Dita e 18 e izolimit. Qeveria na ka mundësur një vit sabatik*. Me detyrim edhe kjo. Sot kemi 243 të infektuar, 15 të vdekur e 50 të shëruar në Shqipëri.
Në çdo luftë, jo nga përvoja personale po nevoja e përfituar përmes historisë, librave studimorë, atyre artistikë a filmave, në çdo luftë pra ka edhe nga ata që përfitojnë. Një prej filmave më të bukur të të gjitha kohërave “Lista e Shnidlerit” nis me një biznesmen gjerman që në kohë lufte hap biznesin e tij dhe merr në punë hebrenj që e drejtojnë. Ai është vetëm imazhi që ruan raportet. Biznesi i tij për herë të parë është i sukseshëm dhe në kohë lufte! Ndonëse Shnidleri pastaj harxhon çdo fitim për të shpëtuar jetët e hebrenjve të tij, fillesa qe nevoja për të fituar.
Në luftrat tradicionale janë kompanitë që tregtojnë armë dhe ‘makineri’ lufte që pëfitojnë. Në kohët e wireless-it, lufta është po ashtu me wireless, armiku është me wireless. Ti nuk e sheh por ai të vret.
Tani edhe ata që përfitojnë nuk shesin më armë as tanke.
Përfitimet janë të shumëllojshme. Rritja e çmimeve dhe humbja e punëve është vetëm ajo që duket. Po e blejmë jetën shtrenjtë. Masat e marra vetëm sa e thellojnë. I kemi dorëzuar gjithë të drejtat tona në këmbim të jetës pa e ditur si do jetë ajo.
Lufta wireless na i ka hequr të drejtat. Nuk mundemi as të ngremë zërin as të luftojmë për veten. BBC njoftonte dje për një vendim të shtetit hungarez se i jep jashtëzakonisht tepër të drejta për kohë të pacaktuar të qeverisë së Orban duke ngritur pikëpyetje mbi demokracinë dhe të ardhmen e demokracisë. Sepse ne mbrojmë jetën të mbyllur brenda shtëpive tona, që kur të dalim të kemi përfunduar në një shtet autokratik? Në kohë si kjo kur të drejtat nëpërkëmben në emër të jetës, duhet të ketë një grupim që kujdeset për të nesërmen e jetëve tona. Vetë BE duhet doemos të jetë e kujdesshme në monitorimin e situatës. Sepse përndryshe, do ripërsëritet Lufta e Dytë Botërore, kur ushtria e BS u prit me çlirimtarë por përfundoi për të instaluar diktaturat. Lufta wireless nuk duhet të lërë pas virusin e shkeljes së të drejtave.