26 vite në skenë, e palodhur, qindra hite, mijëra udhëtime, një pafundësi koncertesh, recitalesh, suksesesh, çmimesh, mirënjohjesh, bashkëpunimesh, uljesh e ngritjesh, por asgjë nuk e ka ndalur e nuk e ndal dot të jetë e papërsëritshme dhe unike, duke mos i lënë shteg askujt tjetër të bëhet si ajo, të mos ketë një të dytë si ajo. E kush nuk do të donte të ishte si Aurela Gaçe? Pse?
Sepse ka një jetë që është origjinale, që nuk përpiqet ta shesë sapunin për djathë, por dhuron talent, art e shpirt, që nuk përpiqet t’i hedhë këtij populli hi syve, që nuk bën asgjë veçse të jetë vetja dhe ta ruajë identitetin e saj, damarin lab, grindën që e bën të pazëvendësueshme, energjinë që të rrëmben, emocionin që të kaplon, vullnetin e hekurt që e ka bërë të jetë kjo ikonë që është sot, punën kolosale të pandalshme që e ka bërë të jetë një lokomotivë dashurie modeli, ëndrre dhe euforie, humorin, sportivitetin, kurajon, diplomacinë, e sa e sa karateristika të tjera mund t’i numërosh Aurelës, pafund!
Që ndan me ne emocionet, ndjenjat e saj, me këngë si “Shpirt i shpirtit tim, Tranzit, Origjinale”, që nuk rezervohet të pranojë të vërtetat apo t’i thotë troç ato, nuk heziton të autoironizojë, apo bërtasë për dhimbjet, për gjërat që e kanë penguar ose ndihmuar, ajo është e VËRTETË, dhe vendi ynë nuk është se i jep shumë dorë gjenive, por ajo ia ka dalë dhe të gjithë janë dakord që çfarë ka, e çfarë ka mbërritur i meriton të gjitha, dhe madje shpesh janë pak!
E kush nuk do donte të ishte si Aurela Gaçe, gjithmonë në formë, e lindur gati për të gjitha, e pamundur ta zësh gafil, e qeshur, energjike dhe me një botë e shpirt kozmik. E kush nuk do donte të ishte e adhuruar, e admiruar, e dashur, dhe të merrej si modeli më i mirë për t’u ndjekur, e kush nuk do donte të ishte si Aurela që di ti mbajë të gjitha, familjen, shoqërinë, karrierën, veten dhe një publik në ajër. Dhe të gjitha i bën përsosmërisht mirë!
Amfiteatri i Tiranës nuk do të jetë kurrë më i bukur se sonte, dhe as nuk do të shkëlqejë kurrë më tepër se sonte, se sonte dielli Aurela Gaçe mban një koncert aty… Eh, kush nuk do donte të ishte si Aurela Gaçe!