Nga Ajn
Dita e 52 e karantinës. Sot 17 raste të reja pas një jave me 6-9 të tillë. Mbërritëm në 820 të infektuar, ku më se 500 janë shëruar. Jemi në javën e 9-të të izolimit dhe në ka gjë që na ka dalë deri edhe në ëndërr janë frazat ‘lani duart’, ‘rrini në shtëpiiiiii’ dhe mbretëresha e të gjithave ‘të mbajmë një kurbë të sheshtë’. Tani, duart i kemi larë, në shtëpi jemi mbyllur i osokukër dhe gjejeni çfarë? Kurba jonë merr poshtë e përpjetat siç ia ka ënda. Kurba jonë është si ekg zemre, lart e poshtë, si e çmendur. Sa qetësohemi ne, ajo si për inat kap pikun më të lartë, duke na lënë pra frymë. Për hir të së vërtetës, nëse ne e kalojmë si të infektuar, pa u shtruar në spital, kjo është një e keqe për t’u hequr, por meqë jemi tërë sy e veshë në analizimin e kurbës, i madh e i vogël analizojmë atë si politikën dikur, i kemi ngulur sytë sepse në harkimet, lakimet, puthitjet e saj me zeron e ngjitjen e saj mbi 30 varet e nesërmja jonë. Si në çdo gjë, edhe në kurbë Shqipëria ka autitencitetin e vet. Ne jemi racë ariane, me gjuhë indoevropiane, me dëshmi jete që në epokën e gurit dhe doemos, edhe në pandemi do vëmë vulën tonë. Populli ynë heroik do ia dalë dhe kësaj, pastaj nëse do ia dalë gropë, shpellë, hon, humnerë, kodër, rrafshnaltë, mal, a alpe, kjo mbetet për t’u parë. Në këtë ravijëzim relievesh, unë po ëndërroj vetëm rivierën shqiptare.