E nisim jetën duke qarë që më vonë të kuptojmë se çfarë është buzëqeshja, të qeshurit, momentet e lumturisë, gëzimit, gafave, marrëzive apo qoftë edhe budalliqeve që mund të kemi thënë në momente të caktuara të jetës apo cikleve tona jetësore!
Qesh me shpirt edhe atëherë kur është shterur çdo motiv për të qeshur, qesh me shpirt edhe për detajet më idiote që mund të ekzistojnë, qesh me shpirt që të besosh se je i/e lumtur, që të nisësh të jesh, qesh me shpirt që të mos lejosh ata që të duan të jenë të lumtur për dhimbjen, mërzitjen, trishtimin tënd, qesh me shpirt për gjithçka ka rëndësi në jetë…
Qeshi me shpirt, qiellit, diellit, universit, familjes, dashurive dhe më me shumë forcë urrejtjes, qeshi me shpirt dhimbjes që të ikë, ti lërë hapësirë shërimit, qetësisë, lumturisë, qeshi me shpirt lotëve që të pendohen që ndaluan në sytë e tu, qeshi me shpirt gabimeve se e meritojnë, se të kanë mësuar të jesh ky/kjo që je, qeshi me shpirt jetës se jeta pa buzëqeshje, të qeshura, dhe mbase edhe disa ulërima herë pas herë nuk është se ka shumë kuptim…
Qeshi me shpirt dështimeve edhe nëse ke kaluar net pa gjumë për ta arritur atë, qeshi që t‘i lësh vend vullnetit për t´ia nisur nga e para, dhe që fitorja të vijë të përqafojë.
Qesh me shpirt gjithmonë, dhe qesh çdo ditë, kohë pa kohë se siç thotë Charlie Chaplin: Një ditë pa buzëqeshje është një ditë e çuar dëm, kështu që qeshni, qeshni derisa mos të keni më fuqi për ta hapur gojën dhe zbardhur dhëmbët….