Përgatisni një pjatë plot freski, shije dhe aromë! Midhjet krijojnë një shije fantastike duke u bashkuar me xhenxhefilin, një bimë kurative dhe plot vlera ushqyese. Përfitoni proteina, omega 3 dhe vitamina me një gatim të shpejtë!
Përbërësit
1 kg midhje
100 gr xhenxhefil (xhinxher)
2 tufa kopre
2 limona të shtrydhur
4 thelpinj hudhër
1 spec djegës
1 qepë e vogël
1 qepë e njomë
100 ml vaj ulliri
1/2 gotë verë e bardhë
- Shoqërohen shumë mirë me bukë të thekur, lime dhe spinaq të zier.
Udhëzimet
Hapi 1Pastrojmë midhjet: Fillimisht heqim papastërtitë shkëmbore duke përdorur anën tjetër të tehut të thikës (atë që nuk pret), si dhe pjesën e ngushtë që është rrëzë saj, duke i tërhequr me kujdes.
Hapi 2I lajmë një nga një, duke i fërkuar në ujë të rrjedhshëm. I lëmë të kullojnë.
Hapi 3Grijmë qepë në kube shumë të imëta. Të njëjtën gjë bëjmë me hudhrën dhe specin djegës.
Hapi 4Presim në feta shumë të holla xhenxhefilin dhe grijmë hollë koprën.
Hapi 5Në një tenxhere vendosim qepën, hudhrën, specin djegës, xhenxhefilin dhe vajin e ullirit. I përziejmë pak dhe shtojmë midhjet dhe verën. I mbyllim me kapak dhe i lëmë ashtu, derisa guaskat e midhjeve të hapen.
Hapi 6Në fund shtojmë koprën dhe lëngun e limonit.
Hapi 7I shërbejmë bashkë me lëngun e tyre në një enë të thellë.