‘Youth Act’ është qendra më e re e cila synon të fuqizojë rininë duke i dhënë atyre një rol aktiv për jetën e tyre, familjen dhe shoqërinë. Vizioni i kësaj qendre është fuqizimi i rinisë si promotori i zhvillimit të vendit duke mundësuar krijimin e një qendre në mbështetje të individëve, organizatave dhe iniciativave që kanë në fokus të tyre, të rinjtë shqiptar.
Ajo nga e cila dallon ‘Youth Act’ është ideja e cila e udhëheq, se të rinjtë janë e ardhmja e një vendi dhe duhet t’i jepet sa më shumë mundësi për të arritur suksesin në jetën e tyre.
Duke ditur rëndësinë e Kartës Rinore Evropiane në funksion të lëvizshmërisë rinore dhe pjesëmarrjes aktive, si dhe përdorimi i tyre si mjet për të promovuar politikat rinore, qendra ‘Youth Act’ ndërmori një proces të gjatë aplikimi për ta sjellë atë në Shqipëri.
Që prej muajit shkurt 2015, qendra ‘Youth Act’ është operuesja e vetme e kartës rinore evropiane në Shqipëri, si organizatë anëtare e ‘European Youth Card Association’, me seli në Bruksel.
Karta Rinore Evropiane është një rrjet me mbi 6 milion të rinj anëtar e cila ofron zbritje çmimi në 60.000 biznese në Shqipëri dhe 36 vende të Europës në: aktivitete të ndryshme kulturore, akomodim, udhëtime, argëtimin e të rinjve, trajnime e studime, sektorin shëndetësor, sektorin bankar, në turizëm, telekomunikacion dhe internet, turizëm, sport, etj. Të rinjve shqiptarë i ofrohen të njëjta përfitime si bashkëmoshatarët e tyre në Evropë e më gjerë. Gjithashtu, kjo kartë shërben si një mjet për të përcjellë informacion të përditësuar lidhur me mundësitë e trajnimit, edukimit, bursave, vullnetarizmit, shkëmbimit të eksperiencave rinore brenda dhe jashtë vendit. Aplikimi bëhet ‘online’ në faqen: www.kartarinore.al.
Qendra ‘Youth Act’ ofron mundësi aktivizimi për të rinjtë duke i bërë ata pjesë e projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke i krijuar atyre më shumë mundësi për të ardhmen.
‘Youth Act’ ka disa histori suksesi me të rinjtë të cilët kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme kudo në vende si: Londër, Spanjë, Turqi, Slloveni, Greqi, Helsinki, Bruksel, Serbi etj. Nëse jeni në dyshime se çfarë duhet të bëni për të ardhmen tuaj dhe se si të jeni më aktiv, atëherë sapo e mësuat një prej zgjedhjeve më të zgjuara që mund të bëni./revistawho.com