Rovena Dilo nuk ka qenë kurrë një nga ata personazhe që quhen “hermetikë”. As nga ato që zgjedhin të thonë ndonjë gjë sado të vogël të jetës së tyre vetëm kur kanë ndojë gjë për të promovuar, duke shfrytëzuar kështu mediat. Gjithmonë ka qenë e çlirët dhe e shpenguar me gazetarët, por asnjëherë si në këtë intervistë me Ardit Gjebrean, ku duket sikur kamera nuk ekziston dhe thjesht po marrim pjesë në një bisedë mes miqsh. Meqenëse ne vetë na shijoi, menduam ta zbardhim dhe për “Who”:
Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi me lekun dhe pronat dhe miqësinë? Këtu ku erdhëm ka qenë bar Rovena dhe kemi shumë kujtime. Për fat të keq gjërat ndryshojnë në jetë dhe mesa di unë ti nuk je ndarë mirë nga kjo histori?
Rovena Dilo: Bar Rovena nuk ka qenë Bar Rovena, ka qenë toka e nënës sime dhe unë vazhdoj të luftoj për pronën e nënës sime dhe nuk do rresht së luftuari derisa ajo të shkojë tek njerëzit të cilët e meritojnë ta kenë.
Unë nuk e kam më, jemi në proces gjyqësor dhe pavarësisht se jemi në proces gjyqësor, kjo ndërtesë po vazhdon të ngrihet, jemi në Shqipëri.
Ky është problem gjykatash dhe shteti nuk funksionon ashtu siç duhet, dhe unë gjej rastin të shpresoj se drejtësia në 2020 nuk do të bëjë më padrejtësi për të marrë pronën nga pronari dhe për t’ja dhënë atë njerëzve të cilët për fat të keq janë të fortët e politikës. Jo vetëm pasuria ime u bë zero, por edhe pasuria e stërgjyshit, zero.
Ardit Gjebrea: Më trego si ikët dhe pse ikët në Greqi?
Rovena Dilo: Në vitin ’90-’91 kur të gjithë shqiptarët po mundoheshin të iknin. Kam qenë 20 vjeç. Ne kishim një shtëpi në Kavalla, pra shtëpinë e gjyshit tim dhe kishim një arsye më shumë për të ikur. Atëhere të kishe një shtëpi diku, dukej se ishte gjëja më krysore, por që nuk ishte kryesorja sepse të kishe një shtëpi në Kavalla nuk është njësoj si të kishe një shtëpi në Paris. Gjithsesi vazhdojmë ta kemi atë shtëpi ende sepse aty nuk ta merr kush shtëpinë.
Ardit Gjebrea: Çfarë bëje në Kavalla?
Rovena Dilo: Në Kavalla fillova të këndoja. Studimet unë i lashë këtu përgjysmë, studioja për Gjuhë dhe Letërsi. Dëshira e prindërve ishte të vazhdoja studimet për filozofi angleze në Selanik, por duke qenë se unë në Kavalla shkova me një kasetë të vogël ku kisha inçizuar një këngë në momentin e fundit me të cilën e përshëndeta Shqipërinë dhe mbrëmjen kulturore dhe kjo kasetë ka qenë arsyeja që më lidhi me Shqipërinë dhe Greqinë dhe me muzikën.
Mamaja ime të gjithë njerëzve që vinin në shtëpi për vizitë ia vinte këtë kasetë dhe i thoshte e keni dëgjuar si këndon Rovena? Të gjithë miqtë që vinin dëgjonin këngën time.
Ardit Gjebrea: A paguheshe mirë aty?
Rovena Dilo: E kam nisur me një pagë shumë të vogël sepse unë nuk kisha repertor.
Ardit Gjebrea: Sa?
Rovena Dilo: Paga e parë që kam marrë që e merrja të përditshme dhe në fund të javës vinte në zarf 5 mijë dhrami për dy këngë që janë 25 mijë lekë të vjetra. Në ato vite kanë qenë shumë, babai im ka qenë njeriu më i lumtur. Në Greqi qëndrova 8 vjet, ikje ardhje. Më vonë fillova të merrja shumë lekë. Gjithçka në Greqi ishte demokratike, ata të linin të lirë në përzgjedhjen e artistëve që ti dojë të këndoje, të bëje coverat. Unë këndoja në buzuqe, në piano bare, në gjithçka që kishte muzikë.
Ardit Gjebrea: Ti më ke prezantuar me meshkujt e jetës tënde, nuk kam guxuar as privatisht të të pyes përse? Çfarë ka ndodhur, pse nuk ka patur një moment stabël, por kanë qenë, kanë ikur.
Rovena Dilo: Unë e shoh si stabilitet, pastaj varet nga këndvështrimi. Unë kam patur marrëdhënie të mira, të gjata, të stabilizuara, por që kanë patur një fund, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë qenë serioze, kjo nuk do të thotë që nuk e kanë kryer ciklin, që nuk kanë qenë të plota, edhe pse nuk kanë vazhduar. Mendoj ndoshta nuk kanë vazhduar sepse nuk më është dashur mua të bëj kompromise deri në fund. Për shembull kur vjen një fëmijë, njeriu bën kompromise me partnerin.
Ardit Gjebrea: Për çfarë kompromisi e ke fjalën?
Rovena Dilo: Njeriu bën shumë kompromise në jetë, marrëdhënia ka toleranca, të lëshosh pe, të duash etj, por ka momente që lodhet marrëdhënia. Ka njerëz që e durojnë lodhjen, ka njerëz që nuk e durojnë. Kur ti nuk ke një fëmijë, nuk pyet pse ta duroj, pra nuk bën një kompromis që dy prindër mund të bëjnë për fëmijën e tyre.
Ardit Gjebrea: Dashuria jote e parë ka qenë shumë e fortë apo jo?
Rovena Dilo: Po ka qenë shumë e fortë dhe e gjatë gati 12 vite. Kjo dashuri më ktheu dhe nga Greqia. U ezaurua si lidhje, njerëzit nuk rriten njësoj. Ka njerëz që rriten, ka njerëz që nuk rriten.
Ardit Gjebrea: Si rritesh ti me ata me të cilët bashkëjeton? I ngjajnë njëri-tjetrit? Kërkon të njëjtin, atë që ke humbur?
Rovena Dilo: Unë mendoj që çdo vajzë thellë thellë kërkon babain, kërkon një model të ngjashme me atë që është rritur. Siç duket në thelb, unë thellë-thellë kam kërkuar babain dhe nuk e kam gjetur.
Ardit Gjebrea: Ke jetuar dashuri 10 vjet më të mëdha se ty dhe 15 vjet më të rinj se ty. Cila është eksperiencë më e bukur për ty?
Rovena Dilo: Nuk krahasohen ndjenjat, nuk kanë lidhje fare. Rovena 20 vjeç dhe 40 vjeç nuk janë e njëjta gjë.
Ardit Gjebrea: Në rastin e marrëdhënies 15 vite më i ri, çfarë të tërhoqi më shumë, mos ishte gjë rinia?
Rovena Dilo: Rinia është një aset shumë i bukur, por bota është i mbushur me të rinj. Padiskutim që nuk është vetëm rinia, por talent, fuqi krijuese dhe origjinalitet në një artist janë mahnitëse.
Ardit Gjebrea: Paraqitja fizike tek një mashkull të tërheq?
Rovena Dilo: Patjetër që më tërheq, është element shumë joshës për çdo femër./revistawho.com