Telenovelat tanimë janë kthyer në programin e preferuar të mbasditeve dhe jo më kot kanë një shikueshmëri të lartë në televizionet shqiptare. Nëse dikur mund të shihnim vetëm një ose dy telenovela në ditë, sot ka pafund mundësi zgjedhjeje që nga orari i paradites e deri në mbrëmje. Pavarësisht qindra serialeve që janë transmetuar në Shqipëri, nga ato spanjolle, meksikane, braziliane, indiane apo turke, “Revistawho.com” ju rikujton disa nga prodhimet më të njohura që me siguri të gjithë i keni ndjekur.
“Kloni”, telenovela braziliane u transmetua në Top Channel në fillim të viteve 2000. Duke qenë ndër të parat telenovela në Shqipëri, Kloni pati një shikueshmëri të lartë. Kjo telenovelë tregonte historinë e dashurisë mes Lukasit dhe Zhades.
“Gymysh” ishte një nga telenovelat e para turke të transmetuara në Shqipëri e për këtë arsye pati një interes shumë të madh nga publiku. Kjo telenovelë u transmetua në vitin 2011 në TV Klan dhe tregonte historinë e dashurisë së Gymyshit me Mehmetit, rol të cilin e luante aktori turk Kivanç Tatlitug.
Dhe meqë jemi tek Kivanc Tatlitug një tjetër telenovelë shumë e ndjekur ku ai ka luajtur është “Dashuri e ndaluar”. Kjo telenovelë e transmetuar në TV Klan tregonte historinë e ndaluar të Bihterit dhe Behlulit. Fundi i këtij seriali do të mbetet gjithmonë në kujtesën e teleshikuesve për shkak të vdekjes së Bihterit që preku të gjithë.
Një tjetër telenovelë që ka prekur shqiptarët ka qenë edhe “Bidaai”. Kjo telenovelë indiane tregonte historinë e dy kushërirave që duheshin si motra por njëra prej tyre, Ragni vuante paragjykimet ndaj ngjyrës së lëkurës. Ndërsa Sadna pati një fund tragjik që përloti të gjithë teleshikuesit.
“Rubi”, një tjetër telenovelë e suksesshme meksikane që u transmetua në fillim të viteve 2000 në Vizion Plus. Kjo telenovelë tregonte historinë e një vajze të re, të bukur dhe lakminë e saj për para dhe jetë luksoze.
“Ezel”, mbetet një telenovelë e paharrueshme për shqiptarët dhe që pati shumë sukses. Kjo telenovelë turke e transmetuar në TV Klan tregonte historinë e Omerit, një të riu që akuzohet për krime të cilat nuk i ka bërë. Pas shumë vitesh në burg ai kërkon hakmarrjen.
Një tjetër serial me një sukses të jashtëzakonshëm ka qenë “Lugina e ujqërve” e transmetuar në Vizion plus. Kjo telenovelë turke tregonte historinë e një agjenti sekret, Polat Alemdar që infiltrohet në rrënjët e mafias.
“Gruaja e judës” ka qenë gjithashtu një nga telenovelat më të ndjekura që u transmetua në Shqipëri. Historia e Altagracias bëri kuriozë publikun dhe të gjithë prisnin me padurim episod pas episodi për të mësuar kush fshihej pas krimeve.
Nga serialet historik më të ndjekur ka qenë padyshim “Sulejmani i madhërishëm”. Historia e sulltanit që sundoi për shumë vite pati një sukses të madh dhe sidomos historia e tij e dashurisë me Hyrremin. Telenovela turke fillimisht u transmetua në Albanian Screen vite më parë ndërsa sot po ritransmetohet në TV Klan dhe sërish ka shikueshmëri të lartë.
Nuk mund të linim pa kujtuar edhe “Sortilegon”, një telenovelë meksikane e transmetuar para shumë vitesh në Vizion Plus. E quajtur ndryshe “Magji dashurie”, kjo telenovelë tregonte historinë e Alehandros dhe Maria Hoses, dashuria e të cilëve vihet në provë./revistawho.com