Sapo u shfaq në skenën e “Këngë moj”, me atë fustanin në formë këmbane, krem me lule ngjyrë shegë, pa e nisur këngën fare, Eranda një çmim e pati të marrë: atë të këngëtares së veshur më bukur. Jo vetëm kësaj here. Për të gjithë vitet në skenë (dhe vite nuk janë pak, duhet të jenë rreth 30) Eranda Libohova meriton çmimin për nuhatjen më të mirë. Ju kujtohet ai sarafani dhe gjysmë çizmet në të verdhë limoni në festivalin e ’96-ës?
Një nga veshjet më të guximshme e më të bukura të skenave. Jo e guximshme se kish ndonjë dekolte të hapur e as minifund e ekzagjeruar, por sepse mundi të zezën e gjithanshme të asaj kohe, shpëtimin e të gjitha vajzave të skenës, të cilat në vitet ’90 vazhdonin ende të sajoheshin si të mundeshin, edhe pse pa vështirësitë e tmerrshme të viteve 80, kur Eranda u shfaq si motra e Irmës, por me pamjen e ëmbël prej shkollareje me fustan blu e jakë të bardhë.

Që nga ajo kohë festivalesh e deri në kohët e klipeve, koncerteve në skena të vogla e të mëdha, spektakleve, revistave, studiove televizive, blogereve, stilistëve personale e në fund Instagramit, Eranda Libohovës nuk i ka shkarë këmba kurrë në vulgaritet e as ka mbetur tek e thjeshta e mërzitshme për hir të të qenit brenda kornizave. Ka luajtur me ngjyrat, materialet, prerjet.

Ka ndjekur modën e ka mbetur klasike. Ka veshur xixa, temina, tyle e përherë ka gjetur të mesmen e artë, në përpjesëtim rreptësisht të drejtë me pamjen vajzërore, por pa bërë kurrë 20-vjeçaren e sidomos pa reklamuar kurrë marka e çmime stratosferike veshjesh.

“E pamoshë”, do ishte etiketa që do t’i rrinte për shtat çdo veshjeje të Erandës dhe një leksion për t’u studiuar me kujdes. Ja që s’paska nevojë as për super marka e as për një djall e gjysmë që të vishesh bukur. Shija qenka çelësi, por që s’e kemi dot të gjitha. Mbase duhet ndalur ca më shpesh në profilin e Erandës, sesa nëpër blogere. Aty mund të gjesh kombinime aq të bukura e veshje gjithë dritë, si fustani i mbrëmjes së “Këngë moj” në Vizion Plus./revistawho.com








