Mbrëmjen e djeshme Lady Gaga ka anuluar shfaqjen e saj në Las Vegas 20 minuta përpara se të ngjitej në skenë. Fansat e saj u ndjenë keq pasi artistja zbuloi se bronkiti dhe një infeksion në sinuse e penguan të ishte pranë tyre. Lady e dha njoftimin përmes një postimi në ‘Instagram’, në të cilën shfaqej duke mbuluar fytyrën me duar gjatë kohës që qëndronte diku e shtrirë. “Jam e shkatërruar nuk mundem të përformoj sot për shumë njerëz që udhëtuan për të më parë mua. Kam një infeksion në sinuse dhe bronkit, ndihem shumë e sëmurë dhe e trishtuar, nuk doja që t’ju zhgënjeja”, ka shkruar Gaga në postimin e saj.
Ajo ka premtuar se do të rikthehet shumë shpejt dhe ka treguar edhe një herë se i do shumë fansat e saj. Pavarësisht se gjendja e këngëtares nuk ishte aspak e mirë disa prej atyre që kishin prerë bileta u shprehën të zhgënjyer, sepse nuk ishte hera e parë që ndodhte diçka e tillë. “Nuk po e gjykoj, sepse ajo duhet të shërohet. Por më lejohet të jem i nevrikosur pasi kam paguar 1500 paund për të arritur në Vegas, kam udhëtuar për 7 mijë milje me çdo gjë të rezervuar që nga dhjetori për të anuluar gjithçka 20 minuta para se të hapeshin dyert”, ka shkruar dikush në ‘Twitter’. Të tilla reagime kanë qenë të shumta, por disa fansa të tjerë i kanë dalë menjëherë në mbrojtje Lady Gagas.