“Klanifornia” rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve të shtunën e kaluar dhe nuk ishin të pakta komentet e teleshikueve dhe të atyre që e ndoqën nga afër. Megjithëse spektakli u prit mirë, në rrjete sociale pati kritika të shumta dhe komente negative për rolin e Delinda Dishës si Shote Galica. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë ata që e kanë komentuar gjatë, sepse sipas tyre ajo ka ofenduar të gjithë ata që kanë luftuar për çlirimin e vendit të tyre. Madje dhe reperi Gold Ag u shpreh se me atë rol Delinda i kishte kaluar kufijtë.
Pas këtyre komenteve aktorja ka vendosur t’ju japë një përgjigje të gjithëve duke treguar se nga është nisur për këtë rol. Ajo ka shpjeguar se për numrin ka marrë spunto nga një udhëtim i saj drejt Krujës që devijoi në një rrugë tjetër dhe aty pa varrin e Shote Galicës në gjendjen më të keqe. “Ishte e tmerrshme kur pashë varrin e burrneshës dhe trimëreshës Shote Galica në atë gjendje… Zgjodha nëpërmjet interpretimit të bëj një thirrje për gjithë politikanët të cilët nuk vënë dorë për heronjtë dhe heroinat ndërkohë ngrejnë memoriale për turqit, grekët, etj”, ka shkruar Delinda në reagimin e saj. Ajo ka shtuar se do të vazhdojë të godasë fenomene të tilla për sa kohë lihen në harresë nga drejtuesit e shteteve. /revistawho.com