Nga Xhuljana Lakuta
Ajo na tregoi se hera e fundit kur ka mundur të shijojë një gotë ‘Old Fashioned’ ka qenë në muajin e mjaltit kur dhe mbeti shtatzënë me vogëlushen Emi! Në muajin qershor të këtij viti, aktorja dhe moderatorja e dashur e publikut shqiptar, Jonida Vokshi u bë nënë për herë të parë me një vajzë, e cila e ndryshoi rrenjësisht jetën e saj për t’i dhuruar momentet më të bukura dhe emocionet më të veçanta.
Si kanë qenë muajt e parë të prindërimit për Jonidën? Si e ka shijuar ajo verën 2020 duke u kujdesur maksimalisht për të voglën e saj dhe çfarë na bën më shumë kuriozë, kujt i ngjason më shumë Emi?
A ka plane Vokshi për të tjerë fëmijë? Këto përgjigje dhe shumë të tjera i zbulojmë bashkë më poshtë…
Si e ke kaluar këtë verë? Cilat kanë qenë impenjimet më kryesore?
Kjo verë ka qenë ndryshe nga cdo verë e jetës sime, për shkak të ardhjes në jetë të vogëlushes sime, Emi. Ajo ka qenë dhe është inpenjimi im kryesor, kemi bërë edhe pushime bashkë. Pa lënë me një anë sigurisht punën time, qiuzzin që bëj prej 1 viti në Prishtinë dhe planet për disa projekte të tjera.
Si kanë qenë muajt me Emin në krahë?
Muajt më të bukur të jetës sime. Nuk shkëputem dot asnjë sekondë prej saj. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se Emi për mua.
Si je kujdesur të ruhesh nga ‘Covid-19’ gjatë kësaj periudhe?
Jam munduar të kujdesem maksimalisht, me të gjitha masat mbrojtëse që tashmë dihen dhe duhen zbatuar nga çdo njeri. Që nga më baziket, higjenë, dezinfektues, maska e distancë, deri tek evitimi me sa mundem i kontakteve me shumë njerëz e vende të rrezikshme ku mund të ekspozohemi ndaj ‘Covid-19’.
Çanta ime dhe shtëpia ime, perveç kremrave të ndryshme të rutinës sime, tashmë ka më shumë higjenizues të ndryshëm, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të ruhemi me shpresën tek Zoti që do kjo do të mbarojë shumë shpejt.
Si e ke kaluar verën 2020?
Kjo ka qenë vera dedikuar totalisht familjes sime, me prindërit, Emin dhe Besnikun. Kemi shëtitur së bashku në destinacione të ndryshme të Shqipërisë. Emit i pëlqen shumë të udhëtojë.
Ndodh shpesh të dehesh?
E kam harruar pak këtë koncept kohëve të fundit (qesh shumë). Tashmë pi me karar, një gotë verë sa për të shijuar një darkë apo për të bërë një gëzuar. Përgjegjësia e të bërit mama nuk më lë më ta teproj.
Të shoqëron Besniku kur pi? Apo kujdeset për ty?
Ne kemi pasur gjithmonë një lloj marrëveshje të pathënë me Besnikun, por që ndodh natyrshëm. Nëse dikush nga ne pi një gotë më shumë, tjetri pozicionohet në kujdestar (qesh shumë). Kështuqë jemi ok në këtë aspekt.
Cili është kujtimi më i bukur që ke nga vera?
Reagimi i parë i Emit! Një mëngjes hapi sytë, më pa dhe qeshi. Ma lumturoi shpirtin. Nuk e harroj atë moment kurrë.
Cila eshte dhurata më e veçantë që ka marrë Emi deri tani?
Emi ka marrë aq shumë dhurata sa më beso e kam shumë të vështirë të zgjedh një. Por mikeshat e mia të ngushta do t’i veçoja pak. Kanë bërë zgjedhjet më të veçanta për të voglën time.
Kurioziteti më i madh që kemi, kujt i ngjason më shumë Emi?
Eh, pyetje 1 milion dollarëshe kjo (qesh shumë). Unë mendoj që më ngjan mua, Besniku thotë që është kopja e tij, kështuqë ju lutem mos vini gishtin në plagë (qesh shumë).
Përtej shakasë, Emi është ende shumë e vogël dhe po ndryshon përditë, ndaj është herët për ta përcaktuar kujt i ngjason më shumë.
A ka qenë e vështirë nga pushimet vetëm apo me shoqërinë, tani t’i përshtatesh atyre me vajzën për të cilën duhet të tregosh kujdesin maksimal?
Absolutisht, përkundrazi. Kanë qenë pushimet më të bukura të jetës sime. Por këtu padiskutim që falenderimi kryesor shkon për mamanë time e të Besnikut, që na kanë ndihmuar dhe qëndruar pranë me Emin kurdo dhe ngado. Na e kanë lehtësuar dhe zbukuruar shumë prindërimin. Nuk di ç’do bënim pa to.
A e ke menduar më mirë një motër apo vëlla për Emin? Apo të dy bashkë?
Dua shumë që Emi të ketë një motër, pasi mendoj që është bekim në jetë kur janë dy motra. Unë do kisha dashur shumë një të tillë për vete. Por dhe një cun e dua (qesh shumë). Besoj ta dhashë përgjigjen (qesh shumë).
E ke menduar rikthimin në ekranet shqiptare pas ardhjes në jetë të vajzës?
Unë punës dhe rutinës sime iu riktheva shumë shpejt pas lindjes. Kjo falë gjendjes sime të mirë, fizike dhe psikologjike, pasi e rimora veten tepër shpejt, por dhe ndihmës së mamit me gocën. Emi përveçse ma ka zbukuruar dhe lumturuar jetën, më ka dhënë edhe një dëshirë dhe forcë akoma më të madhe që të punoj fort profesionalisht, kështuqë në ekran, kinema apo diku tjetër nuk jua them dot, por do jetë së shpejti.
Çfarë mendimesh ke më shpesh në kokë kur je përballë detit?
Deti më fal një lloj qetësie të një tjetër natyre. Sa herë e kam përballë, falenderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë në jetë. Pasi shpesh na ndodh të lutemi apo kërkojmë diçka, apo të mendojmë për punët tona e njerëzit tanë më të dashur dhe harrojmë sa e rëndësishme është të jemi dhe falenderues për gjithçka kemi.
Një gotë apo dy gota ‘Old Fashioned’ cilën periudhë të jetës tënde të kujtojnë?
Me kujtojnë muajin e mjaltit, ku dhe qe hera e fundit që munda t’i pi se mbeta shtatzënë (qesh shumë).