Secili nga ne gjithmonë ka pasur në fëmijëri një idhull që e ka frymëzuar të cilit ka dashur t’i ngjajë, që të bëhet si ai ose ajo. Rrallë herë ndodh që një personazh publik por edhe një futbollist profesionist të surprizojë idhullin e tij të fëmijërisë. Ishte pikërisht Andi Lila i cili kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të takuar për herë të parë idhullin e tij të fëmijërisë, ish-futbollistin Altin Rrica.
Në studio Andi Lila rrëfeu historinë e jetës së Altin Rricës të cilin e kishte njohur që kur kishte qenë i vogël. Altini në atë kohë luante me skuadrën e “Besës” së Kavajës, ndërsa Andi qëndronte pas fushës për të mbledhur topat. Andi tregoi se mënyra se si Altini luante ishte e veçantë dhe se ai dëshironte që të luante në fushë përkrah idhullit të tij. Fatkeqësisht 20 vite më parë kur Altini ishte në kulmin e karrierës së tij kishte përjetuar një aksident nga i cili kishte mbetur i paralizuar. Pas aksidentit Altini ishte mbyllur në vetvete dhe qëndronte i mbyllur në shtëpi..
Në tërmetin e tmerrshëm të 26 nëntorit me mijëra shqiptarë mbetën të pastrehë, një ndër ta ishte edhe Altini. Shtëpia në të cilën ai jetonte bashkë me familjen e tij në qytetin e Durrësit ishte shkatërruar tërësisht dhe tashmë ishte detyruar të jetonte me qira. Menjëherë pas tërmetit, Andi Lila dhe shumë futbollistë të tjerë, shqiptarë dhe të huaj morën nismën për të krijuar një sindikatë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti nëpërmjet ndeshjeve të bamirësisë.
“Ky është një ndër momentet më emocionues në jetën time sepse nga natyra jam që flas shumë, por tani fjalët më ikën. Të kam ftuar ty për të të bërë të lumtur, por në të vërtetë jam unë më i lumtur. Ne nuk jemi takuar kurrë, por për ty në bashkëpunim me sindikatën kemi menduar një surprizë.” ,- u shpreh Andi.
Në fund Andi Lila zbuloi surprizën e madhe e cila ishte një shtëpi e re për Altinin dhe familjen e tij./revistawho.com