 14-16 janar.
UJORI
Të lodhur, pa qejf dhe me tendenca për mendime negative apo fobi do të jeni gjatë kësaj jave. Kujdesuni për shëndetin dhe kryesisht për anën tuaj psikologjike pasi shumë nga problemet që mund të lindin e kanë bazën në psikologjinë tonë. Në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet duhet të jeni më të kujdesshëm dhe të shmangni konfliktet ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës. Në fushën financiare situata është mjaft pozitive për ju dhe premton të ardhura dhe ndihmë. Programoni sa më mirë rutinën apo jetën e përditshme dhe gjeni kohën për t’u çlodhur. Mos hyni në biseda apo komente në ambientin e punës, pasi tendencat për prapaskena apo thashetheme janë të mëdha dhe me dëme.
PESHQIT
Për ju eklipsi është pozitiv, mjafton që ju të mos e ekzagjeroni me lëvizjet që do të bëni apo vendimet që do të merrni. Mos bëni hapa më të mëdha nga ato që mundeni. Projektet dhe planet tuaja do të kenë përparim të mëtejshëm dhe ju do të dalloni për aftësitë tuaja krijuese. Në jetën sentimentale perspektivat janë të shkëlqyera dhe ju sjellin pranë dashurisë që kërkoni. Megjithëse kushtet janë mjaft favorizuese disa herë nuk do të ndjeheni mirë për zgjedhjet që keni bërë. Tregohuni të përmbajtur duke ruajtur për vete dyshimet që keni dhe përpiquni gjatë kësaj jave të mos hyni në konflikte me të dashurit apo me njerëzit që kaloni jetën tuaj të përditshme. /revistawho.com