Nga Iva Tiço / Fotografia: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Suela Çangu / Veshjet: Fjolla Nila / Aksesorët: Delirium Shop Albania / Dekori: Geraldina Sposa
“Mua nuk më kthen asgjë në televizion, përveçse mund të ndodhë ndonjë çudi shumë e madhe”, – thotë Xhemi Shehu që në fillim, teksa tentojmë t’i mbushim mendjen se ia vlen të dalë në kopertinën e fundit të revistës “WHO”. Dhe na i pret krahët krejt, mirë që nuk do e shohim më në ekran, por rrezikon të na lërë dhe pa kopertinë, sepse me këtë përgjigje ka bërë zero të gjithë ato argumentet që pijnë ujë tek shumica e personazheve, si për shembull “të duhet të flasësh, sepse emri yt duhet të qarkullojë për të ardhmen”, “është një PR i mirë” apo “të duhet të jesh në tavë”… Xhemit nuk i intereson fare të jetë në tavë, sepse në mendjen e saj e ka mbyllur njëherë e mirë këtë kapitullin e televizionit. Por, ama, funksionon argumenti tjetër me të, ai i tipit “le ta bëjmë një kopertinë festive për qejf, me një set xixëllues” dhe le t’i japim kështu lamtumirën denjësisht ekranit (ne themi dashtë Zoti dhe ndodh çudia) dhe këtij viti allasojësh. Dhe këtu i kemi bërë llogaritë mirë, sepse e dimë që Xhemi është gocë e mirë dhe nuk thotë kurrë jo. Urra! Kopertina u krye.
Rrëfimi pa doreza i një goce të mirë
Dhe po, Xhemi është gocë e mirë dhe këtë e thonë të gjithë, e kuptojnë dhe ata që e shohin në ekran apo e ndjekin në rrjet. Eshtë e bukur dhe është rritur në sytë tanë ditë pas dite, pa mbetur “ajo e bukura”, – siç thuhet për shumë të tjera. Edhe pse në fillim është shfaqur si velinë, ia ka dalë mbanë me çdo lloj spektakli, skena të vogla e të mëdha për të dhënë dhe më të mirën e saj si pjesë e trupës së “Portokalli”-së, duke qenë shumë e natyrshme dhe duke interpretuar në role të mirëfillta, pa mbetur ajo vajza e bukur që thotë “le ta përcjellim me dartrokitje filanin dhe të presim fistekun”. Xhemi ka bërë shumë më shumë, duke ruajtur ndërkohë dhe etiketën “gocë e mirë, yll”, që e ka shoqëruar që në fillimet e veta e deri tani. Dhe mendo, këtë e thonë dhe shumë njerëz të njohur, nga ata që i hanë sytë njëri-tjetrit. “Më vjen mirë për këtë fjalinë e fundit”, – thotë Xhemi – “nuk e di, nuk është se e bëj me recetë këtë gjë. Ndoshta është për hir të tipit tim, që nuk para kam sulmuar të ngjashmit e mi në ekran, sepse unë mendoj gjithmonë që ka vend për të gjithë në ekran. Ndoshta është sepse unë asnjëherë nuk kam dashur të jem në qendër të vëmendjes, mbase edhe sepse i kam hapur krahët çdokujt që ka ardhur për të punuar me mua. Nuk para kam qenë luftarake që t’i fus bërrylat (se kështu është bërë për t’u thënë) dikujt. Faktikisht kam parë punën time, kjo mbase më ka ndihmuar, por faleminderit, më bëhet qejfi që thonë kështu për mua”.
Megjithë spektaklet e ndryshme, emrin e Xhemit të gjithë e lidhin vetëm me “Portokalli”-në. Dhe asaj nuk i vjen fare keq për këtë, përkundrazi. U shfaq fillimisht aty vetëm në një sezon, bashkë me Agron Llakajn dhe Amarda Toskën në 2006-ën, për t’u rikthyer në mars të 2015-ës, dy muaj pasi kishte lindur Gabrielin, djalin e dytë. E ndanin prapë skenën tre, bashkë me Salsano Rrapin dhe Eneda Tarifën, por kështu nga jashtë duket që ajo dhe Salsano jo vetëm kanë kimi skenike, por duket të jenë edhe shokë të ngushtë. “Po, është e vertëtë, kam pasur kimi me Salsanon, veçse s’mund të them që javët e para. Por u lidha më shumë pasi iku dhe Eneda për në ‘Eurovizion’. Atëherë patëm më shumë mundësi që të punonim me njëri-tjetrin dhe u bëmë shokë të ngushtë”. Po me Enedën? “Me Enedën? Me Enedën kam tentuar që të jem shoqe, por nuk ishte e thënë. Kështu që e kam thjesht kolege. Dhe tani nuk e kam asgjë, sepse nuk besoj që do punoj ndonjëherë më me të”.
Ama ka edhe të tjera miqësi brenda asaj trupe. “Shkoj shumë mirë me Salsanon, me Gazin, me Ledion. Tani unë mirë shkoj me të gjithë, që të kuptohemi, por me këta pak më shumë. Pastaj dhe me Albana Perhatin, Algionën edhe me Flor Binajn, me të cilin kam pasur më tepër marrëdhënie kur kam qenë në sezonin e parë fare. E njoh më përpara se Gazin, se Salsanon, por tani nuk është se bëhemi shumë”. Gjithsesi me Florin ajo pati dhe rolet në rubrikën “Atentatet”, ku spikati për natyrshmërinë në interpertim, më natyrshëm se shumë nga ata që mbarojnë shkollë aktrimi, për të parën herë me një përshtatje të ‘Koncert në vitin ‘36”. Ajo vetë, nga një dyzinë “filmash” të tillë pëlqen “Shamikuqen” dhe “Ronin” (sipas një film japonez). Ndërsa gjithë të tjerët të preferuar kanë “Shamikuqen”.
Ajo vetë i ka shijuar të gjitha. Tashmë që është jashtë mund të thotë me gojën plot që “Portokalli” është ajo që ka dashur më shumë, që në sezonin e parë fare kur ishte në skenë me Gonin dhe Amin. “Kam bërë edhe programe të tjera, që nuk është se më kanë ngjallur ndonjëfarë interesi ose më kanë dhënë ndonjë kënaqësi”, thotë ajo. – “I kam bërë se duheshin, por jo nga pasioni apo dëshira. I bëja, sepse doja të rikthehesha në ‘Portokalli’”. Dhe kështu u rikthye, për plot pesë vjet, jo thjesht si prezantuese, por duke marrë kënaqësine me “Atentatet”, derisa iku dhe kjo kënaqësi. “Prandaj dhe u tërhoqa nga ‘Portokallia’ sepse s’po merrja më kënaqësi, dhe prandaj po them duhet të ndodhë ndonjë çudi që unë të rikthehem prapë, gjithmonë në një format të ngjashëm me ‘Portokalli’-në. Nuk kam fare ambicien që të bëj programe të tjera”. Pra, i bie që Xhemi të thotë “jo” direkt, çfarëdo oferte që të jetë. “Direkt “jo”. Kështu që me shumë gjasa i bie që unë jam tërhequr dhe e kam mbyllur njëherë e mirë me televizionin, sepse nuk është se mendoj se do bëhet diçka po aq e mirë sesa ‘Portokalli’-a dikur, sepse kjo që po shohim tani nuk mendoj se është maksimumi i atij spektakli. Ose mbase dhe është ezauruar dhe me kohën… Nuk e di, nuk di çfarë të them, por nuk më tërheq më”.
Dhe në këtë pikë Xhemi është e sinqertë, nuk bën sikur ka shumë punë, sikur nuk ka kohë, apo sikur nuk i ka interesuar të shohë si dukej skena e spektaklit të dielën e parë pa të. “Të dielën e parë, po, po e pashë, pastaj të dytën nuk e shtyva dot, e lashë përgjysmë. Por jo se nuk isha unë. Mendoj se i mungonte regjisori atij programi”.
Ikjet nga Top-i, që s’janë më lajm
Pra, kaq për “Portokalli”-në, që u bë telenovelë në portale, bashkë me emrin e Xhemit. Asaj vetë ky nuk i duket ndonjë lajm i madh ky i ikjes nga “Top”-i. “Dikur po që bëhej kryelajm që njerëzit mund të largoheshin nga “Top”-i, më saktë deri kur ka qenë Tani gjallë… Le që kush ikte nga ky televizion?! Edhe për më tepër që nuk kanë pasur arsye që të largoheshin, sepse gjërat kanë qenë shumë më ndryshe nga ç’janë tani”. Për të, ikja u bë lajm thjesht sepse ajo nuk ishte larguar ndonjëherë, nuk kishte ndërruar asnjëherë kanal, nuk ishte shkëputur asnjëherë gjatë. Për më tepër që në kohën që u largua ajo, pati dhe zhvillime të tjera, si ikja e Altin Bashës apo dhe aktorë të tjerë. “Pati pak gjullurdi ngaqë unë nuk është se lëviz nga një ekran në tjetrin, ky ishte dhe faktori kryesor që u bë lajm”. Por ajo vetë preferoi të mos fliste, të mos jepte asnjë përgjigje, madje as të nënkuptonte ndonjë gjë apo të hidhte kunja në ndonjë postim në rrjet, siç bëjnë të gjithë të vdekshmit e tjerë. Ajo e di mirë se nëse kthen përgjigje, çfarëdolloj gjëje që të thuash, sërish do të prodhohet një lajm mbi lajm, ndaj ajo preferon të mos japë informacione të tjera. “I lë të flasin, sepse e di që gjithmonë do flasin, gjithmonë do kenë diçka për të thënë”.
Miq dhe familje
Siç nuk ka ndryshuar kurrë ekranin, Xhemi nuk ndryshon as miqtë. “Nuk jam natyrë që më pëlqejnë ndryshimet, i kam shumë problem. Unë jam shumë tradicionale në gjërat e mia, bëj po të njëjtat gjëra, aq sa mund t’i mërzis të tjerët ndonjëherë. Kështu jam edhe në jetë, edhe në gjërat e përditshme. Dua të njëjtën kafe, dua të njëjtët njerëz vërdallë, nuk para i përqafoj ndryshimet”. Sigurisht e para është Arbana. “Me Arbanën jam njohur dhe kam bashkëpunuar për herë të parë gjatë ‘Top Fest 3’, por shoqërinë e kemi krijuar gjatë ‘E Diell’, në 2008-ën. Që prej asaj dite jemi lidhur përjetë le të themi. E kam më shumë se shoqe, e konsideroj familje dhe jam me fat për këtë gjë”.
Me Arbanën e shohim shpesh jo vetëm në poza te faqet e njëra-tjetrës, por dhe me “hidhe-prite” nëpër “story”, që na kanë njohur me një Xhem dhe me një Arbanë që të duket si shoqet që ke dhe vetë prej një jete. Në publik, Arbana gatuan, Xhemi pret prej saj. Por në fakt dhe Xhemi gatuan shumë mirë, ndonëse nuk poston. Tani ndoshta gatuan ca më shumë, sepse ka më shumë kohë të lirë, por edhe sepse Arbana është ajo që vuan për kohë. “Arbana dikur ka pas gatuar më shumë për mua, por tani nuk është se ka shumë kohë duke qenë se ka dhe impenjimet me Diellin. Unë gatuaj receta të ndryshme, në përgjithësi nga librat e Arbanës, por edhe nga Rozmarina, sepse tek Rozmarina gjej receta shumë të thjeshta. Në përgjithësi i gjëmoj këto recetat, përbërësit e të cilave gjenden shumë lehtë nëpër markete. Nuk para i referohem adresave të huaja. Kurse për sa i takon ushqimeve të preferuara, të jetë për mua ha çdo ditë pilaf, orizin e kam në vend të bukës. E kam karbohidratin tim të pandarë, domethënë nëse do haja gjellë do e shoqëroja me oriz dhe jo me bukë”.
Ndoshta kjo është arsyeja që është në formë kaq të mirë fizike: mitet e sotme thonë që orizi nuk të shëndosh. Por Xhemi nuk është nga ato që ia ka lënë veten në dorë mrekullisë së orizit, por është nga ato goca që punon fort në palestër. Mjafton ta shohësh në ‘Instagram’ se si stërvitet. Shumë herë bashkë me Orindën, me të cilën duket se ka gjithashtu shoqëri. “Dhe me Orindën kam marrëdhënie shumë të mira, jemi afruar sidomos gjatë periudhës së karantinës, kur bënim ‘crossfit” live me profesor Mondin”. Ka dhe shokë të tjerë (gjithmonë sipas postimeve), ka Islin. “Islin po, e njoh që në shkollë, që në universitet, djalë i shkëlqyer. Me të kam një nga ato marrëdhëniet që dhe nëse nuk e takoj përditë, kur takohemi na duket sikur kemi qenë bashkë orët e fundit”.
Dhe vetëm familje
Pjesa tjetër e kohës së Xhemit, tani që është jashtë ekranit, është si ajo që kemi ne të gjithë. Domethënë shumë kohë në shtëpi. Do të kishte dashur ta shfrytëzonte këtë kohë (ne do vazhdojmë ta quajmë shkëputje, ndonëse ajo thotë ikje nga ekrani), për t’u marrë me bizneset e saj që ajo ka drejtuar: palestra, qendra estetike dhe parukeria tek Kodra e Diellit, por kjo mesa duket nuk është koha më e mirë për punë. “Nuk është periudha më e mirë për bizneset, prandaj jam munduar ta marr me qetësi. Po i kushtoj më tepër kohë dhe vëmendje familjes dhe jam me shpresë e sipër që gjërat do rregullohen vitin që vjen ku mund të impenjohem 100% me të gjitha këto, gjithmonë nëse do jemi mirë”.
Edhe pse nuk është nga ato që poston orë e çast foto të djemve dhe të bashkëshortit, Xhemi nuk është se e ka qëllim në vetvete ruajtjen e privatësisë. Si në çdo gjë që bën, edhe këtë e ka me masë. Domethënë aq sa do dhe sa i pëqen asaj. Nuk ka bërë kurrë bujë me gjëra ekstravagante me pjesën private të saj, edhe pse e gjitha është zhvilluar paralelisht me publiken, kur është shfaqur njëzetë vjeç në ekran si fëmijë dhe është larguar si nënë e dy djemve. “Po, ika si mami e dy djemve dhe për këtë jam shumë e lumtur, sepse nuk është se puna më mbajti peng që të zhvilloja jetën time. Krijova familjen, që mendoj që është gjëja më e rëndësishme në jetë dhe puna i shërben asaj. Nuk është se kam sakrifikuar gjërat më thelbësore në jetë për hir të punës”.
E nëse të gjithë e imagjinojmë që në shtëpi ajo është si në ekran apo si në ‘Instagram’, kur mund t’ua kthejë djemve me ndonjë batutë dhe pastaj të gjithë të qeshin e të sillen mirë, ja që nuk e paskemi njohur fare Xhemin: “Oooo unë jam xhandari i shtëpisë, nuk e dua këtë rolin, por mua ma kanë lënë. Visi është shumë i urtë me fëmijët, nuk para u bërtet dhe mirë bën, se në përgjithësi në çift njëri duhet të jetë më i rreptë se tjetri, njëri duhet të hapë rrugë. Unë nuk hap rrugë, nuk e di pse jam kështu. Bëhem pishman pasi bërtas dhe mundohem që ta korigjoj duke i marrë me të mira. Nuk jam një mama që llastoj fëmijët, dua që të rriten me këmbë në tokë, dua që të rriten me JO-në, dua që fëmijët e mi t’i fitojnë gjërat vetë, nuk dua që t’ua jap gati, sepse në jetë asgjë nuk të vjen gati. Duhet të impenjohesh për çdo gjë dhe me këtë frymë dua t’i rris, që nesër pasnesër mos të zhgënjehen, sepse unë dhe Visi s’do jemi gjithmonë pranë tyre. Nuk di të them a jam nënë e mirë apo jo, por po mësoj dhe unë bashkë me ta. Prindërimi është i vështirë dhe nuk është se ka ndonjë formulë ekzakte se si duhet bërë, por eksperienca bën të vetën”.
Pastaj janë dhe ato komentet e tjera, ku të gjithë bëhen bashkë dhe sa herë që shohin fotografi të dy djemve, thonë që janë Xhemi copy and paste. Visi ndoshta dhe mund të mërzitet me të tilla komente. “Visi, jo, nuk mërzitet që fëmijët kanë hijen time, të paktën i vogli është ‘copy paste’ si unë, kurse Martini i madhi, jo, ka tiparet e Visit. Vetëm ka hijen time, ka ngjyrat e mia, është bardhosh dhe prandaj njerëzit ngatërrohen dhe mendojnë se më ngjan mua. Por as unë nuk mërzitem që ai i ngjan Visit, se fundja me të e bëra (qesh)”.
Ja nga këto batutat e Xhemit pra… Nuk e imagjinojmë dot se si mund të jetë ajo xhandar, por le ta besojmë. Sepse është një “xhandar” që hap rrugë kollaj. Sidomos kur vjen puna tek televizori dhe ato që Xhemi sheh aty. “Zakonisht në ekran shoh vetëm atë çfarë më vënë fëmijët, nuk para e kam unë telekomandën në dorë, por në darkë gjej kohë për veten, dhe shoh diçka qetë, filmat në ‘Netflix’ dhe ‘Grande Fratelo VIP’ tek ‘Cannale 5’. Vetëm këto momentalisht”. Dhe nuk ka asnjë lloj ngasjeje ta shohë veten ndokund. “Jo, jo, e thashë, e kam mbyllur njëherë e mirë me televizionin”. / revistawho.com