Nga Ajn
Dita 21, 304 të infektuar, 89 të shëruar dhe 17 kanë humbur jetën nga COVID-19. Kanë kaluar tri javë në izolim tashmë. Sot pati 27 të infektuar. Rritja e shifrave tremb. Pëllumb Pipero foli për muajin qershor si fund i mundshëm i pandemisë. Pritet të rrimë mbyllur edhe dy muaj ndërsa detin ende nuk e dimë nëse do e shijojmë këtë vit. Shpresat se me vapën sëmundja e humb forcën, duket se po na i zbehin. Nuk i shohim më të afërmit tanë, aq sa shefin e qeverisë. Na është ndaluar të takohemi, por jo të duhemi megjithatë. Sot një qytetar vlonjat i dhuroi spitalit një respirator që e kish blerë dikur për të birin e sëmurë. Ndërsa romët e Fierit shpërndanë ndihma për familje rome në këto kohë të vështira. Tani të gjitha ndodhin ‘online’. Teatri bën shfaqje, më saktë parodi ‘online’, instrumentistët luajnë ‘online’, artistët e cirkut në vend të çadrës përdorin dyert e shtëpive, të tjerë lexojnë me video dhe e postojnë ‘online’, kërcehet ‘online’, këndohet ‘online’, takimet e punës bëhen ’online’, mbledhjet po ashtu; edhe vetë vendimet e mëdha merren ‘online’, shpesh me statuse ‘facebook-u’ pa pritur as fletoret zyrtare. Situta ligjore është lëmsh, por është një lëmsh ‘online’. Cilësia jonë e punës tashmë matet megapiksele dhe cilësi interneti, kemi publikuar shtëpitë tona ‘online’, këndet, pikturat, libraritë dhe vlerësimet a të sharat i marrim ‘online’. Edhe ne që s’e deshëm ‘online-n’ tashmë jemi të varur prej tij për të nesërmen tonë. Thonë se kështu jemi më të sigurtë. Jemi shndërruar të gjithë në ikona, na mbyllet goja me një klik, e po me një klik mbërrijmë në anën tjetër të globit. Jetojmë ‘online’ dhe fikemi ‘online’. Edhe ushqimi i ngjan fotove ‘online’, i bukur, por pa shije. Ngase as nuk e shijojmë dot. Nga zgjatim i yni, ‘online’ po na zëvendëson duke na kthyer në zgjatim të vetes. Nëse ne takoheshim dhe duheshim dhe putheshim dhe përqafoheshim dhe ndjenim dhe qanim dhe qeshnim dhe gëzonim dhe vraponim dhe kërcenim sot të gjitha këto janë veçse ikona. Të ftohta. Me ngjyra, por pa shije. Si ‘online’. Nuk ndjejmë më erën e gjërave që donim. As shijen. As prekjen. Shohim imazhe të riprodhuara realitetesh që na fshehin rrudhat dhembjen thinjat mallin ëndrrat. Një mijë megapixel. Dhe asgjë pranë./revistawho.com