Ky ka qenë një muaj shumë special për Victoria dhe David Beckham, të cilët festuan 20-vjetorin e martesës së tyre. Festimet duket se po vazhdojnë ende për familjen Beckham, sepse ata nga java e kaluar janë zhvendosur në Miami për disa ditë pushime.
Çifti i njohur nuk kanë ngurruar të ndajnë me ndjekësit në rrjete sociale momente të ndryshme nga pushimet, të cilat duket se po shkojnë më së miri. Në njërën prej tyre Victoria shihej duke shijuar një nga këngët e Beyonce, ndërsa David duke provuar të kërcente salsa.
Dyshja u shoqëruan edhe nga fëmijët e tyre Romeo, Cruz dhe Harper, ndërsa djali më i madh i familjes, Brooklyn, qëndroi në Londër. Në këto ditë pushimi familjen Beckham e ka shoqëruar edhe Eva Longoria së bashku me djalin e saj 13-muajsh Santi. Victoria dhe Eva kanë qenë mikesha të mira prej vitesh dhe duket se edhe fëmijët e tyre kanë krijuar një lidhje të ngushtë, sepse në një foto Harper shihej duke përkëdhelur Santin. /revistawho.com